Hoti: Qëllimi kryesor i dialogut është njohja nga Serbia, territori s’diskutohet

Aktuale

Hoti: Qëllimi kryesor i dialogut është njohja nga Serbia, territori s’diskutohet

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 10:05
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Kryeministri Avdullah Hoti në diskutimin e KDI-së me temë “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?” tregoi për objektivat në dialog dhe radhiti disa pika ku Kosova nuk do të lëshojë pe.

Ai po thotë se qëllimi kryesor është marrja e njohjes nga Serbia dhe pas saj integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike.

Hoti tha se nuk ka asgjë të re në bazën e dialogimit, por tha se transparenca do të jetë në plan të parë në raport me partitë tjera politike dhe Kuvendin.

“Ajo që kemi bërë bashkë me kabinetin është se e kemi strukturuar qasjen e Qeverisë së Kosovës dhe kemi formalizuar mënyrën se si do të zhvillohet ky proces. Qasja jonë do të jetë për të siguruar transparencë të plotë gjatë këtij procesi që është procesi më jetik që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës”.

Hoti tha se që nga viti 2011 dialogur është zhvilluar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se tani e tutje do të zhvillohet për njohje reciproke.

Duke thënë se nuk beson në “konspiracionin e krijuar rreth dialogut”, Hoti listoi tri objektivat kryesore të Kosovës në tryezën e dialogut.

“Konspiracioni i ndryshëm për dialog me harta dhe shkëmbime territoresh për mua janë të pavërteta dhe rrjedhimisht s’janë pjesë e diskutimeve. Jemi ulur brenda kabinetit bashkë me partnerët e koalicionit dhe në platformën tonë nuk do të dëgjoni diçka të re. I kemi vendosur parimet tona dhe kam mandat të negociojë mbi bazën e Kushtetutës që më jep autorizime të qarta që të udhëheq këtë proces. Po ashtu, edhe aktgjykimi i Kushtetueses flet qartë për kompetencat e mia, që as s’dua e as nuk mund t’i transferoj të dikush tjetër. Këtu s’ka nevojë as të thuhet sepse s’kemi nevojë të brengosemi”.

“Janë tri pika për të cilat s’kam mandat që të bisedojë: Integriteti territorial, karakteri unitar dhe marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Objektivat tona janë sigurisht njohje reciproke – me gjithë partnerët ndërkombëtarë që flas, të gjithë e konfirmojnë që Kosovës duhet të ulet në tavolinë për njohje reciproke – prandaj objektivat tanë janë: Njohja reciproke, njohja nga pesë vendet e BE-së që s’e njohin ende Kosovën, anëtarësimi në OKB dhe shfuqizimi i rezolutës 1244. Këto duhet të arrihen menjëherë sapo të nënshkruhet marrëveshja. Marrëveshja duhet t’i hapë rrugë Kosovës që të shkojë në proces standard të integrimit euroatlantik”.

“Marrëveshja që është duke u formatizuar është marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe për adresimin e të gjitha çështje të hapura sit të pagjeturit, pensionet, zonat kadastrale, artefaktet dhe plot çështje që Qeveria është e përgatitur”.

***

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat