Në Washington s’diskutohet për njohje reciproke Kosovë-Serbi, kjo do të jetë kryetema

Aktuale

Në Washington s’diskutohet për njohje reciproke Kosovë-Serbi, kjo do të jetë kryetema

Më: 23 gusht 2020 Në ora: 19:44
Shtëpia e Bardhë

Njohja reciproke të cilën e ka proklamuar në vazhdimësi kryeministri Avdullah Hoti, nuk do të jetë temë në takimin e 4 shtatorit në Washington, me palën serbe.

Në zyrën e nikoqirit të takimit, Robert O’Brien, i cili është Këshilltar për Siguri Kombëtare kanë thënë se ekonomia është kryetema rreth së cilës do të zhvillohen negociatat.

Definimi i rendit të ditës është përmendur si arsyeja e shtyrjes për dy ditë të takimit që ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator.

Ktv merr vesh se palëve do t’u kërkohet t’i shndërrojnë në marrëveshje letrat për shprehje të interesit në ndërtimin e autostradave dhe hapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, të cilat ishin arritur në mars të këtij viti, nën ndërmjetësimin e emisarit amerikan, Richard Grenell.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyout, ka thënë se besojnë që përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes.

“Bisedimet u shtynë për dy ditë nga 2 shtatori për shkaqe të agjendës. Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti. Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë këtu krijimi i vendeve të punës dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes”, ka thënë O’Brien, Zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-s.

Në qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar për temat që do të diskutohen në takimin e Washingtonit.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që përmendi mundësinë e shtyrjes së takimit pasi, siç ka thënë ai, ka indikacione se nëse ndodh diçka e rëndësishme, në takim do të marrë pjesë edhe presidenti Donald Trump. Zyra e Këshillit të Sigurisë nuk ka ofruar ndonjë përgjigje, kur është pyetur rreth mundësisë së pjesëmarrjes në takim të Trumpit.

Muaj më parë, Përfaqësuesi Special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi ka paralajmëruar se versioni kinez i “Mini-Schengenit” për krijimin e një zone ekonomike synohet të aplikohet edhe në rastin Kosovë-Serbi.

Por, takimi i ftuar nga Grenell më 27 qershor kishte dështuar të mbahej, pasi ishte njoftuar publikisht nga Gjykata Speciale se ndaj presidentit Thaçi është deponuar një aktakuzë për krime lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat