Flet kryeministri Avdullah Hoti, jep detaje nga takimi me Miroslav Lajçak

Aktuale

Flet kryeministri Avdullah Hoti, jep detaje nga takimi me Miroslav Lajçak

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 18:58

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti pas takimit me Miroslav Lajçak tha se janë të gatshëm të hyjnë në procesin e dialogut, pasi që konsiderojnë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë është e rëndësishme për të gjithë rajonin dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian.

Hoti tha bashkë me kabinetin qeveritar janë të gatshëm të futen në dialogun me Serbinë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Hoti: Qeveria është e gatshme të futet në dialogun Kosovë-Serbi

“Unë pres që me kabinetin, anëtarët e qeverisë sa më parë të angazhohemi në këtë proces të rëndësishëm që pas shumë viteve dialog për normalizim të marrëdhënieve dhe tani të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që të mbyllim një kapitull të rëndësishëm në mes të dy vendeve tona dhe të sigurojmë perspektivën eurointegruese. I tregova dhe i shfaqa gjithë interesimin tonë dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces, jemi të përgatitur, kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, tha Hoti.

Hoti tha se pret që në fund të vizitës tre ditore të Lajçak në Kosovë, të takohen përsëri për të diskutuar rreth çështjeve teknike, siç tha ai, si mund ta bëjnë këtë proces substancial dhe proces që dërgon te rezultati final si njohja reciproke mes dy vendeve dhe hapja e perspektivës evropiane për të dy vendet.

Hoti: Jemi për dialog që mbyll përfundimisht çështjet e hapura me Serbinë

“Sot ne takim e informova në emër te qeverisë për qasjen tonë karshi procesit të dialogut, për një dialog mbyll përfundimisht një marrëveshjen dhe çështjet e hapura që i kemi me shtetin fqinj, për një dialog që qon të njohja reciproke dhe qe i hap Kosovës perspektivën euro integruese sikur çdo vend tjetër. Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe është e rëndësishme për stabilitetin komplet të Bashkimit Evropian, vendi ynë është Brenda Bashkimit Evropian, unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi”, tha Hoti./G.Kadrija

Ndërsa i deleguari i BE-së për dialogun tha se rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian shkon përmes lehtësimit të marrëdhënieve me Serbinë. Andaj shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm dhe ka vullnetin të ndihmojë për të ardhmen e Kosovës.

Lajçak: BE-ja është e gatshëm të ndihmojë Kosovën

“Pa dialogun e lehtësuar nga BE kjo nuk do të ishte e mundur dhe natyrisht që dua të ndërtoj atë që është arritur tashmë dhe të shkoj më tej dhe ta çoj këtë proces në një përfundimin të suksesshëm dhe pa humbur kohë. Dhe unë gjithashtu dua të theksoj se rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo është thënë gjithashtu në mënyrë të qartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në rezolutën e vitit 2010 e cila është baza e këtij dialogu. Unë dua që Kosova të përparoj në këtë rrugë në rrugën evropiane dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush por vetëm nga Bashkimi Evropian. Prandaj, Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në hapjen e së ardhmes evropiane për Kosovën”, tha ai.

Lajçak ka arritur sot në Prishtinë për një vizitë tre ditore dhe ka takuar së pari presidentin e vendit, Hashim Thaçi, pastaj kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani.

Diplomati sllovak ka thënë gjatë ditës se gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA dhe BE.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur pas takimit që ka pasur me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Hoti ka thënë se Lajçak flet në emër të 27 shteteve të BE-së dhe se marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Në emër të qeverisë e falënderova për angazhimin e Lajçak. Ai në Kosovë është i nderuar sepse flet në emër të 27 shteteve të BE-së. Dialogu duhet që përfundimisht ta mbyllë marrëveshjen dhe çështjet e hapura. Një dialog me njohje reciproke dhe që i hap rrugë integrimeve. Kjo marrëveshje është e rëndësishme për të gjithë rajonin dhe stabilitetin komplet të BE-së. Vendi jonë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i prezentoi”, tha Hoti.

Kryeministri po ashtu tha se pret që sa më parë të angazhohet në këtë proces dhe të arrihet një marrëveshje finale.

Hoti po ashtu përmendi edhe një takim të dytë që do të mbahet me Lajçakun.

“Unë pres që sa më parë të angazhohemi në këtë proces të rëndësishëm që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare. Unë i shfaqa të gjithë interesimin tonë për të hyrë në këtë proces. Zoti Lajçak ka agjendë të ngjeshur për të takuar të gjithë akterët dhe unë pres që të takohemi edhe njëherë për rezultatet teknike”, tha në fund ai.

***

Kryeministri Hoti pret në takim Lajçakun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat