Vetëvendosje dhe PDK kritika të mëdha Hotit për shuarjen e Task-Forcës, ia përmendin Amerikën

Aktuale

Vetëvendosje dhe PDK kritika të mëdha Hotit për shuarjen e Task-Forcës, ia përmendin Amerikën

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 12:32
Tahiri, Hoti dhe Selimi

Kryeministri Avdullah Hoti është përplasur me partitë opozitare, Vetëvendosjen dhe PDK-në për shuarjen e Task Forcën Kundër Korrupsion.

Opozitarët e kanë quajtur veprim skandaloz dhe të gabuar shuarjen e Task-forcës, ndërsa kanë përmendur edhe shqetësimet e ngritura nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, por jo vetëm.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se me shuarjen e Task-forcës , kryeministri Hoti u bë pjesë e parandalimit të krimit dhe korrupsionit.

“Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit, në mënyrë vetanake me një vendim ‘ad hoc’, pa analizë, pa bazë dhe kryekëput për qëllime parandalimi të luftimit të korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve që kanë qenë në zhvillim e sipër brenda kësaj Task Force”, tha Tahiri.

Ai tha se Task-forca kundër korrupsionit që e ka shuar Avdullah Hoti e ka dëmtuar rëndë shtetin edhe në raport me procesin e liberalizimit të vizave për edhe me partnerët strategjik nga SHBA dhe BE.

“E në vend se të merren masa për ta parandaluar të njëjtin, po merren masa për ta inkurajuar të njëjtin. Kryeministri Hoti me një vendim skandaloz, ka shuar Task-Forcën Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës. Çfarë e ka nxitur për një gjë të tillë, është mirë të na e thotë vetë, sepse dyshimet ekzistojnë e arsyet që i ka dhënë nuk mjaftojnë. Meqë ka dështuar të arsyetojë vendimin, ka provuar ta arsyetojë veprimin. Por në të dyja rastet ka dështuar ta fshehë të vërtetën. Për këtë vendim skandaloz, kryeministri Hoti na është arsyetuar se baza e themelimit të Task Forcës paska qenë jo kushtetuese. Pra për çudi, para se ai të marrë çfarëdo veprimi për ta fuqizuar rendin e ligjin, ai merr veprim për ta stimuluar kriminalitetin, dhe këtë e bën në emër të Kushtetutës”, tha Tahiri.

Ai tha se veprimi skandaloz i Hotit për shuarjen e Taskë-forcës brenda Policisë së Kosovës, ka rrezikuar sigurinë e rendit dhe ligjit, ka rrezikuar sigurinë e hetuesve që tashmë janë ekspozuar si viktima të një vendimi qeveritar, dhe kanë rrezikuar vetë sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Avdullah Hoti, menjëherë ju kundërpërgjigj deputetit të PDK-së, ku i tha se vendimi i vitit 2010 për ta themeluar Task-forcën është jo kushtetues.

“Pika e parë thotë se qeveria i kërkon prokurorisë të themeloj struktura të caktuara, qeveria nuk mund t’i kërkojë prokurorisë të themeloj struktura të caktuara. Ajo çfarë duhet të bëjë qeveria është të vë në dispozicion kapacitetet e veta për nevojat që ka Prokuroria”, tha Hoti.

Ai shtoi se policia do të mundësojë që puna e Task-forcës të vazhdoj e papenguar në të gjitha çështjet që i ka pasur.

Pas këtij reagimi të kryeministrit, reagoi deputeti Abelard Tahiri, i cili i tha Hotit se ku po e merr guximin të thotë se themelimi i Task-forcës nuk ka qenë në përputhje apo jo me Kushtetutën.

“Shpresojmë që ky degradim të ndalet dhe do të punojmë çdo ditë të ndalet, ju i keni shkëputur një krahë të fuqishëm Prokurorisë Speciale. Shuarja e kësaj Task-force është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës në luftën kundër korrupsionit”, tha Tahiri.

Kritika për shuarjen e Task-forcës kryeministrit Hoti i bëri edhe shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Selim Selimi, i cili i tha se nëse themelimi i kësaj Task-force ka qenë vendim jo kushtetues pse nuk e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

“Pse nuk keni reaguar më herët, pasi kjo Task-forcë ka qenë aty nga viti 2010. Nuk po e kundërshtojmë veç ne, por edhe ambasada e Amerikës, Gjermanisë që janë të shqetësura. Ne mendojmë që keni gabuar”, tha Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat