Ti bashkojmë kapitalet e fuqishme të Diasporës dhe t’ua hapim dyert e t’iu krijojmë hapësira për investime në shtetet e viset shqiptare

Aktuale

Ti bashkojmë kapitalet e fuqishme të Diasporës dhe t’ua hapim dyert e t’iu krijojmë hapësira për investime në shtetet e viset shqiptare

Nga: Ramiz Lushaj Më: 21 korrik 2020 Në ora: 17:06
Lulzim Basha dhe dr. Naim Dedushaj

1.

Kryetari i Partisë Demokratike e i Opozitës së sotme në Shqipëri, z. Lulzim Basha, po kryen një vizitë pune  disaditore në Republikën e Kosovës, në këtë vend shqiptarie me të cilin e lidhin genet e gjakut familjar, të atdhetarisë e qytetarisë shqiptare, pasi është nip i Kosovës (i Drenicës martire të Adem Jasharit); në kryeqytetin e shtetin e saj në vitet 2000-’04 nisi kariera e tij juridike e politike si lidership i kohës; është “Qytetar Nderi” i Prishtinës, i Mitrovicës e i Deçanit. Ai është rrit me dashurinë e krenarinë për Kosovën dardane, dhe prej lidhjeve familiare, e veçmas ato me tezakun e tij, shkrimtarin e shquar, “Balzakun shqiptar”, Sulejman Krasniqi i Rahovecit të Rrafshit të Dukagjinit, po i madh dhe i vecantë është kontributi i tij për Kosovën, për Pavarësinë e Shtetësinë e saj, për njohjet e integrimet ndërkombëtare të saj, në kohën kur ishte i 47-ti Ministër i Jashtëm i Shqipërisë (2007-’09) dhe tani, në këto mëse 7 vitet e fundit, si lider i Opozitës.

Lidershipi i Opozitës në Shqipëri, z. Lulzim Basha, po e kryen këtë vizitë në shtetin e ri të Kosovës, në të dytin shtet shqiptar në Ballkan, në një kohë me randësi e vështirësi të mëdha gjeostrategjike të dialogut e negociatave Kosovë-Serbi; të situatës së fatkeqësisë natyrore Covid-19; të çështjeve hagiane; të zhvillimeve ekonomike e politike të Kosovës, etj.

Në këtë vizitë pune Kryetari Demokrat Basha ka një ekip përfaqësues të nivelit të lartë politik, diplomatik e shoqëror, me nënkryetarin e parë të PD-së, z. Edi Paloka, nga të parët veprimtarë mediatik e politik të kësaj partie (prej nga Viti ’90); nga ish Ministri i Jashtëm i Shqipërisë (2005-’07), ambasador Besnik Mustafaj, kryetar aktual i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mik i kahershëm i Presidentit Rugova, me një kontribut të madh në Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, i Shtetësisë e Integrimeve të saj Euro-Atlantike, etj.

2.

Gjatë Vizitës së Tij në Kosovë, lidershipi Basha, kreu takime me personalitetet ma të larta të Kosovës: me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi; Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani; me Kryeministrin e Kosovës, z. Avdullah Hoti; me Kryetarin e Vetëvendosjes, z. Albin Kurti - ish kryeministër; me nënkryetarin e LDK, z. Agim Veliu - ministër i  Punëve të Brendshëm të Kosovës (pasi kryetari Mustafa gjendet na garantim nga Covid-19); me Kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, gjeneral e dy herë kryeministër i Kosovës; me kryetarin Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, ish Kryetar i Kuvendit të Kosovës; me kryetarin e Partisë “Nisma per Kosoven”, z. Fatmir Limaj; me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Shpend Abazi dhe atë të Komunës së Mitrovicës, z. Agim Bahtiri.

Kryetari Basha, gjatë kësaj vizite pune, në paraditen e sotme, bani homazhe dhe tek Varri i Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe në Boletin të Mitrovicës, tek Varri i Heroit të Popullit, Isa Boletini i Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës.

Një tjetër takim i randësishëm i kësaj Vizite e Dite Pune, me 21 korrik 2020, ishte dhe Takimi me Drejtorin Ekzekutiv të Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, dr. Naim Dedushaj, në mikpritje në zyren e Rrjetit të Bizneseve, në Swiss Diamond Hotel Prishtina, në kryeqytetin  Kosovës, në Prishtinë.

Dr. Naim Dedushaj është ideator, nismëtar e bashkëthemelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, prej nga viti 2014, i cili ka një përvojë të gjatë e të mirë pune në veprimtarinë e tij kombëtare për Kosovën e Kombin Shqiptar. Në Vitet ’90 (prej nga 1992 deri më 1999) ishte Drejtor Ekzekutiv i Zyrës së LDK-së në Amerikë, të cilën dr. Rugova e cilësonte “Ambasada e Kosovës në SHBA”. Gjatë kësaj kohe z. Dedushaj ka lobue shumë, me histori suksesesh, në Kongresin Amerikan, në Senatin Amerikan, në Shtëpinë e Bardhë, etj. Pas Lirisë së Kosovës, pas Vitit ’99, z. Dedushaj është ndër kontributorët zyrtarëlartë të themelimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme e disa ministrive të tjera.

Dr. Naim Dedushaj e mbrojti gradën shkencor “Doktor” në Universtetin e Tiranës, në vitin 2014, por është dhe autor i disa librave të botuar suksesshëm, si “SHBA dhe fati i Kosovës: Rezolutat e diskutuara e aprovuara nga Kongresi Amerikan” (Prishtinë, 2000), “LDK-ja në SHBA: Historia e një Lëvizje” (New York, 2000), etj.

Dr. Naim Dedushaj e ka gjyshin e tij, Jahë (Cung) Tahir Dedushaj,  “Martir i Kombit”, është nipi i tjetrit “Martir i Kombit”, Isuf Zymer Dedushaj; kushëri i Bajram Mus Dedushaj - “Dëshmor i Atdheut” (në Shqipëri) e i Jeton Dedushaj- “Dëshmor i Kombit” (në Kosovë), vllau i prof. dr. Isuf Dedushaj, epidemiologu i parë i Kosovës, të cilin kohët e fundit media shqiptare e kanë cilësue dhe “gjeneral në luftën kundër Covid-19”.

3.

Kryetari i Partisë Demokratike e i Opozitës në Shqipëri, ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe ish-Kryebashkiaku i Tiranës, z. Lulzim Basha, ndau me dr. Naim Dedushaj, kënaqësinë e tyre të takimit të përbashkët, si dy miq të kahershëm, si dy bashkëluftëtarë politik e diplomatik, si misionarë atdhetarë të përhershëm të zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë e Kosovës, të Kombit Shqiptar.

Dr. Naim Dedushaj- Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, gjatë këtij takimi zyrtar të përzemërt, e falënderoi Kryetarin e PD-së e Opozitës në Shqipëri, z. Lulzim Basha, për vizitën e tij në zyrën e tyre; e njohu me ecurinë e arritjet e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë; me disa tematika, problematika e procese demokratike, politike, diplomatike lidhur me zhvillimet e integrimet në Kosovë e në Rajonin Ballkanik Shqiptar.

Fokusi e spektri kryesor i bisedës së tyre të përbashkët ishte Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në këto vitet e fundit, që shtrihet në mbi 25 shtete dhe përfshin mbi 10 mijë biznese në të gjitha kontinentet nga Amerika në Australi, Europë, Turqi, etj. që ka për President z. Nazar Mehmeti me vendbanim në SHBA; Sekretar i Përgjithshëm z. Ismet Smajli nga Teksasi i Amerikës; z. Elmi Berisha- Kryetar për Amerikën, z. Artan Llabjani- Kryetar për Europën etj.

Kryetari i PD e Opozitës në Shqipëri  z. Lulzim Basha dhe Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, dr. Naim Dedushaj në Prishtinë, ndanë së bashku të njëjtat ide, pikëpamje e qëndrime lidhur me: a).- Investimet kapitale të Diasporës Shqiptare në Kosovë, Shqipëri e në viset shqiptare në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, në krejt Rajonin Ballkanik Shqiptar, krijimin e hapësirave e garancive ligjore e mjedisore për zhvillimin e bizneseve të tyre, duke pasë bashkëpunime të mira e jo pengesa gjithfarëshe; b)- Bashkimin e forcës së madhe ekonomike të Diasporës Shqiptare në Botë; c).-Promovimi emrit të Shqipërisë e të Kosovës, të Kombit Shqiptar; të vlerave, produkteve, visareve kulturore në të gjithë botën, edhe nga biznesmenët shqiptarë, por dhe nga të shquarit e artit, letërsisë e kulturës shqiptare, të diplomacisë shqiptare, që të rritet numri i “Ambasadorëve të Kombit” në Botë; 4).- Qeveritë Shqiptare në Shqipëri e në Kosovë duhet të hartojnë plane afatgjata për investime kapitale të Diasporës, të Bizneseve të tyre, në shtetet tona shqiptare e ballkanike, euro-atlantike.

Zoti Basha, në emër të PD e të Opozitës në Shqipëri e faleminderoi dr. Naim Dedushaj për mikpritjen e paraqitjen e ideve e platformës së tij për Diasporën (që i trajton dhe në librin e doktoraturës së tij për Diasporën Shqiptare); për arritjet e shembullin e mirë të Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, si një përvojë që duhet të studiohet e përvetësohet edhe në Shqipëri, të thellohet e lartësohet edhe në Kosovë; të bashkohen forcat ekonomike e financiare të Diasporës, bizneset e tyre traditore e të fuqishme, kapitalet e tyre vetiake dhe t’iu hapim dyert, t’iu krijojmë të gjitha hapësirat e duhura për të investuar në vendlindjet e tyre, në shtetet shqiptare, në viset shqiptare, pasi shembuj të botës flasin se diasporat i kanë ndihmuar e zhvilluar vendet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat