Arben Gashi i bën thirrje VV-së për bashkëpunim në procesin e dialogut

Aktuale

Arben Gashi i bën thirrje VV-së për bashkëpunim në procesin e dialogut

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 22:21
Arben Gashi

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i ka bërë thirrje opozitës të bashkërendojnë veprimet sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Të ndërtojmë konsensusin nga Kuvendi, qoftë edhe pas ditëve të tëra debate e përplasje të ideve, por asnjëherë të interesave’ shruan Gashi në Facebook.

“Të nderuar kolegë të VV-së, ju bëjmë thirrje ta ndërtojmë bashkërisht perspektivën e Kosovës, jo nga logot partiake por nga institucioni përfaqësues” shkruan Gashi në Facebook.

Postimi i plotë:

Pa dëshirën tonë si shumicë parlamentare, sot ne po diferencohemi mes vete në ata që kanë dëshirën e deklaruar dhe që e zgjedhin privilegjin e të ndjekurit të rrugës populliste si në retorikë ashtu edhe në veprim, përballë atyre që kanë deklaruar përkushtimin e angazhimit në këto kohë të paprecedent edhe përmes rrugëve jopopullore, për të realizuar projektet që janë jetike për vendin. Ne nuk kemi komoditetin e refuzimit të pjesëmarrjes në bisedime të udhëhequra nga SHBA-të, e aq më pak kemi luksin që të bëhemi palë me Amerikën apo me Evropën-kundër njëra-tjetrës. Ne jemi Kosova, dhe kështu duhet të përfaqësohemi, në secilin forum, në secilën iniciativë.

Presionet popullsite të liderëve politik përgjatë gjithë historisë kanë tentuar të imponojnë dëshirat dhe ambiciet e tyre si vullnet dhe nevoja të popullit, duke i përkthyer më pas si detyrim për palët tjera në politik-bërje aktive. Deri dje, partnerët tanë qeverisës e kishin mundësinë që ta përfaqësojnë vendin dhe ta ndërtojnë konsensusin, megjithatë, nuk e bënë as njërën dhe as tjetrën. Sot kemi ne mundësinë qe ta përfaqësojmë vendin, por e kemi edhe detyrën që ta ndërtojmë konsensusin e ta ruajmë shtetin. Miqtë tonë të qeverisjes së djeshme prezantojnë perspektivën e tyre, perspektivë të cilën sforcohen ta paraqesin si të vërteten hyjnore, të bazuar në opinionin e tyre e të prezantuar si fakt të padiskutueshëm. Të nderuar kolegë të VV-së, ju bëjmë thirrje ta ndërtojmë bashkërisht perspektivën e Kosovës, jo nga logot partiake por nga institucioni përfaqësues. Të ndërtojmë konsensusin nga Kuvendi, qoftë edhe pas ditëve të tëra debate e përplasje të ideve, por asnjëherë të interesave!

Ne mund ti shohim çështjet nga një perspektivë tjetër, të mësojmë nga historia për ngritjen e shteteve/perandorive dhe rënien e tyre. Nuk guxojmë të harrojmë se sa e rëndësishme dhe jetike është për ne si një shtet i ri, veçanërisht në këtë fazë politike, të kemi drejtimin e duhur, veprimin e matur dhe deklarimet e menduara. Duhet të jemi real për atë që na pret, për atë që na ofrojnë dhe për atë që ofrojmë ne në këtë proces shumë të ndjeshëm për vendin. Ju lus që sot të shohim përtej interesit tonë partiak, të rritemi përtej tij dhe të mendojmë për interesin tonë nacional. Nuk guxojmë ta paraqesim interesin partiak si fakt, e aq më pak ta besojmë dhe prezantojmë atë si një të vërtetë superiore!

Ne anën tjetër, dinamikat në të cilat ndodhemi nuk na japin hapësirë kohore për të argumentuar se si duhet të jetë një qeverisje e mirë apo si duhet te jetë një lidership i duhur. Na u bashkoni që të dëshmojmë përkushtimin për vendin, na u bashkoni që ta dëshmojmë lidershipin sot ne këtu, nga ky Kuvend – jo duke u fshehur pas fjalimeve partiake e përçarëse por duke i dalë përballë situatës me veprime konkrete e duke bashkëpunuar ne si pushtet me ju si opozitë për interesin jetik të vendit. Ne sot ju zgjatim dorën e bashkëpunimit për të treguar lidershipin e duhur për këtë proces në te mirë të vendit.


Ne duhet të pajtohemi që veprimet jo të duhura dhe të pamatura të mos bëhen, po aq sa duhet të pajtohemi që gjërat e pavërteta të mos thuhen, sepse duke bërë veprimet e gabuara dhe duke thënë gjërat e pavërteta dëmtojmë pariparueshëm raportet tona dhe veçanërisht të ardhmen dhe interesat e vendit tonë.
Thuhet që hakmarrja më e mirë është që të mos bëhesh sikur armiku yt!
Ne të gjithë mund të pajtohemi që Kosova arriti të ketë vëmendjen e botës sepse ne ishim ndryshe nga armiku ynë, ne ishim bashkëpunues dhe jo refuzues, ishim të vendosur për vendin tonë dhe të bashkuar në çështje, kishim udhërrëfyes të qartë (nuk udhëhiqeshim nga stuhia), dhe ishim të qartë se çka donim të arrijmë.
Vëmendja e marrë ndërkombëtare, kur funksionuam dhe u përkushtuam si unik, u përkthye në përkrahje politike për kauzën e lirisë dhe të shtetit të Kosovës. Kur kjo përkrahje u bë fakt, armiku ndërmori veprime të cilat bota i dënoi si të papranueshme, veprime që u ndëshkuan me forcën e armës që e bashkuar me armët e UÇK-s u bënë armët e lirisë.

Ne sot dhe asnjëherë, nuk duhet ta bëjmë gabimin e armikut tonë, nuk duhet ta kthejmë botën/aleatët tonë kundër nesh, nuk duhet të kthehemi kundër njëri-tjetrit veçanërisht në këtë proces që kërkon më shumë se kurrë unifikimin tonë.

Është në fuqinë tonë që ne të tërhiqemi në një cep te Ballkanit dhe të botës (nëse do ta quajmë fuqi), të izolohemi si dikur fqinji ynë i sotëm, shteti ynë i vetëm i djeshëm. Megjithatë, izolimi nuk është zgjidhja…ndoshta mund të jetë veprim popullist sot, por është veprimi më anti-popullor nesër dhe gjithmonë.
Sot na duhet përfaqësimi i përbashkët, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, këtë na mëson edhe historia jonë nëse kujtojmë Rambujenë, Vjenën, Brukselin e tash së fundmi Washingtonin. Fitimtar nga ky proces mund të dalim vetëm nëse shkojmë bashkë dhe të vendosur.

Në përmbyllje, të nderuar kolegë, më duhet të konfirmoj se ne kemi zgjedhur rrugën e vështirë të marrjes përsipër që ta nxjerrim vendin nga stuhia në det të hapur, dhe ta drejtojmë brigjeve të qeta e të sigurta të ekzistencës së përhershme në kufijtë e tij dhe me organizimin e vet kushtetues.

Thirrja ime për ju sot, lutja jonë për ju është që të na bashkoheni ta përfaqësojmë Kosovën me dinjitet, të na bashkoheni t’i drejtojmë bisedimet me integritet dhe ta ruajmë me unitet Kosovën tonë të dashur.

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat