Zekaj: Të hetohet i gjithë zinxhiri i fajësisë për vjedhjen e Thesarit

Aktuale

Zekaj: Të hetohet i gjithë zinxhiri i fajësisë për vjedhjen e Thesarit

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 00:24
Yll Zekaj

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kritikuar institucionet tona në lidhje me rastin e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Në një intervistë dhënë emisionit Edicioni Special, ai i ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të zbulojnë të gjitha pistat e hetimit dhe të merret parasysh i gjithë zinxhiri i i fajësisë.

“Në institucione ku më së paku pritet që të ndodhë një vjedhje, ndodhi kjo vjedhje klasike. Kjo e tregon integritetin e zyrtarëve politikë në institucionet tona”.

“Institucionet e drejtësisë duhet të jenë shumë azhure dhe të zbulojnë të gjitha pistat e hetimit. Të merret i gjithë zinxhiri i fajësisë në këtë rast, sepse s’besoj që këtu kanë qenë të përfshirë vetëm këta zyrtarë që sot u bënë publikë, se duhet të ketë ndonjë procedurë më të ndërlikuar që të lejojnë një zyrtar të keqpërdorë mjete milionëshe dhe s’duhet të jetë aq e lehtë. Pra është e besueshme që këtu janë të involvuar më shumë persona, e ata duhet të vihen para drejtësisë”.

“Duke pasur raste të tilla edhe në të kaluarën, ne shohim dështime në zinxhirin e hetuesisë, ku shumë persona, zyrtarë publikë që janë të involvuar në skandale të tilla, shpëtojnë ose të padënuar ose me dënime qesharake”.

“Nuk është rasti i parë që ka ndodhur si ky skandal në institucione publike. Kemi pasur rastin në zyrën e provave të Policisë së Kosovës me vjedhje të provave, arit e drogës, e të cilat raste nuk janë zbuluar asnjëherë dhe kjo tregon se në çfarë gjendje ndodhet institucioni ynë i sigurisë”.

“Në këtë rast duhet të ndiqet zinxhiri i përgjegjësisë, se besojmë që s’ka mundur vetëm një person ta realizojë këtë transaksion. Këtu duhet të ketë vend edhe për dorëheqje, por në Kosovë nuk jemi mësuar që të shohim dorëheqje për akt moral”.

“Të paktën aty ku parashihen të merren veprime ligjore, policia, prokuroria dhe gjykata duhet të jenë shumë azhure që ky rast të trajtohet me prioritet dhe kjo besoj që do të jetë një njollë edhe ndërkombëtare se si mundet në zyrën e Thesarit të bëhet një keqpërdorim i tillë”.

“E keqja e kësaj është se figurat tona politike veprojnë vetëm pas skandalit”, deklaroi Zekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat