Së shpejti ngriten aktakuzat nga operacioni më i madh në Kosovë

Aktuale

Së shpejti ngriten aktakuzat nga operacioni më i madh në Kosovë

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 22:29
Aksioni i Policisë në Karaçevë

Për një kohë të gjatë brezi kufitar konkretisht fshatrat përreth Karaçevës ishin shëndrruar në një oazë kriminale, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme ilegale si bixhozi, trafikimi me njerëz, me armë, me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

Por situata ndryshoi dhe një aksion masiv i Policisë së Kosovës e  institucioneve tjera kishte nisur me 18 shtator në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës përkatësisht në brezin kufitar me Serbinë, ku u arrestuan dhjetra persona, në mesin e të cilëve edhe jo pak zyrtarë policor.

Po arrestimeve pati edhe rrënime të disa objekteve të lojrave të fatit e të tjera dhe u konfiskuan gjësende tjera ku kishte edhe kafshë jo të pakta të cilat dyshohet se ishin të kontrabanduara. 

Pas rreth dy muajsh nga aksioni nga prokuroria thonë se ende po vazhdojnë hetime dhe se  pritet që të ngriten edhe aktakuzat ndaj disa nga të arrestuarëve, mëson "Syri". 

Lidhur me rastin ‘’Karaçeva’’, që nga fillimi i këtij aksioni deri tash numri i personave të ndaluar ka shkuar në 63. 

Aksioni më pas është zhvilluar edhe në rajone të ndryshme të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Ferizajin, Prizrenin, Podujevën, Pejën, Suharekën dhe Vitinë, i cili ka qenë vazhdimësi e aksionit të Karaçevës, ku ishin arrestuar edhe dy persona, të cilët dyshohen se janë përfshirë në veprimtari kriminale.

Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

Ky operacion, vlerësohej se ishte operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit Liridona Xheladini, tha se sa i përket rastit Karaçeva, Prokuroria Themelore në Gjilan është në fazën e hetimeve, ndërsa rreth ngritjes së aktakuzës do të jeni të informuar me kohë.

Nga Prokuroria Themelore e Gjilanit nuk japin informacione të detajuara rreth këtij rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat