A po hyn në partinë e Vjosa Osmanit? Flet Shpend Ahmeti

Aktuale

A po hyn në partinë e Vjosa Osmanit? Flet Shpend Ahmeti

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 14:08
Vjosa Osmani dhe Shpend Ahmeti

Presidenti Fatmir Sejdiu, Lumir Abdixhiku, Dastid Pallaska, Dardan Sejdiu, Mimoza Kusari, Shpend Ahmeti, sipas një mediumi në Shqipëri, do t’i bashkohen Vjosa Osmanit në partinë e re. Shpend Ahmeti, Vjosës dhe “listës së saj” u uron sukses. Vetë – ka thënë se nuk i bashkohet askujt.

Syri.net, medium i gazetarit Çim Peka në Shqipëri, ka publikuar sot një listë të emrave nga politika dhe shoqëria civile në Kosovë, të cilët, sipas raportimit, do t’i bashkohen kryeparlamentares Vjosa Osmani në nismën e saj të re politike.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që është pjesë e emrave të përmendur, e ka mohuar se ai do t’i bashkohet Osmanit.

“Sigurisht që jo. Nuk do t’i bashkohem askujt”, ka thënë Ahmeti, duke i uruar sukses kryeparlamentares dhe listës në rrugëtimin e ri politik.

Ahmeti po hyn në vitin e fundit të mandatit të tij të dytë si kryetar i Prishtinës.

Ai ishte një nga themeluesit e Frymës së Re, më pas u bë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e braktisi me një grup të madh të zyrtarëve të lartë të partisë. Dy vjet më parë u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrat, e pas zgjedhjeve të 6 tetorit dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Ndërkaq lista e publikuar nga syri.net ka këta emra: ish-presidentit i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deputeti i LDK-së,  Haxhi Avdyli, deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi,  deputeti Ardian Shala, ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ish-rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, avokati Dastid Pallaska, ish-deputeti Dardan Sejdiu, kabineti i saj në Kuvendin e Kosovës. Në bisedime është edhe Mimoza Kusari, Shpend Ahmeti dhe shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe disa degë të rëndësishme të LDK-së.

Në paraqitjet e fundit para mediave, kryeparlamentarja Vjosa Osmani thotë se fati i saj në LDK është caktuar më 20 qershor, kur këshilli i kësaj partie e përjashtoi nga të gjitha pozitat për shkak të qëndrimeve të saj politike, të kundërta me vendimet e LDK’së.

Osmani, që ishte kandidate e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, kundërshtoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, të cilën e inicoi LDK’ja.

Kryeparlamentarja ka bërë të ditur gjatë kësaj jave që prej kohësh nuk komunikon me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, ndërsa ka komunikim të rregullt me liderin e VV’së, Albin Kurtin.

Zyrtarë të lartë të LDK’së, si nënkryetarët Agim Veliu e Haki Rugova e kanë mirëpritur deklaratën e Osmanit për “ndarje të rrugëve me LDK’në”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat