Kombëtarja "Bota sot", plot një çerek shekulli sfida dhe suksese!

Aktuale

Kombëtarja "Bota sot", plot një çerek shekulli sfida dhe suksese!

Nga: XHEVDET MAZREKAJ, botues i gazetës Më: 26 qershor 2020 Në ora: 11:37
Xhevdet Mazrekaj

Pyetja me të cilën më shumë jam ndeshur në këto 25 vjet të së përditshmes "Bota sot" është: E kujt ishte ideja që unë të botoj një gazetë të pavarur? Ata që më vonë e kanë mbajtur veten ideatorë, atëherë ishin skeptikë, më pyesnin me habi: si mund të ekzistojë një gazetë e pavarur përballë asaj zyrtare (asohere mediat në Kosovë ishin "shoqërore", e jo private)? Ata nuk besonin se ishte e mundur të botohej një gazetë e pavarur, prandaj me këshillonin të investoja të botohej në Perëndim ndonjëri nga titujt që botoheshin asokohe në Kosovë. Kishte ide të ndryshme, por asnjë nuk preferonte botim të një gazete të pavarur, sepse kujtonin se kjo do të ishte konkurrente joparimore politikisht ndaj "sistemit të njëshit" (një gazetë e përditshme, një teatër, një shtëpi botuese). M’u desh të vendos vetë, me guxim. Guximi në duart e duhura është më i fuqishëm se arma në duart e frikacakut, ndaj nuk kisha drojë se do të më keqkuptojnë, ose edhe nëse ndodh kjo (siç ndodhi), keqkuptimi nuk do të zgjaste shumë kohë. Qëllimin e kisha të sinqertë, dhe dihet se, nëse vepron sinqerisht, të del më mirë sesa të kalkulosh strategji të ndryshme në bazë të interesave thjesht politike.

Dhe mbeta vetëm. Një vit vetmi dhe sakrificë (jo vetëm materiale) ishte viti më trishtues i jetës sime, bankrotimi total. Sfidat ishin gjithnjë e më të mëdha, të panjohurat që sillte koha ishin të papara. Situatat e pragluftës civile të Shqipërisë së viteve 1996, 1997 e vitim do të pasoheshin me luftën e Kosovës të viteve 1998-1999, me luftën e Kosovës Lindore (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc) më 2000 dhe me luftën e Maqedonisë më 2001 dhe plot zhvillime të tjera nga më kundërthënëset e nga më të ndërlikuarat në hapësirën shqiptare, në diasporën tonë, në rajon në kontinent e në botë. Gazeta e kaloi provën e zjarrit me një sukses të jashtëzakonshëm. Në këtë provë dështuan, kush e kush më rëndë, të gjitha të përditshmet shqipe me një përvojë të gjatë botimi, po edhe të tjerat që mbinin si kërpudhat pas shiut dhe që koha i zhdukte pa mëshirë. Gazeta jonë e fitoi monopolin e së vërtetës dhe bëri për vete zemrat e mendjet e publikut në krejt hapësirën kombëtare dhe në diasporën shqiptare. Ajo u bë institucioni i vetëm kombëtar i kohës, simbol i mendimit të lartë kombëtar, simbol i fjalës së lirë dhe i së vërtetës shqiptare. Kërcënimet mafioze të luftës e të pasluftës nuk pushonin, bëheshin gjithnjë e më të vrazhda. Vrasjet e bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve u përshkallëzuan deri në aktin terrorist në redaksinë e Zyrihut.

Kur "Bota sot", pa vonuar e fitoi opinionin e diasporës në të gjitha shtetet perëndimore dhe në SHBA, si dhe arriti tirazhe të mëdha që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në mediat shqiptare, skeptikët e dikurshëm ofroheshin të gjithë, të bindur se mund ta riformatizojnë "pak më mirë" fizionominë e gazetës, sipas qejfit të tyre. Vinin e shkonin, varësisht sa kohë u duhej të bindeshin se "Bota sot" nuk do ta ndryshojë asnjëherë fizionominë e saj kombëtare. Dhe këto "ardhje-vajtje" nuk flasin mirë për nivelin e asohershëm të të kuptuarit të pluralizmit demokratik, i cili nuk e përjashton nacionalizmin (siç e përjashtonte komunizmi). Edhe sot nacionalizmin e shohin si primitivizëm, sidomos nëse sot pas 25 vjetëve rikujtoj refuzimet politike kundër "Botës sot", rikujtoj kundërshtitë. Ishin ata ajo pjesë e eminencës arriviste, e cila asohere nuk besonte në mediat që nuk janë zyrtare-shoqërore a shtetërore, kurse sot, po ata, pretendojnë të bëhet reprezentues dhe zëdhënës të pavarësisë së medias në Kosovë, madje nuk pushojnë ende ta paragjykojnë "Botën sot" si "një gazetë partiake (të LDK-së)". Sa është partiake, apo e pavarur "Bota sot", flasin faktet se unë, si botues i saj, dhe i gjithë stafi profesionist i saj, nuk i takojmë asnjë partie politike, ose asnjë posti të administrimit shtetëror. Këtë fakt e kam apostrofuar në impresiumin -kombëtare- që do të thotë –jopartiake - që në numrin e parë të botimit të gazetës.

Mendësia e skeptikëve se "Bota sot" ishte profilizuar si gazetë e diasporës, prandaj nuk mund të kishte sukses në atdhe, nuk arriti t'i bëhej barrierë gazetës sonë. "Bota sot" hyri në Kosovë bashkë me NATO-n dhe u bë menjëherë e pakonkurrueshme, saqë iu kërkua partnerëve perëndimorë dhe ndërkombëtarëve të Kosovës ta mbyllnin gazetën. Të njëjtin sukses  gazeta e dëshmoi në Maqedoni, saqë politika antishqiptare vuri në përdorim shtetin kundër saj.

"Bota sot" që nga dita e daljes e deri sot ka qenë dhe ka mbetur media e vetme e pavarur shqiptare (edhe në Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët). Por pse edhe deri sot ende nuk ka media të tjera të pavarura? Fatkeqësi quhet ajo eminenca që dikur refuzonte pavarësinë e medias (dhe bënte intriga politike kundër botimit të "Botës sot"), po ajo eminencë as sot ende nuk ka arritur ta demokratizojë fizionominë e medias të cilën e udhëheq dhe nuk po mund të çlirojë median e saj nga varësia politike e donatorëve të saj ndërkombëtarë, ose të mafies ekonomike në Kosovë. Ajo media arriti ta indoktrinojë (përkohësisht) kosovarizmin kundër shqiptarizmit në Kosovë.

"Bota sot" ka arritur tirazhe shumë të mëdha në të gjitha vendet perëndimore, por erupsioni fushator i strukturave antikombëtare nuk ka lënë mjet propagandistik ose denoncim institucional pa përdorur kundër "Botës sot" që kishte arritur të pranohet nga i tërë kombi shqiptar si një medie që nuk mbron interesa koniunkturale politike, por mbron çështjen kombëtare, me aq sa mundet dhe me aq sa di. Gjithmonë e sinqertë dhe gjithmonë e hapur për ata që më shumë se partinë, e duan kombin. Janë inkriminuar dhe etiketuar si skandaloze shkrimet e "Botës sot" kundër vrasjeve të patriotëve shqiptarë menjëherë pas lufte, dhe koha dëshmoi se këta zotërinj edhe deri sot pretendojnë (dhe kanë sukses) t’i heshtin të gjitha krimet që janë bërë kundër bijve më të mirë të kombit shqiptar, si: Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti… Vetëm gazetarët e "Botës sot" vriteshin, derisa gazetat e eminencës false kolaboraciononin me struktura të ndryshme të mafies politike dhe ekonomike. Pasanikët e luftës u bënë pasanikë të paqes. Duke e udhëhequr median e saj "të pavarur", madje edhe sot, ajo e njëjta eminencë aktualisht është faktore e partive të ndryshme politike, dhe median e saj e përdor si instrument për ta marrë pushtetin, ndaj nuk është e pavarur, meqë janë ose opozitarë, ose pozitarë.

Dua të them se jo vetëm para 25 vjetëve e deri në këtë ditë të daljes së "Botës sot", ende është imagjinare të pretendojmë se ekziston ndonjë medie tjetër e pavarur në Kosovë, dhe kjo është fatkeqësi politike për botën shqiptare. Sa është media e pavarur, varet nga shkalla e emancipimit të pluralizmit në një periodë të caktuar historike edhe në vende të ndryshme të botës, që ku më pak, e ku më shumë, opinioni asnjëherë nuk mund të çlirohet krejtësisht nga frustrimi i "kontrollimit të hekurt" të organizimeve thjesht politike. Vetëm "Bota sot" jetoi dhe mbijeton edhe sot në saje të lexuesit të saj, e papërkrahur nga askush, që do të thotë - e pavarur, që do të thotë - nuk pranon të varet nga askush që politikën kombëtare e vë mbi bazat e politikës së interesave të ngushta partiake dhe të luftës së paskrupullt për pushtet.

Pavarësisht trysnive të cilave nuk iu shmangen dot as simotrat më të famshme perëndimore, në epokën e teknologjive të sofistikuara informative, edhe portali "Bota sot" vazhdon të jetë sot më i suksesshmi i të gjithë portaleve shqiptare. Përvoja çerekshekullore, përkushtimi dhe besnikëria ndaj parimeve të larta që e përcaktuan fizionominë e saj që në fillimet e hershme, janë shtyllat e fuqishme mbi të cilat ajo e mbështet të ardhmen e saj.

Para 25 vjetëve, kur u botua "Bota sot", ndodhi refuzimi kundër një shteti okupator dhe ndodhi organizimi paralel i një shteti që kishte vetëm liri politike (Republika e Rugovës). Ishte kohë e vështirë kur kujtonin se pavarësia mediale mund të bëhej rrezik apozicional që do të dilte jashtë kontrollit të platformave politike asohere kategorikisht të standardizuara. Por Rugova nuk bënte organizim partiak, siç e kuptonin kundërshtarët e tij, por bënte kushtrim nacional, i gjithë kombi ishte në krahun e tij. Rezistenca paqësore e Rugovës dhe lufta e UÇK-së nuk mund të kuptohen si opozitë joparimore e çdo lloj organizimi politik të asokohshëm, se këto lëvizje nuk ishin politike, por ishin lëvizje nacionale, gjithëkombëtare.

Midis të gjitha këtyre ngjarjeve historike, "Bota sot" bëri përpjekje për "emancipimin e demokracisë" edhe në Shqipëri, i cili emancipim po farkohej dhembshëm në konfliktin e papajtueshëm midis forcave retrograde enveriste dhe demokracisë evropiane që po mësonte abetaren e saj nacionale.

Ku ishte "Bota sot" në këtë histori të stuhishme shqiptare të 25 vjetëve të fundit? Ishte aty ku është edhe sot, e kritikuar ashpër nga kurset majtiste politike, dhe e lavdëruar deri në qiell nga qindra mijë lexues të saj, që në "Botën sot" shihnin dhe shohin rrugën drejt pavarësisë definitive të shqiptarëve si komb, pajtimin definitiv kombëtar, realizimin e idealeve shekullore. E kritikuar dhe e lavdëruar, por kurrë e ndihmuar, ashtu si u ndihmuan të gjitha mediat e tjera në Kosovë dhe në Shqipëri, "Bota sot" mbeti gazetë kombëtare, sepse e ka krah vetëm popullin e jo proveniencat politike partiake apo pushtetare, qofshin ato opozitë ose pozitë. "Bota sot" është e të gjithë atyre që më shumë se nga përkatësitë partiake, nuk heqin dorë nga përkatësia nacionale.

E vetëdijshme se sfidat e sotme nuk janë më të lehta dhe më pak serioze se sfidat e shkuara, e vetëdijshme se sfidat e së ardhmes nuk do të jenë më të vogla dhe më pak të rënda se sfidat e sotme, "Bota sot" do të vazhdojë përkushtim të lartë edhe në të ardhmen. Ato kanë veçanësitë e tyre, ngjashmëritë dhe ndryshimet e tyre në trojet tona kombëtare e diasporë, por kanë një të përbashkët - janë sfida shqiptare. Ato janë sfida të rritjes sonë, prandaj janë të mbarsura me rreziqe aq sa edhe me shpresa. "Bota sot" do të tregojë përgjegjshmëri të lartë edhe në të ardhmen.

"Bota sot" asnjëherë nuk e ndaloi lirinë e fjalës së çdo shqiptari të vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat