Pronari i “Euroaspahlt” e pranon se 7 mijë e 250 euro i mori nga Kadri Shala, por ka një arsyetim

Aktuale

Pronari i “Euroaspahlt” e pranon se 7 mijë e 250 euro i mori nga Kadri Shala, por ka një arsyetim

Më: 24 tetor 2020 Në ora: 10:20
Granit Fetoshi

Shtatë mijë e 250 euro janë transferuar në llogarinë e kompanisë “Euroaspahlt ShPK”, me lokacion në Bishtazhin të Komunës së Gjakovës nga firma “LDA Group ShPK” me pronarë Kadri e Valon Shalën. Transfer ky i kryer nga 2 milionëshi i vjedhur nga Thesari i Shtetit.

Pas publikimit të hulumtimit të Insajderit, është lajmëruar njëri prej pronarëve të kompanisë “Euroasphalt SHPK”, Granit Fetoshi.

Fetoshi ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni se shuma prej 7 mijë e 250 euro ka qenë e vjedhur. Si rrjedhojë ai ka treguar se vetëm kanë kryer shërbimin e tyre si kompani, kanë shpërndarë beton.

Madje, ai ka zbuluar se sot me një numër nga Turqia, Kadri Shala, ka bërë porosi për beton. Derisa ka shtuar se para 2-3 jave, vet ai ka qenë edhe fizikisht në kompaninë e tyre.

“Sot, kemi lexuar artikullin dhe këta persona ne nuk i njohim absolutisht. Ne e kemi një betonierkë në Bishtazhin të Komunës së Gjakovës, këta Kadri dhe Valon Shala kanë kanë lypur beton, bile edhe sot e kanë kontaktuar punëtorin e betonierkës me një numër të Turqisë. Dhe, ne nuk e dimë a kanë pasur tender për të ndërtuar shtëpi në Gjakovë apo diçka tjetër nuk e dimë. Punëtorët tonë e kanë detyrë me marrë porosinë dhe pastaj e qojnë betonin në disa lokacione, në disa shtëpi për këta, tek komuniteti romë. Por, ne nuk e dimë nga i kanë marrë parat ata”, është shprehur Fetoshi për Insajderin.

Pronari i kësaj kompanie ka deklaruar se Kadri e Valon Shala kanë kryer tri pagesa ndaj kompanisë së tyre, teksa ka shtuar se nuk kanë vrejtur diçka të dyshimtë gjatë kryerjes së pagesës.

“Ata (Kadri e Valon Shala) kanë kërkuar beton në shumën prej 7 mijë e 250 euro, me i kthy në betonë i bie diku 130-140-150 kubik. Tri pagesa i kanë kryer këta tek ne, përmes bankës. Unë i kam të gjitha fakturat e vulosura. Ne edhe sot i kemi quar beton këtij personi, por na nuk e kemi njohur. Ky person (Kadri Shala) e ka kryer porosinë përmes telefonit. Dhe fizikisht ka qenë para 2-3 jave, për me na bind qe mundemi me punu me ta, interesi jonë është me shit betonë. Të gjitha pagesat i ka kryer me rregull, përveç kësaj të fundit që na ka mbetur borxh 800 euro”, është shprehur ai.

Sqarimi shtesë nga kompania “Euroasphalt ShPK”

Fetoshi është shprehur se si kompani janë të gatshme t’i kthejnë parat, nëse ato janë të vjedhura nga shtetit.

“Ne jemi të gatshëm me i kthy paret në të njëjtën llogari, nëse këto pare janë të vjedhura prej shtetit jemi të gatshëm, me i kthy në llogari. Nuk ka duhen ato pare, nuk na qojnë peshë jemi kompani shumë e madhe dhe serioze”, ka thënë pronari i kësaj kompanie.

Hulumtim hedhë dritë mbi një skemë të vjedhjes së shpërndarjes së mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Njëri prej 17 transaksioneve të kryera nga firma “LDA Group” pas pranimit të 2 milionëshit të vjedhur nga Thesari i Shtetit, figuron se është dërguar edhe në kompaninë e betonit “Euroaspahalt SHPK”, me lokacion në Bishtazhin të Komunës së Gjakovës.

“Euroasphalt” është e regjistruar në ARBK në vitin 2008. Kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë është Kaltrin Kryeziu, drejtor dhe agjent i regjistruar Fatos Deva dhe anëtar i bordit Alban Fetoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat