​“Edhe sa gra duhet të vriten që institucionet e drejtësisë t’i hapin sytë”

Aktuale

​“Edhe sa gra duhet të vriten që institucionet e drejtësisë t’i hapin sytë”

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 14:04
Aksioni simbolik

“Mos i jep zemër dhunuesit! "Sa herë po doni me na vra?, “Asnjë më”, janë thirrjet e protestuesve para Prokurorisë Speciale në Prishtinë. Rrjeti i Grupit të Grave ka kundërshtuar dënimet e ulëta të shqiptuara nga institucionet e drejtësisë. Nga këto të fundit kanë kërkuar ndihmë, dhe që të marrin seriozisht këto raste. Vetëm gjatë vitit 2020 janë vrarë gjashtë gra, për çka RrGK i quajti shifra alarmante.

Përmes një aksioni simbolik, meqë nuk është lejuar të jenë më shumë se pesë persona, është kërkuar drejtësi për secilën grua kosovare që ka përjetuar dhunë, e në rastet tragjike edhe është vrarë nga bashkëshorti. Për këto të fundit është mbajtur edhe pesë minuta heshtje. Rrjeti i Grupit të Grave ka shprehur indinjatën për gjashtë gratë e vrara gjatë këtij viti, duke kërkuar drejtësi nga secili institucion i cili bart këtë përgjegjësi.

Koordinatorja kundër Dhunës në Baza Gjinore në RrGK, Erëza Kurti tha se shifrat e vrasjeve të grave për këtë vit janë alarmante, duke shtuar se po kërkojnë ndihmë nga gjitha institucionet.

Kurti: Po kërkojmë nga prokuroria që veprat t’i kualifikojë ashtu siç janë

“Për neve kjo shifër është jashtëzakonisht alarmante dhe ne jemi duke kërkuar prej gjitha institucioneve të drejtësisë, sidomos jemi mbledhur këtu para Prokurorisë për të kërkuar ndihmë. Sepse e dimë që edhe dënimet për vrasjet e grave dhe për dhunën në familje i merr gjykata, por jemi duke kërkuar ndihmë para prokurorisë që veprat t’i kualifikojë ashtu siç janë vendosur, dhe janë bërë veprat. Kemi pasur raste që kanë ndodhur tentim për vrasje dhe janë kualifikuar si dhunë në familje. Jo, ajo nuk është dhunë në familje sepse tentim vrasja është një shkalla para vrasjes dhe ne jemi të shqetësuar deri në këtë pikë që mos ndodhë edhe vrasja”, u shpreh ajo.

Për Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës është i papranueshëm ulja e burgimit nga ai i përjetshëm në 24 vjet e gjysmë të Pjetër Ndrecajt. Ky i fundit kishte vrarë bashkëshorten, Valbonën dhe vajzën e tij dy vjet më parë. Sipas tyre, Ndrecaj nuk ka pasur asnjë rrethanë lehtësuese që t’i ulet dënimi për këtë vepër.

Kurti: Edhe sa gra duhet me u vra që policia, gjykata, prokuroria, të gjitha këto institucioneve me i hap sytë

“Ajo ishte një vrasje e dyfishtë ndaj bashkëshortes dhe vajzës, andaj do të duhej të dënohej me burgim të përjetshëm. Ku është drejtësia u themi institucioneve relevante, a është drejtësia vetëm për burrat, a është ky shtet vetëm i burrave? Edhe sa gra duhet me u vra që policia, gjykata, prokuroria, të gjitha këto institucioneve me i hap sytë. Këto shifra që janë alarmante duhet të bëhen njëjtë si për shumë specifika tjera që janë në Kosovë e që bëhen të mëdha, njëjtë duhet të marrin një jehonë edhe dhuna në familje, e pastaj edhe vrasjet e grave”, ka shtuar Kurti.

Ditë më parë Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn, për vrasjen brutale të bashkëshortes dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat