Kreu i Vatrës: Ditët e zeza për shqiptarët kanë përfunduar, ja çka na tha Grenell - Bota Sot
Kreu i Vatrës: Ditët e zeza për shqiptarët kanë përfunduar, ja çka na tha Grenell

Aktuale

Kreu i Vatrës: Ditët e zeza për shqiptarët kanë përfunduar, ja çka na tha Grenell

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 22:36
Elmi Berisha, Richard Grenell

Takimi i Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është anuluar por shtyrë për një datë të re.

Kreu i Vatrës, Elmi Berisha, në një lidhje me skype për Ora News nga SHBA tha takimi i ri pritet të ndodhë shumë shpejt dhe në fokus të tij do të jetë zhvillimi ekonomik.

Berisha: Anulimi i takimit ka gjetur mirëkuptim nga Grenell dhe administrata Trump. Duhet të bëhet një kordinim i ri.Takimi besoj se do të realizohet shumë shpejt në të ardhmen e afërt.Në bisedimet me Grenell dhe kryeministrin Hoti jam siguruar se takimi do të bëhet shpejt, ne e mirëpresim takimin sepse nuk ka të bëjë fare me propagandat dhe fabrikimet  që janë shpërndarë kohët e fundit nga ata që nuk e duan Shqipërinë dhe Kosovën. Ky takim nuk do të ishte as i pari dhe as i fundi në Shtëpinë e Bardhë.Substanca e takimit është ekonomike dhe duhet menduar si të shkohet përpara me një mini marshall-plan që do të ndryshonte jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Duke folur rreth takimit online që komuniteti shqiptaro-amerikan pati me Ambasadorin Grenell, Berisha foli për premtime të mëdha nga i dërguari i posaçëm i ShBA-së për të drejtuar dialogun Kosovë-Serbi.

Berisha: Dje kishim një takim të mirë me Grenell, kemi marrë disa premtime të mëdha dhe jemi pajtuar me cilësinë dhe mënyrën e ndërsjelltë të bashkëpunimit mes Vatrës dhe administratës Trump. Unë dhe Vatra kemi besim të madh dhe besojmë se duke bashkëpunuar me administratën Trump shqiptarët gjithmonë do të triumfojnë dhe do të ruhet interesi i tyre. Për Kosovën,Grenell na siguroi se asnjëherë më parë Trump apo Grenell nuk kanë biseduar rreth ndarjes së Kosovës apo korrigjimit të kufijve. Është një fabrikim.

Berisha deklaroi se nuk do të lejojnë një status-quo.

Berisha: Kemi kërkuar që Amerika të vazhdojë, administrata të mos ndalojë gjatë procesit. Ne duhet të kordinohemi me Prishtinën dhe Tiranën dhe të jemi aty kur takimi të bëhet, mos të humbim kohë. Nuk do të lejojmë ne status-quo.

Ai u shpreh besimplotë që SHBA do të të insistojë që Kosova të lëvizë drejt Kombeve të Bashkuara.

Berisha: Ambasadori ka një përvojë të bujshme në Kombet e Bashkuara dhe politikat ndërkombëtare. Kemi biseduar rreth planit sesi Kosova të mos pengohet nga Rusia dhe Serbia pë anëtarësim në OKB. Këto janë plane të dyta pas atyre ekonomike. Shtëpia e Bardhë besoj se do të insistojë që Kosova të lëvizë drejt Kombeve të Bashkuara me mirëkuptimin e serbëve dhe rusëve.

Daniel Serwer, ekspert i Ballkanit në SHBA thote se “nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli nuk japin dorëheqje, Kosova do të përballet me sfida të tjera”.

Por Berisha thotë se ditët e vështira dhe të zeza për shqiptarët kanë përfunduar njëherë e mirë.

Berisha: Aspak. Një pjesë e dhimbjeve vjen dhe nga Specialja në Hagë që kërkojnë ta ngatërrojnë viktimën dhe agresorin. Vetëm kjo pjesë është e dhimbshme, sa i përket ditëve jo të mira për Kosovën nuk qëndron. Kanë përfundu njëherë e përgjithmonë ditët e vështira dhe të zeza për shqiptarët. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë dhe vetëm do të përparojnë dhe ecin përpara. Këto janë mendime personale të njerëzve por edhe tendencioze pavarësisht se kush i thotë. Uashingtoni nuk do të ndryshojë substancën drejt zhvillimeve në Ballkanin Përëndimor dhe posaçërisht marrëdhënieve vëllazërore dhe të përhershme me Shqipërinë dhe Kosovën.Enigma e disa ekspertëve që Kosova do të jetë më keq se është sot është propagandë. Kosova do të ecë përpara dhe do të jetë një vend i integruar sëbashku me Shqipërinë, Kosova do të ketë integritetin e saj territorial dhe do të ndihmohet fuqishëm nga SHBA.

Video KËTU.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat