​AAK kërkon masa alternative, jo mbyllje të vendit

Aktuale

​AAK kërkon masa alternative, jo mbyllje të vendit

Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 11:53
Albena Reshitaj dhe Arbër Tolaj

(E plotësuar 13:36) - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e Qeverisë Hoti është shprehur kundër mbylljes totale të vendit, si masë preventive në parandalimin e pandemisë COVID-19. Kjo parti i ka bërë thirrje ekzekutivit të gjejë masa alternative, e jo ashpërsojë masat.

Përmes një konference për medie, deputetja e Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvend, Albena Reshitaj tha se kundër këtij vendimi janë shprehur edhe anëtarët e partisë së tyre në qeveri.

Reshitaj: Para mbylljes së vendit duhet të shikojmë alternativat tjera

“Ne si AAK e kuptojmë shqetësimin në rritjen e numrit të rasteve të infektuar me COVID 19, pra një përshkallëzim të situatës. Mirëpo konsiderojmë që institucionet përgjegjëse shëndetësore janë duke dhënë rekomandimet e tyre dhe ne si pjesë e politikës duhet të shfrytëzojmë të gjitha alternativat e mundshme, para se të shkojmë në një vendim përfundimtar të mbylljes së vendit”, tha ajo.

Reshitja tha se në bazë të analizave që kanë bërë ka ende hapësirë për të shfrytëzuar mundësitë tjera.

Reshitaj: Përfaqësuesit e AAK-së në qeveri nuk do të votojnë pro mbylljes totale

“Të gjithë përfaqësuesit në qeveri nga AAK-ja nuk do të votojnë pro mbylljes totale në këtë periudhë. Pasi konsiderojmë se në bazë të analizave që kemi bërë ka ende hapësirë dhe alternativa për të shfrytëzuar”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti tjetër i AAK-së, Arbër Tolaj tha se ata janë pro votimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike në shqyrtim të dytë.

Tolaj: Ne jemi në kohë dhe përbërje të plotë për të përkrahur rimëkëmbjen ekonomike

“Ne si AAK edhe javën e kaluar kemi qenë në përkrahje për votimin e projektligjit dhe në përbërje të plotë. Po ashtu edhe sot jeni në kohë dhe në përbërje të plotë për të përkrahur edhe votimin e dytë të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike”, tha ai.

Krahas kësaj, dy deputetët e Grupit Parlamentar të AAK-së kërkuan nga qeveria mbështetje më të madhe për gastronominë.

***

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj ka thënë se janë kundër mbylljes totale të vendit për arsye të menaxhimit të Pandemisë, COVID-19.

Reshitaj në një konferencë për media i ka bërë thirrje qeverisë që t’i rishikojë masat e parapara për mbyllje totale.

Ajo tha se Qeveria duhet të shfrytëzoj alternativat e mbrojtës së shëndetit publik duke ruajtur edhe ekonominë e vendit.

“Grupi parlamentar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i bën thirrje qeverisë që ti rishikojë masat e parapara për mbyllje totale. Të nderuar kolegë të Qeverisë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është kundër mbylljes totale të vendit për arsye të menaxhimit të Pandemisë. Ne mendojmë që duhet të shfrytëzohen alternativat e mundësive të mbrojtës së shëndetit publik duke ruajtur edhe ekonominë e vendit e cila edhe ashtu është dëmtuar shumë”, ka thënë ajo.

Reshitaj po ashtu apeloi tek qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në respektim të masave institucionale.

“E kuptojmë drejt shqetësimin me rritje enorme të rasteve me COVID-19, por në të njëjtën kohë kërkojmë që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme për menaxhimin e situatës dhe të mos shkohet me mbyllje totale të vendit. Apelojmë tek të gjithë qytetarët e vendit për kujdes të shtuar në respektim të masave institucionale. Ideja për mbyllje totale duhet rishikuar. Një veprim i tillë do ta dëmtonte tej mase ekonominë e vendit tonë”, ka thënë ndër të tjera deputetja, Reshitaj.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të martën paralajmëroi se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primare është “ruajtja e shëndetit publik".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat