Vjosa Osmani përkujton Nekibe Kelmendin: Ishte këmbëngulëse dhe e vendosur

Aktuale

Vjosa Osmani përkujton Nekibe Kelmendin: Ishte këmbëngulëse dhe e vendosur

Nga: E.R Më: 19 qershor 2020 Në ora: 11:24
Vjosa Osmani

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot në 9 vjetorin e vdekjes, ish nënkryetaren e LDK-së, Nekibe Kelmendi. Osmani thotë se Kelmendi ishte shembull i gruas së pathyshme, shembull i heroinës.

Me kalimin e saj në amshim, këtu e nëntë vjet më parë, politika ka humbur një grua tepër të dinjitetshme, e cila skenës politike ia dha shembullin e gruas dhe politikanes e cila nuk përkulet para presioneve, nuk njeh kompromis karshi idealit për shtetin dhe ruan me përkushtim çdo gur të shtetësisë së vendit të saj, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook.

Më tutje theksoi se, znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë.

Ajo është shembulli i heroinës, e cila dhimbjen personale për humbjen e më të dashurve të saj, bashkëshortit dhe dy djemve, e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik.

Postimi i plotë i saj në Facebook:

Sot, në 9-vjetorin e kalimit në amshim të znj. Nekibe Kelmendi, intelektuales së shquar, njërës ndër juristet e para në Kosovë, modelit të gruas së emancipuar dhe të guximshme, ish-nënkryetares së LDK-së, u përkulëm para varrit ku prehen eshtrat e saj, me respektin më të thellë për përkushtimin e saj për realizimin e idealit të brezave: jetësimin e shtetit të Kosovës.
Me përkushtimin e saj të pashoq, me karakterin e urtë por të vendosur, si dhe me qëndresën e hekurt, znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë.
Ajo është shembulli i heroinës, e cila dhimbjen personale për humbjen e më të dashurve të saj, bashkëshortit dhe dy djemve, e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik. Urtësia e saj, aftësia për të krijuar kohezion politik dhe humanizmi të cilin e promovonte, është ndër shembujt më të vyer për sjelljen në politikë, sot e kurdo.
Me kalimin e saj në amshim, këtu e nëntë vjet më parë, politika ka humbur një grua tepër të dinjitetshme, e cila skenës politike ia dha shembullin e gruas dhe politikanes e cila nuk përkulet para presioneve, nuk njeh kompromis karshi idealit për shtetin dhe ruan me përkushtim çdo gur të shtetësisë së vendit të saj. Këmbëngulëse në ruajtjen dhe promovimin e idesë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit, ajo qe po kaq këmbëngulëse edhe në sigurimin dhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës.
Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë, kur ai po rrezikohej nga lejimi i strukturave paralele, është shembulli më i vyer të cilën një politikane mund ta japë kur rrezikohet shtetësia e vendit të saj. Këmbëngulja e saj që të mos lejonte krijimin e gjykatave paralele dhe guximi i saj politik që ta refuzonte me çdo çmim këtë, qoftë edhe me humbjen e postit të së parës së Drejtësisë, është udhërrëfyes për të gjithë politikanët e sotëm dhe të nesërm.
Kosova sot ka nevojë për gra e burra të dinjitetshëm sikur Nekibja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat