Kusari: Masat e reja nuk japin efekt të duhur

Aktuale

Kusari: Masat e reja nuk japin efekt të duhur

Nga: E.R Më: 7 korrik 2020 Në ora: 13:14
Mimoza Kusari Lila

Deputetja e Vv-së, Mimoza Kusari – Lila, ka shkruar për vlerën e jetës dhe humbjen e saj nga Covid-19.

"Masat e reja të prezantuara ditë më parë, që në start tregojnë fatkeqësisht që as nuk janë menduar mirë dhe as efekt të duhur nuk mund të japin", ka shkruar Kusari në Facebook, transmeton ''Bota sot''.

Ajo tha se qasja e shtetit ndaj pacientëve, qytetarëve të vet, humanizohet kur trajtohen rastet me ndjeshmërinë e vlerës së jetës dhe respektit ndaj saj.

Postimi i plotë në Facebook

Vlera e jetës dhe humbja e saj nga Covid - 19

Numri i madh i të infektuarve çdo ditë e më shumë tregon seriozitetin e situatës së pandemisë dhe rrezikun për shëndetin publik në Kosovë.
Masat e reja të prezantuara ditë më parë, që në start tregojnë fatkeqësisht që as nuk janë menduar mirë dhe as efekt të duhur nuk mund të japin.

Përveç numrit të infektuarve në rritje, është rritur edhe numri i vdekjeve nga Covid - 19.
Këtu po ndodh paradoksi i llojit të vet.
Në pothuajse të gjitha raportimet publike, përfshirë ketu IKShPK-në, në njërën anë thuhet se kanë vdekur edhe kaq qytetarë e që të gjithë "... kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese", kurse, në anën tjetër thuhet: "Virusi vret!"

Kjo mënyrë e komunikimit me publikun nuk e ngrit vetëdijen qytetare për rrezikun. Kjo, më parë, vetëm sa na ngushëllon që pasi të kemi vdekur nga COVID-19, me siguri paskemi pasur edhe sëmundje të tjera! Mbi të gjitha, thua se aludohet që këta që vdiqën në korrik, edhe ashtu do të vdisnin në gusht?
E trishtueshme kjo gjendje anti-humane e amorale në të cilën po na sjell si shoqëri kjo qeveria koti. Mbase për qeverinë koti, jeta e qytetarëve është po ashtu kot?

Qasja e shtetit ndaj pacientëve, qytetarëve të vet, humanizohet kur trajtohen rastet me ndjeshmërinë e vlerës së jetës dhe respektit ndaj saj.
Tregohen storiet e suksesit edhe për jetërat e shpëtuara por edhe ndjeshmëria e Qeverisë për shëndetin publik.
Fatkeqësisht, çfarëdo këshille për këtë qeveri është e kotë sikur edhe vetë kotësia e funksionimit të saj.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat