GLPS: Këshilli Prokurorial abuzon hapur me ligjin, nuk e njeh ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Aktuale

GLPS: Këshilli Prokurorial abuzon hapur me ligjin, nuk e njeh ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 09:59
Foto Ilustrim

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj vendimeve e veprimeve të fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) sa i përket kundërshtimit të saj për të njohur ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe prishjen e imazhit të Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtar.

GLPS thekson se organi përgjegjës për të menaxhuar zinxhirin më të rëndësishëm të luftës ndaj krimit e korrupsionit, KPK, së fundmi është bërë subjekt që kundërshton ekzistencën e ligjit special që parandalon konfliktin e interesit në Republikën e Kosovës, për ç’gjë, Ambasada e ShBA-së dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë braktisur monitorimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të KPK-së dhe kryeprokurorëve në njësitë prokuroriale.

“KPK, në vend që të ishte shembull i garantimit të zbatimit minimal të parimeve të transparencës, ndalimit të konfliktit të interesit dhe integritetit të lartë moral, ajo është bërë sinonim i keqpërdorimit të pushtetit publik që ne e hasim në nivel të partive e të qeverisë. Një prishje e imazhit në përmasa të tilla i jep argument të fortë Komisionit Evropian që të rishqyrtoj pozicionin e tij sa i përket dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave për Republikën e Kosovës”, thuhet  në reagim.

GLPS thekson se është seriozisht e brengosur me rehatinë me të cilën KPK e arsyeton vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryeprokurorëve në njësitë prokuroriale duke mos njohur ekzistencën e këtij ligji.

“Në mbledhjen e fundit, KPK u deklarua që nuk ekziston legjislacion pozitiv që e rregullon ndalimin e kandidimit të ish anëtarëve të KPK-së në pozita drejtuese në prokurorinë e shtetit. Kjo i bie që praktikisht KPK po thotë që Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk zbatohet mbi ta. Në të njejtën linjë, Ministri i Drejtësisë Selim Selimi i’u bashkëngjit këtij argumenti, kinse duke pranuar që sa më shpejtë të adresohen këto pretendime përmes ndryshimeve ligjore”, thuhet në reagim.

“Ju rikujtojmë të dy institucioneve që Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit zbatohet pa asnjë dilemë mbi sistemin prokurorial dhe çdo organ tjetër publik të shtetit. Asnjë përjashtim nuk e bën Ligjin në fjalë të pazbatueshëm mbi KPK-në. Argumenti i KPK-së është jo veçse i pakuptimtë juridikisht, por edhe me qasje tendencioze. Si mund të ngre një pretendim të tillë një organ qendror i luftës ndaj krimit e korrupsionit? Çfarë mendon një zyrtar i lartë publik i korruptuar kur dëgjon një pretendim të tillë nga KPK-ja? Përgjigjet mbi këto pyetje janë natyrisht tregues që kapja e sistemit prokurorial është evidente saqë as kundërshtimet e partnerëve ndërkombëtar nuk i lejnë shenjë tendencave të KPK-së, në këtë rast”, thuhet më tej.

Prandaj, GLPS i rikujton KPK-së që një pretendim i tillë është në suaza të pastra të abuzimit me pushtetin dhe vepër penale pa asnjë ekuivok.

“I kërkojmë KPK-së të tërhiqet urgjentisht nga një qëndrim i tillë, të anuloj konkurset në fjalë, dhe të njoh ekzistencën e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit si legjislacion pozitiv që përfshin edhe sistemin prokurorial”, thuhet në reagim.

GLPS ka kërkuar nga ministri Selimi të distancohet nga minimizimi i problemit, dhe të mos bëhet bashkëpunëtor në procese të tilla të diskutueshme.

“KPK të mos vazhdoj me asnjë konkurs të radhës pa përmbushur kushtet që të rikthehen në monitorim Ambasada e ShBA-së dhe Zyra e BE-së. Vettingu është e vetmja zgjidhje për ç‘kapjen e sistemit të drejtësisë. Sjelljet e fundit të KPK-së po e forcojnë në çdo moment një argument të tillë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat