Dosja e Konsullit të Kosovës në Tiranë Halim Krasniqi, pazare, ndryshim emri, dhunë dhe korrupsion

Aktuale

Dosja e Konsullit të Kosovës në Tiranë Halim Krasniqi, pazare, ndryshim emri, dhunë dhe korrupsion

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:14
Ilustrim

Një person që nuk plotëson standardet as për roje nate është emëruar Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Shqipëri; Halim Krasniqi, produkt i pazareve të Hashim Thaçit, qëndron në detyrë në shkelje të ligjit, po hetohet nga shërbimet për disa vepra penale, përleshje dhe afera brenda Konsullatës

Kupolat politike të korruptuara dhe të inkriminuara në Prishtinë dhe Tiranë kanë degraduar edhe përfaqësinë diplomatike të Kosovës në Shqipëri, duke e katandisur në një nivel ordiner të paimagjinueshëm.

Simboli dhe fytyra e këtij degradimi është edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Tiranë, Halim Krasniqi, një personazh me arsim të dyshimtë, me disa identitete, i përfshirë në skandale të rënda dhe me disa dosje të hapura penale.

Halim Krasniqi nuk është një diplomat karriere, por është ngjitur në krye të Konsullatës së Kosovës në Tiranë si produkt i pazareve dhe qokave të Hashim Thaçit, në bashkëpunim me krerët e autoriteteve shqiptare, të cilët e pranuan Krasniqin, edhe pse nuk plotësonte standardet as për të shërbyer si roje në ambasadë.

Vetëm një muaj pasi u bë President në vitin 2016, Hashim Thaçi e emëroi Halim Krasniqin konsull, ndonëse në Tiranë nuk kishte konsullatë të Kosovës. Megjithatë, Krasniqi nisi të punonte pranë ambasadës, e cila gjithashtu mban një profil të ulët dhe vetëm sa harxhon paratë e taksapaguesve shqiptarë në Kosovë.

Në kuadër të përfundimit të mandatit, ish- ministri i jashtëm Glauk Konjufca mori vendim që Krasniqi të tërhiqej nga detyra e Konsullit që më 30 mars, por Hashim Thaçi nuk dekretonte vendimin, duke e mbajtur Krasniqin në detyrë në kundërshtim me ligjin.

Në 4 shtator 2020, Thaçi, në shkelje flagrante të ligjit, e emëroi edhe për një mandat tjetër Halim Krasniqin, pasi emërimi i konsullit bëhet me propozim të ministrisë dhe se konsulli që nuk është anëtar i shërbimit diplomatik, nuk mund të qëndrojë më shumë se një mandat.

Në kushtet kur drejtësia nuk vepron dhe është bërë ombrellë e padrejtësive dhe aferave të politikës, në redaksinë tonë janë referuar disa dosje të rënda për veprimtarinë e Halim Krasniqit, që nga emrat e tij të ndryshëm në pasaporta, aktet e tij të dhunës shtazarake ndaj punonjësve të Konsullatës dhe që nuk janë ndëshkuar ende nga drejtësia, mungesa e arsimit, e shkuara e dyshimtë dhe më e rëndësishmja përfshirja e tij në pazare me shqiptarë nga Kosova. Në vijim do të publikojmë secilën dosje, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm nivelin mizerabël ku ka përfunduar shërbimi diplomatik i shqiptarëve për shkak të politikës, por edhe mosveprimin e drejtësisë. Kaq për sot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat