Gjykata Kushtetuese ia jep një goditje të fortë koalicionit qeverisës

Aktuale

Gjykata Kushtetuese ia jep një goditje të fortë koalicionit qeverisës

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 13:49
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese gjatë ditës së sotme i dha një goditje të fortë koalicionit.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e deputetit Etem Arifi, i cili i është drejtuar asaj për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes të cilit ishte dënuar për mashtrim me subvencione.

“Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, të datës 30 janar 2020, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesit të kërkesës, ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 20 prill 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 20 gusht 2019”, shkruhet në njoftimin rreth vendimeve të marra nga seanca e së mërkurës.

Arifi, përmes kësaj kërkese ka pretenduar se përmes këtij aktgjykimi i ishin shkelur të drejtat. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme duke theksuar se: “Jemi afër datës e cila është caktuar që Parashtruesi të paraqitet në institucionin korrektues për mbajtjen e dënimit, e që është 04.05.2020. Caktimi i masës së përkohshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm dhe me rëndësi jetike për Parashtruesin e kërkesës”.

Ndryshe vota e Arifit u cilësua vendimtare në krijimin e Qeverisë Hoti.

Kjo i jep mundësi Kushtetueses të veprojë në çështjen tjetër të ngritur nga VV-ja për anti-kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifit për Qeverinë Hoti.

Ky është njoftimi i plotë i Kushtetueses:

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 380/2019], të datës 30 janar 2020, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruesit të kërkesës, ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [PKR.nr.740/2016], të datës 20 prill 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR.nr.328/19], të datës 20 gusht 2019.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme duke theksuar se: “Jemi afër datës e cila është caktuar që Parashtruesi të paraqitet në institucionin korrektues për mbajtjen e dënimit, e që është 04.05.2020. Caktimi i masës së përkohshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm dhe me rëndësi jetike për Parashtruesin e kërkesës”.

Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

- Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat