S’ka vendimmarrje, dështon sërish Projektligji për vlerat e UÇK-së

Aktuale

S’ka vendimmarrje, dështon sërish Projektligji për vlerat e UÇK-së

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:20
Kuvendi i Kosovës

As në seancën e sotme plenare nuk pati kuorum për votimin e projektligjeve dhe propozim-rezolutave, të mbetura nga seancat e kaluara. Bëhet fjalë për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, për propozim-rezolutën nga raportimi i kryeministrit të Kosovës në lidhje me dialogun, propozim-rezolutën nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, votimin në parim të Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19 dhe as për projektligjin për ndryshim e Ligjit për Automjete.

Shkaku i mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e sotme me rreth një orë vonesë. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani i ka ftuar grupet parlamentare që t’i thërrasin deputetët në seancë pasi, sipas saj, nuk ka kuorum për të filluar seanca.

E, vetëm 31 deputetë kanë votuar në parim Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Kryetarja Osmani tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje.

Osmani: Nuk ka kuroum për vendimmarrje

“Vetëm 31 deputetë kanë marrë pjesë në votim, rrjedhimisht nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka shtuar ajo.

Kuorum nuk pati as për votimin e propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit të Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Osmani: 27 vota për dhe 1 kundër

“27 vota për 1 kundër. Nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka shtuar Osmani.

Gjithashtu me 27 vota për, 1 kundër nuk kishte kuorum për votimin e Propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Osmani: Nuk ka kuorum për vendimmarrje

“Sërish 27 për dhe 1 kundër, nuk ka kuorum për vendimmarrje”, ka njoftuar kryeparlamentarja

Edhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19” nuk kishte kuorum pasi kishte marrë vetëm 15 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. As votimi në parim i Projektligjit për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete, nuk kishte kuorum për votim. Kjo pikë i ka marr vetëm 32 vota për. Ndërsa, pika për votimin e propozim-rezolutës nga Interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike është shtyrë për një seancës tjetër me kërkesën e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri, i cili tha se deputetja Besa Ismaili – Ahmeti është me infektuar me COVID-19 dhe nuk është prezent në seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat