Grupi i parë i turistëve nga Shqipëria, në Kosovë për të pushuar shqip

Aktuale

Grupi i parë i turistëve nga Shqipëria, në Kosovë për të pushuar shqip

Nga: G.B Më: 19 tetor 2020 Në ora: 20:54
Qemajl Minxhozi dhe Ruzhdi Kurtishaj

U nisën drejt Kosovës për të pushuar, pas përfundimit të sezonit turistik veror në Shqipëri.

Derisa në Shqipëri shkojmë për detin, në Kosovë ata po vijnë për malin, bjeshkët e natyrën e mahnitshme, në kuadër të fushatës "Pusho Shqip", të prezantuar ditë më parë nga ministri i Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi.

Stafi i kompleksit gjigant 'Fafa' në Durrës, rreth 60 punëtorë këtë herë vijnë në shtëpinë e tyre të dytë, në Prishtinë, si turistë në stinën e vjeshtë, për të shijuar bukurinë e Kosovës në këtë stinë.

Gjatë ardhjes me autobusin e 'Sharr Travel', ata u ndalën në Prizren për një drekë, ku dhe shijuan bukuritë e këtij vendi që ruan shumë vlera.

Në Prishtinë, ata po i prisnin në Hotel Prishtina, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi dhe Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe pronar i Sharr Travel.

Kurtishaj e quajti nder pritjen e grupit të parë të vizitorëve nga Shqipëria në Kosovë, derisa tani po vijnë si turistë dhe nuk po i presin ata.

“Është nder i veçantë që na e ka bërë Ambasadori Minxhozi me prezencën e tij, por sigurisht ndihem shumë i lumtur që pas një situate shumë të rëndë që patëm dhe kemi me pandeminë e Coronavirusit, sot për herë të parë po bëjmë edhe pritjen e grupit të parë të kompleksit “Fafa” në Prishtinë në shenjë falënderimi që ju po e bëni për vëllezërit nga Kosova gjatë gjithë sezonit veror”, tha Kurtishaj.

Ndërsa, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kërkoi nga kompanitë turistike që të organizojnë sa më shumë vizita të tilla në mënyrë që të rritet bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve në fushën e turizmit, derisa shtoi se Kosova nuk ka det por ka një det mirësie e dashurie.

“Shpresoj që grupi si ky i sotmi të vijnë sa më tepër në Prishtinë ta vizitojnë Kosovën në mënyrë që ky bashkëpunim që ka filluar tashmë i suksesshëm të thellohet edhe më tej në të ardhmen, jam shumë i bindur se në Kosovë nuk ka det, por ka një det mirësie, dashurie për ju që iu keni shërbyer vëllezërve tuaj nga Kosova. Këtu do ta gjeni të njëjtën dashuri. Unë bëjë apel që edhe kompanitë tjera turistike nga Shqipëria të organizojnë grupe turistike për të vizituar këtë vjeshtë të bukur edhe Prishtinën dhe gjithë Kosovën”, tha Minxhozi.

Grupi i turistëve do të qëndrojnë për dy ditë në Kosovë, ku përpos Prishtinës, do të vizitojnë Prevallën, Prekazin e vende të tjera./BS/

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat