Shqetësuese: Shumica e pacientëve me COVID-19 në QKUK janë raste me oksigjenoterapi - Bota Sot
Shqetësuese: Shumica e pacientëve me COVID-19 në QKUK janë raste me oksigjenoterapi

Aktuale

Shqetësuese: Shumica e pacientëve me COVID-19 në QKUK janë raste me oksigjenoterapi

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 19:18
QKUK

Rreth 60% e rasteve që janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së, e që janë pozitive me Covid-19, janë raste me oksigjenoterapi.

Sipas drejtoreshës së Klinikës Infektive, situata me pandeminë tashmë është shqetësuese, dhe se janë duke punuar me kapacitete të plota.

Në hapësirat e SHSKUK-së, përfshirë edhe spitalet rajonale, gjatë të enjtes janë trajtuar 268 pacientë me Covid-19. Prej tyre 166 në klinikat e QKUK-së dhe 102 në shtatë spitalet e përgjithshme.

E në Klinikën Infektive janë gjithsej 100 raste, prej tyre 61 me oksigjenoterapi, 2 raste më të komplikuara në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike.

Këtë të mërkurë Kosova ka shënuar përsëri shifra rekorde të të infektuarve, me 214 raste të reja me koronavirus, dhe 4 persona të vdekur, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 86, e që, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, përveç infektimit me Covid-19 kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Rritja e numrit të të infektuarve javëve të fundit bëri që Kosova të futet në listën e vendeve me rrezik të lartë për përhapjen e koronavirusit për shumë shtete. Përveç Zvicrës e Gjermanisë, tashmë edhe Italia ka vendosur që personat të cilët e vizitojnë Kosovën të karantinohen për 14 ditë. Derisa shtetet e rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia, e kanë bërë të obligueshme testin negativ për Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes Facebookut, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për test vështirëson qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve.

Ndërkohë numri i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 4 mijë e 100, e nga 1 e deri më 7 korrik, përmes pikave kufitare në Kosovë, kanë hyrë mbi 500 mijë persona.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat