LAJMI I FUNDIT: Kalon Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Aktuale

LAJMI I FUNDIT: Kalon Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 06:11

(E plotësuar) - Me 64 vota për, në lexim të parë ka kaluar votimi i Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Opozita (LVV dhe PDK) në fillim të seancën kanë njoftuar se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket votimit për këtë projektligj, e se rrjedhimisht do të votojnë kundër.

Ka qenë Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi që e ka dhënë kumtin për mbajtjen e kësaj seance dhe për nënshkrimet që kanë mbledhur si mazhorancë.

Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike do t’u mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar kryeministrin Hoti për shkak të mosbashkëpunimit të tij institucional.

Ajo ka thënë se do ta votojë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, për hatër të qytetarëve të Kosovës, teksa ka theksuar se kjo qeveri e sidomos kryeministri Hoti, nuk e meriton.

***

Edhe Grupi Parlamentar i PDK-së nuk ka ndryshuar qëndrim për votimin në parim të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi Dragusha tha se GP i PDK mban të njëjtin qëndrim për ta kundërshtuar këtë projektligj.

Thaci-Dragusha: PDK s’ka ndryshuar qëndrim

“GP i PDK nuk ka ndryshuar qëndrim rreth pakos, presim ndoshta koalicioni qeverisës i ka siguruar votat. Ne kemi propozimin tonë për pako dhe vazhdojmë me të njëjtin qëndrim”, tha Thaci-Dragusha.

Kuvendi pritet në çdo moment t’i hap punimet e seancës së jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

***

Deputetët ia kanë mësyrë Kuvendit për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet për votimin në parim të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, para se të hyjë në seancë, tha për KosovaPrss se sot beson që i kanë 61 vota pro dhe do të kalojëky projektligj, sipas të cilës është shumë i rëndësishëm për vendin.

Bajrami: Shpresoj që të jenë 61 deputetët nënshkrues

“Seanca është thirrur bazuar në 61 nënshkrime të cilat i ka mbledhë shefi i GP të LDK-së Arben Gashi. Unë po besoj dhe shpresoj që të gjithë deputetët nënshkrues për thirrjen e kësaj seance sot do të jenë prezent. Për disa minuta seanca fillon, 61 deputetë kanë nënshkruar, po shpresojmë dhe besojmë. Tash me garanci nuk mund të flasim sepse dikujt mund t’i ketë ndodhë, por besojmë se do të jenë ata 61 deputetë për ta votuar ligjin”, tha Bajrami.

Nëse nuk kalon edhe sot, ministrja Bajrami tha se qeveria do të vazhdojë me implementimin e programit qeverisës dhe masave të cilat nuk janë subjekt i ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ndërsa, GP i VV-së vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë për ta kundërshtuar pakon për rimëkëmbje ekonomike.

Kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa nga VV, Hekuran Murati, tha për KosovaPress se subjekti që përfaqëson nuk do ta votojë as sot Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Murati: Nëse nuk i kanë votat kjo qeveri nuk duhet të ekzistojë

“Ne si grup tashmë i kemi shprehur qëndrimet dhe argumentet tona dhe nuk ka ndonjë ndryshim. Pra, edhe sot është hera e shtatë e shfaqjes së jo seriozitetit të kësaj qeverie.... Ky projektligj në një formë është votëbesim i qeverisë, nëse një qeveri nuk i ka së paku 61 vota aq sa kërkohet me kushtetutë, nuk do të duhej të ekzistonte. Kështu që nuk mundet që opozita ta mbajë qeverinë në këmbë. Tash pas një muaj do ta kemi edhe Projektligjin e Buxhetit, prandaj nëse nuk i kanë 61 vota si mendojnë ta kalojnë edhe atë projektligj”, tha Murati.

Megjithatë, deputeti Murati tha se pas kësaj seance është seanca tjetër, Projektligji për heqjen e Homologomit, cili pret që i njëjti të miratohet.

Sot për të shtatën herë pritet të hidhet për votim Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në seancën e jashtëzakonshme. Seanca pritet të fillojë 3 minuta me vonesë për shkak të mungesës së kuorumit.

***

Mungesa e deputetëve në sallën plenare ka bërë që për 30 minuta të shtyhet seanca e jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bëri të ditur se në sallë janë vetëm 40 deputetë dhe në mungesë të kuorumit seanca duhet të shtyhet.

Pas gjashtë dështimeve, deputetët po tentojnë për të shtatën herë të votojnë në parim Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

***

Seanca e jashtëzakonshme për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

***

Për të shtatën herë, sot sërish vihet në votim Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Tashmë në ambientin e Kuvendit të Kosovës, kanë arritur deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët kanë qenë pro këtij ligji që nga fillimi.

Ky projektligj ka sjellë debate të ashpra në mes të deputetëve të koalicionit dhe atyre të opozitës.

***

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbaj sot seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të bëhët votimi në parim i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike - COVID - 19.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është thirrur nga shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Arben Gashi në emër të deputetëve nënshkrues me këtë arsyetim “Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij Projektiligji për t’i dalur në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me gjendjen më të cilën po përballet e gjitha bota e edhe vendi ynë, është në interesin e qytetarëve e qytetarëve që ky Projektligj të votohet."

"Në këto kushte, ne, deputetët nënshkrues, kërkojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të shqyrtuar këtë cështje”.

Pas kësaj seance fillon seanca e rregullt plenare në të cilën do të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar.

Në këtë seancë deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-089 për deminim humanitar, Projektligjin për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Po në këtë seancë do të behët edhe shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2019, raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2019, raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2019, raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2019.

Po ashtu Kuvendi pritet të mbajë edhe interpelancën me Kryeministrin e Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat