Mjeku rezultoi me COVID, ende nuk përfundon procesi i autopsisë për 7-vjeçaren

Aktuale

Mjeku rezultoi me COVID, ende nuk përfundon procesi i autopsisë për 7-vjeçaren

Më: 20 gusht 2020 Në ora: 16:14
Mjeku rezultoi me COVID, ende nuk përfundon procesi i autopsisë për 7-vjeçaren

Edhe pas dy javësh, ende nuk është dorëzuar autopsia e vajzës 7-vjeçare e cila vdiq në mëngjesin e 3 gushtit në ordinancën “Poliklinika CT Scanner” në Prishtinë. Në pritje të raportit të autopsisë janë edhe Inspektorati Shëndetësor në mënyrë që të kryhen të gjitha hetimet për vdekjen e dyshimtë të vajzës.

Autopsia e vajzës edhe pse e përfunduar, ende nuk është dorëzuar meqë duhet edhe disa analiza të nevojshëm në mënyrë që të përfundojë i tërë procesi.

E kjo ka ngecur meqë, mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni i cili do të merrej me rastin ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Doktori Valon Hyseni ka treguar për KosovaPress se ende nuk është dorëzuar autopsi meqë duhet të bëhen edhe disa analiza të nevojshme.

“Unë jam me COVID dhe jam i izoluar dhe deri javën e ardhshme nuk do të dalë në punë. Ka përfunduar autopsia, por atë ditë kam rezultuar pozitiv. Autopsia ka përfunduar por tani jemi në cikël të analizave. Ende nuk e kemi dorëzuar në Inspektoratin Shëndetësor sepse ende nuk janë kryer gjitha analizat e nevojshme, posa të përfundojmë do ta dorëzojmë”, tregoi ai.

Ndërsa, nga Inspektorati Shëndetësor përmes përgjigjeve elektronike kanë thënë për KosovaPress se i kanë kryer inspektimet por që janë duke grumbulluar ende deklarata dhe së shpejti do të jetë gati raporti përfundimtar i të gjeturave të Inspektoratit.

“Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektimin, janë duke u grumbulluar deklaratat e gjithë stafit te institucionit në fjalë. Së shpejti do të jetë gati edhe raporti përfundimtar me të gjeturat nga inspektimi”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Shëndetësor.

Po ashtu Inspektorati kanë thënë se janë në pritje të raportit të autopsisë.

Ditën kur 7-vjeçarja ndërroi jetë pasi kishte bërë fotografimin e kokës në ordinancën private, KosovaPress kishte kontaktuar me axhën e së ndjerës.

T.H pati hedh dyshime se mbesa e tyre ka ndërruar jetë nga mbi doza e anestezionit.

“Vajzën e kanë dërguar prindërit e saj sot në një ordinancë private ne lagjen ‘Ulpiana’ për të bërë rezonancë magnetike. Ne dyshojmë se ka vdekur si pasojë e mbi dozës së anestezionit. I kanë dhënë fillimisht por gjatë kohës ka qenë duke e bërë rezonancën, ajo është zgjuar dhe pastaj i kanë dhënë mbi dozë. Është dërguar në Klinikën Emergjente, dhe për tri orë është provuar që të kthehet në jetë, po pa sukses”, kishte treguar ai për KosovaPress.

Ndërsa Policia e Kosovës kishte hapur rast si vdekje e dyshimtë.

Ndërkaq, mjeku i kësaj klinike Arben Kutllovci kishte shprehur keqardhje për këtë rast derisa kishte thënë se familjarët kishin kërkuar që rezonanca magnetike të bëhet me anestezion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat