​MKRS dhe Biblioteka Kombëtare bashkëpunojmë për dokumentimin e Masakrës së Krushës së Madhe

Aktuale

​MKRS dhe Biblioteka Kombëtare bashkëpunojmë për dokumentimin e Masakrës së Krushës së Madhe

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 14:41
Pamje nga takimi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, kanë në shkruar sot memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen financiare të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.

Ky projekt parasheh mbledhjen, dokumentimin dhe vënien në dispozicion të rreth 300 intervistave me rrëfime nga të mbijetuarit dhe dëshmitarët e kësaj masakre. Kohëzgjatje e këtij projekti do të nis nga tash e do të zgjasë deri më 1 nëntor të vitit 2022.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili tha se ky projekt zhvillohet mbi themelet e vëna për t’i shtruar rrugën hulumtimit më të gjerë të fushës së historisë gojore në vendin tonë dhe përtej.

Hoti: Zhvillohet mbi themelet e vëna për t’i shtruar rrugën hulumtimit më të gjerë të fushës së historisë gojore

“Ky projekt për mbledhjen e rrëfimeve të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe i jep frymë të veçantë një qendre të kujtesës së Kosovës këtu në Bibliotekën Kombëtare, e cila tash e disa vite mbledh, i dokumenton dhe i promovon historitë e Kosovës në veçanti rrëfimet e ngjarjeve të periudhave më të veçanta, më të trishta po edhe më të mëdha të historisë së popullit të Kosovës. Ky projekt zhvillohet mbi themelet e vëna për t’i shtruar rrugën hulumtimit më të gjerë të fushës së historisë gojore në vendin tonë dhe përtej. Po kështu, si projekt vë në pah edhe mundësitë dhe sfidat që kanë përpara institucionet e Republikës së Kosovës dhe hulumtuesit në veçanti të kësaj fushe në funksion të ruajtjes dhe të promovimit të dokumenteve që tash bëjnë pjesë e Bibliotekës Kombëtare. Zyrtarizmi i kësaj nisme sot e konfirmon mbështetjen e institucioneve të qeverisë së Kosovës, përmes MKRS-së ”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se përmes këtij projekti do te dokumentohet një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe.

Dumoshi: Do t’iu jepet jetë dhe përjetësi historive të të vdekurve dhe të zhdukurve të Krushës së Madhe

“Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Nisma e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të mbledhur rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe është një arritje e rëndësishme për kujtesën e Kosovës dhe nxjerrjen në dritë të asaj se çfarë ka ndodhur në një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe. Përveç dhënies zë të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe do t’iu jepet jetë dhe përjetësi historive të të vdekurve dhe të zhdukurve të Krushës së Madhe. Gjithë çfarë la pas kjo masakër është pasqyrë e një historie të trishtë e një dhimbjeje dhe një pritjeje të pafundme”, tha ajo.

E para e MKRS-së, tha se e ka mirëpritur këtë nismë të Bibliotekës Kombëtare, ndërsa iu ka bërë ftesë që një nismë të tillë të mbledhjes dhe të ruajtjes së kujtimeve të realizojnë edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, Arkivi Kombëtar i Kosovës, Bibliotekë, muze dhe arkivat komunale, që të mbledhin dhe të ruajnë rrëfimet, dokumentet origjinale, fotografitë dhe artefaktet që pasurojnë koleksionin dhe përmbushin misionin për të dokumentuar historinë e popullit të Kosovës.

Ajo tha se është përgjegjësi e tyre e patjetërsueshme që gjeneratave të reja t’ua lënë pas historinë e dokumentuar të së kaluarës së Kosovës.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se përmes këtij projekti do të pasqyrohet masakra e Krushës së Madhe, ku tha se kjo do të mundësohet përmes 300 historive gojore që do të jenë pjesë e projektit.

Gajraku: Do të japin pamjet më të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve

“Projekti i mbledhjes dhe ruajtjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe është një pjesë thelbësore, do të japin pamjet më të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve që me sytë panë mizorinë e forcave serbe ndaj banorëve të urtë e paqësor të Krushës së Madhe. Këto rrëfime do të na ndihmojnë të plotësojmë një zbritësi që ekziston në koleksionet e bibliotekës për të kaluarën e shqiptarëve të Kosovës...Pritet të jenë rreth 300 histori gojore të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe që do të bënin arkivin më të madh të historisë gojore të mbledhur në luftën e fundit në Kosovë. Mbledhja e intervistave audio dhe video dhe materialeve të tjera relevante do të mundësojë një pasqyrë të plotë të masakrës së Krushës së Madhe dhe do të kontribuojë në zgjerimin e njohurive, si dhe në të kuptuarit më mirë të asaj që kjo masakër la pas, por edhe do të plotësojë provat e të vërtetës historike të kësaj masakre”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, tha se ky projekt do të mundësojë që përmes rrëfimeve të dokumentohet masakra e kryer nga Serbia.

Latifi: Nga 241 sa i vrau Serbia 64 ende janë pa varre e pa shenja

“Kujtesa e Kosovës ruhet duke regjistruar dëshmitë duke i arkivuar ato, dëshmitë gojore për masakrat në Kosovë kanë një rëndësi të madhe posaçërisht kur ato rrëfehen nga ata dhe ato që i panë me sy, i përjetuan ato dhe u mbijetuan atyre. Të mbijetuarit e masakrave nuk janë të shumtë, ata pak që i mbijetuan dita ditës po mesin edhe më pak, ka prej atyre që vdiqën pa ua dëgjuar rrëfimin, nuk i pyeti askush asnjë institucion deri më tani. Krimi serbë në Krushë të Madhe është i egër aty njerëzit tanë u vranë, u dogjën, u hodhën në Drinin e bardhë e një numër i tyre u zhdukën diku në Serbi. Nga 241 sa i vrau Serbia 64 ende janë pa varre e pa shenja, ende nuk dihet se ku janë e në mesin e tyre nuk dihet se ku është edhe profesori i nderuar Ukshin Hoti”, tha ai.

Ky projekt ai tha se ka nevojë të përkrahet nga të gjithë për të regjistruar kujtesën e Kosovës duke marrë për bazë dëshmitë nga të mbijetuarit e masakrës në Krushë të Madhe. Ai tha se si kryetar i Komunës do të ofrojë mbështetje të pa rezervë për këtë projekt.

Projekti do të realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, saktësisht Fakultetin Filozofik dega e Antropologjisë dhe me Komunën e Rahovecit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë mbetet nismëtare e projektit me thirrjen për aplikim për përkrahje në realizimin e një projekti që do të mbledh në mënyrë profesionale rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës, si pjesë e misionit të saj për përkrahjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat