​Komisioni Hetimor për pandeminë kërkon dokumentacione të vendimeve që janë marrë nga 13 marsi

Aktuale

​Komisioni Hetimor për pandeminë kërkon dokumentacione të vendimeve që janë marrë nga 13 marsi

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 14:15
Komisioni Hetimor

Anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar për Menaxhimin e pandemisë po kërkojnë dokumentacione të vendimeve që janë marrë nga Ministria Shëndetësisë prej fillimit të paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë. Deri më 15 gusht, ky komision në mbledhje do të ftojë në raportim ish-sekretarin, stafin përgjegjës dhe ministrin e Shëndetësisë.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se do të ishte mirë, që të kenë të ftuar së paku 3-4 zyrtarë. Ndër të tjera, ajo tha se janë të rëndësishme edhe dokumentacionet.

Kusari-Lila: Ne duhet të kemi materiale

“Ne duhet të kemi këto materiale, shpresoj që më së largu deri ditën e hënë, nëse ka mundësi të sigurohet lista dhe gjegjësisht materiale të skenuara deri ditën e hënë, javën e ardhshme…Dhe pastaj dakordohemi të mërkurën e bëjmë listën e dëshmitarëve të parë. ”, ka thënë Kusari-Lila.

Edhe anëtari i këtij komisioni, Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së, e ka vlerësuar si të rëndësishme shqyrtimin e vendimeve që janë marrë gjatë kësaj kohe nga ministria e Shëndetësisë. E që sipas tij është e rëndësishme edhe deklarata e prindit të të riut, Agon Musliu, i cili vdiq gjatë kohës sa po qëndronte në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Haxhiu: Deklarata e prindit të Agon Musliut është e rëndësishme

“Nuk pajtohem që prej listës së dëshmitarëve është hjekur babai i Agon Musliut, sepse ky komision ka filluar me rastin e vdekjes së të riut Agon Musliu në karantinë. Unë konsideroj që deklarata përpara komisionit e prindërit të tij rreth rastit të Agon Musliut është e rëndësishme për këtë komision parlamentar… Disa prej dokumenteve që neve na duhen ne mundemi tani me i kërkua”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka propozuar që të kërkohen lista e qytetarëve që kanë hyrë në Kosovë nga koha kur janë bllokuar kufijtë deri në hapjen e tyre, dhe dokumentacione të tjera të prokurimit që janë kryer gjatë kohës së pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat