Ramadani pas rritjes së rasteve me coronavirus: Dikush është në kokërr shpine e dikush punon pa ndal, nuk po respektohen rekomandimet

Aktuale

Ramadani pas rritjes së rasteve me coronavirus: Dikush është në kokërr shpine e dikush punon pa ndal, nuk po respektohen rekomandimet

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 10:50
Naser Ramadani

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), Naser Ramadani, ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk po i respektojnë rekomandimet për parandalimin e virusit COVID-19, dhe kjo po i mbingarkon edhe stafin mjekësor.

Siç tha Ramadani, meqë vetëm apeli për masat mbrojtëse tek qytetarët nuk është i mjaftueshëm, janë duke biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë që të menaxhohet situata edhe me mbikëqyrjen nga inspektorët dhe organet e rendit.

“Po e shihni që situata epidemiologjike ditëve të fundit është me raste të rritura. Edhe ekipi jonë me mund të madh jemi duke e mbajtur situatën epidemiologjike… Qytetarët nuk po i mbajnë tri rregulla: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskës si dhe larjen e shpeshtë të duarve. Këto numra flasin shumëçka. Lehtësimi i masave është bërë nga njerëz shumë profesional të epidemiologëve dhe me rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë, e cila e ka aprovuar dhe jemi duke e diskutuar bashke që nuk mjaftojnë vetëm apelet që po bëhen, por duhet të ketë edhe një mbikëqyrje solide e inspektorateve dhe organeve të rendit”, ka thënë Ramadani.

Ai po ashtu theksoi se rritja e numrit të të infektuarve me virusin COVID-19 flet për përkeqësim të situatës.

Sipas tij, të premten qytetarët do ta kenë një manual me të gjithë udhëzuesit se si duhet të sillemi në situatë pandemike.

Ramadani tha se shqetësuese është edhe gjuha fyese qe po i drejtohet IKSHP-së, pasi siç tha ai puna intensive dhe e mbingarkuar që po bëhet në këtë institut nuk po respektohet as nga qytetarët as nga kryetarët e komunave.

“Numri i rasteve është shqetësuese, dhe më shqetësuese është kur kryetarët e komunave ankohen tek IKSHPK-ja. Dikush është në kokërr shpine, e dikush punon pa ndal. Ky laborator punon pa ndal. Diagnostimi me real time PCR, bëhet në procedurë të shpejt. Testi negativ apo pozitiv nuk flet asgjë për qytetarët të cilët nuk kujdesen për shëndetin e tyre. Një grykësi e paparë edhe në pandemi unë nuk kam parë…Po shajnë e ofendojnë njerëzit për vonesat e rezultateve të analizave, por nuk ka urgjencë në testim. Ata që kanë nevojë për testim duhet të planifikohen, dhe kjo shkon deri në 14 ditë. Vrapojnë si të çmendur në institucionet shëndetësore për të kryer analizat. Na respektoni se po ua shpëtojmë jetën. Na ruani, që të ju ruajmë”, ka bërë apel drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat