Profesori tregon zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, përmend qëllimin e vërtetë të BE-së

Aktuale

Profesori tregon zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, përmend qëllimin e vërtetë të BE-së

Nga: M.H Më: 13 gusht 2020 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

Profesori universitar Milazim Krasniqi përmes një postimi në facebok ka shkruar përsëri në lidhje me konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi shkruan për një zgjidhje për këtë konflikt mirëpo sipas tij pikërisht këtë zgjidhje po e përjashton BE-ja, transmeton “Bota sot”.

Përmes këtij shkrimi Krasniqi arsyeton që të gjitha zgjidhjet që po iu ofrohen Kosovës janë të gabuara dhe se e vetmja zgjidhje do të ishte anëtarësimi i përshpejtuar dhe në pako i Kosovës dhe i Serbisë në Bashkimin Evropian, por BE-ja këtë mundësi të vetme, nuk e fut fare në hesap. Meqë nuk e pranon, kjo definitivisht do të thotë se Bashkimi Evropian nuk don zgjidhje të plotë e të qëndrueshme të problemit, shkruan Krasniqi.

Postimi i plotë

KA VETËM NJË ZGJIDHJE PËR KONFLIKTIN, POR BE-ja PIKËRISHT ATË ZGJIDHJE E PËRJASHTON
Problemi i Kosovës nuk zgjidhet kurrë me përpjekje që bazohen në plane të gabueshme, sikundër që janë duke bërë drejtuesit e Kosovës e të Serbisë dhe burokratët e Brukselit. Përpjekjet e deritashme thjesht janë të dështuara dhe kurrrë nuk do të ofrojnë zgjidhje të plotë e të qëndrueshme. Pra, as bashkësia e komunave serbe, as korrigjimi i kufirit, as shkëmbimi i territoreve, as bashkimi me Shqipërinë, as “marrëveshja gjithpërfshirëse e obligueshme” nuk ofrojnë zgjidhje të plotë të konfliktit ndërmjet Kosovës e Serbisë. Mund të ofrojnë ndonjë zgjidhje parciale, sa për të larë akterët duart, por zgjidhjet e atilla do ta përkeqësonin raportin edhe më shumë në ndonjë segment tjetër në të ardhmen. T’i shohim me radhë:
1. Formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e ofron një zgjidhje parciale për serbët, por e bën shtetin disfunksional dhe i ashpërson raportet ndërmjet shqiptarëve e serbëve, deri në revanshizëm. Entiteti serb do të tërhiqte në kahen e kundërt me atë nga do të synonte të lëvizte shteti i Kosovës. Kjo për arsyen e thjesht: ajo bashkësi formohet si refuzim ndaj shtetit unitar, si opozitë ndaj shtetit. Herët e vonë, reagimi i shumicës shqiptare do të ishte i pashmangsëm, sepse do ta ndienin se mbahen peng nga pakica, e cila ka synime bllokuese, bile edhe armiqësore ndaj shtetit. Prandaj, bashkësia e komunave me shumicë serbe e me kompetenca ekzekutive, ofron një zgjidhje parciale, por e cila më vonë do të shndërrohej në tharm të konflikteve të reja ndëretnike.
2. Korrigjimi i kufirit do të ishte spastrim etnik, sepse do të shkulte me rrënjë nga vendlindjet e veta ata banorë që do të ngryseshin në një shtet e do të gëdhiheshin në një shtet tjetër, i perceptuar si armiqësor ndaj tyre. Serbët e Bujanocit, fjala vjen, do të gëdhinin si shtetas të Kosovës, duke u shkëputur nga Serbia. Nuk ma merr mendja se ky ndryshim do të mund të kalonte pa rebelimin e tyre, i cili mund të shndërrohej lehtë në konflikt ndëretnik. Qejfi i Rusisë do të ishte një zhvillim i tillë, sepse nga Qendra Humanitare Ruse që është aktive në Nish, në Bujanoc e në gjithë Luginën e Preshevës mund të ndërhyhet edhe me bahe, e jo më me satelitët rusë.
3. Shkëmbimi i territoreve, ose “razgranicenje” sikundër e kërkon Vuçiqi, pashmangshëm do të shkaktonte luftë të armatosur, me involvimin e Rusisë (për të mbrojtur Qendrën e vet në Nish dhe resurset e Gaspromit në jug të Serbisë.) Një konflikt i tillë do të ishte “shi në kallamoq” edhe për organizata të ndryshme joshtetërore, që do të financoheshin nga shtete që e sponsorizojnë terrorizmin. Versioni i tragjedisë siriane në Kosovë në atë rast do të ishte i paevitueshëm. Në fakt, Vuçiqi këtë e ka në mendje, sado që deklaron se është për zgjidhje paqesore.
4. Bashkimi me Shqipërinë automatikisht do ta shtynte veriun e Kosovës drejt ndarjes dhe rebelimin e armatosur të serbëve në brendësi të Kosovës, gjithsesi të sponsorizuar nga Rusia dhe nga Kisha Ortodoske Serbe.
5. “Marrëveshja gjithpërfshirëse e obligueshme” do të mundësonte një modus vivendi, pa e njohur Serbia Kosovën, po që Serbisë do t’i hapte rrugën të anëtarësohej në BE. Në atë rast Serbia do të gjendej në pozitë, që t’i revanshohej Kosovës, duke e bllokuar anëtarësimin e saj në BE. Në këtë qëndrim ajo do të ishte e mbështetur nga Rusia dhe nga pesë shtetet e BE-së, që nuk e njohin Kosovën. Marrëveshja nuk do të paraqiste obligim për shtetet, që nuk e njohin Kosovën, veçmas për Spanjen.
Me një fjalë, këto ide e plane të gabueshme, thjesht nuk ofrojnë zgjidhje të konfliktit. (Sikur ta kishin lexuar këta negociatorë dhe ndërmejtësit e tyre qoftë dhe vetëm një tekst të Karl Poperit, lidhur me procesin e mendimit logjik/ shkencor, do ta kishin kuptuar se thjesht janë duke rrahur ujë në havan. Pse? Poperi pohon se hipotezat e gabueshme, gjithmonë japin rezultatte të gabueshme, prandaj ato nuk duhet të mbahen, ato duhet të eliminohen dhe të mbahet vetëm ajo sprovë që ofron zgjidhje.)
Atëherë a ka ndonjë zgjidhje, a ka ndonjë sprovë që ofron zgjidhje në rastin e Kosovës? Në rastin e Kosovës ka vetëm një zgjidhje: anëtarësimi i përshpejtuar dhe në pako i Kosovës dhe i Serbisë në Bashkimin Evropian, do të mundësonte zgjidhjen graduale e problemit brenda BE-së, me standardet e me procedurat e BE-së. Kurrqysh ndryshe. Por BE-ja këtë mundësi të vetme, nuk e fut fare në hesap. Meqë nuk e pranon, kjo definitivisht do të thotë se Bashkimi Evropian nuk don zgjidhje të plotë e të qëndrueshme të problemit. Meqë Bashkimi Evropian nuk e don zgjidhjen e plotë e të qëndrueshme për konfiktin ndërmjet Kosovës e Serbisë, atëherë as mos të ankohet si fëmijë çaramanë për ripenetrimin e Rusisë në Ballkan, pasi vetë Bashkimi Evropian ia ka lënë hapësirën e lirë për penetrim e mbase edhe për ta rikthyer influencën dominuese që kishte dikur Rusia pansllaviste në këtë rajon. (29 shtator 2018)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat