Mbahet seanca ndaj të arrestuarve në aksionin e Karaçevës

Aktuale

Mbahet seanca ndaj të arrestuarve në aksionin e Karaçevës

Më: 20 shtator 2020 Në ora: 12:11
Seanca ndaj 30 personave të arrestuar në aksionin e Policisë në Karaçevë.

(E plotësuar) - Në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka filluar seanca ndaj 30 personave që u arrestuan në aksionin e Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.

Të arrestuarit, në mesin e tyre edhe policë, kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Policët u arrestuan me dyshimin se keqpërdorën detyrën zyrtare.

Në një konferencë për media të mbajtur të shtunën, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka dhënë detaje rreth këtij operacioni. Sipas tij, Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë 35 persona, në mesin e tyre edhe 12 policë.

Po ashtu, Maloku ka njoftuar se janë konfiskuar edhe një sërë materiale të dyshimta.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, pas një hetimi të gjatë gati 1-vjeçar, ka realizuar aksion në këtë pjesë të Kosovës konkretisht në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës si dhe në rajonin e Prishtinës dhe rajone të tjera. Nga ky aksion me urdhër të prokurorisë deri më tani janë arrestuar 35 të dyshuar prej tyre 12 zyrtarë policorë, kontrabandistë e pronarë të kazinove”, ka thënë Maloku.

Po ashtu, në këtë aksion u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Ky aksion u realizua me bashkëpunim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor.

***

Në mesin e 33 personave që janë arrestuar në Karaçevë janë edhe 11 zyrtarë të Policisë së Kosovës që kryesisht shërbenin në zonën e Anamoravës, me dyshimin se keqpërdorën detyrën zyrtare. Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët, ku kanë dhënë detaje nga aksioni i parmbrëmshëm në Karaçevë. E seanca e parë dëgjimore për këtë rast pritet që të nisë vetëm pas pak çasteve.

Disa nga policët e arrestuar tashmë janë dërguar në objektin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Kujtojmë, që Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se aksioni i parmbrëmshëm në Karaçevë erdhi si rezultat i një hetimi gati një vjeçar. Aty u arrestuan 33 persona, në mesin e tyre 10 policë si dhe u sekuestruan aparate të lojërave të fatit, 120 gjedhe dhe prova të tjera materiale.

“Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale. Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat