Vrasje dhe tortura çnjerëzore në Skënderaj: Serbët gdhendën kryqin me thikë në ballin e një burri

Aktuale

Vrasje dhe tortura çnjerëzore në Skënderaj: Serbët gdhendën kryqin me thikë në ballin e një burri

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 16:00
Ushtria serbe

Në shkrimin e mëparshëm shkruam për dhunën seksuale që ushtarët serbë ushtruan ndaj grave në Qirez të Skenderajt dhe se 8 prej tyre u hodhën të gjalla në tre puse. Sot do të raportojmë për shpërnguljen e njerëzve nga fshatrat e Skënderajt, ku shumë prej burrave u vranë e disa prej tyre u torturuan për ditë të tëra.

Hadije Fazliu banonte me familjen e saj në Turiçec dhe në mars të vitit 1999 UÇK-ja ishte e pranishme në fshat. Disa ishin anëtarë të saj dhe shtabi i UÇK ishte vendosur në shkollën e fshatit.

Me 24 mars 1999 ushtarët erdhën në fshat dhe njerëzit formuan një kolonë që u nis në drejtim të Tushilës, afërsisht tri kilometra nga Turiçeci. Me të arritur në Tushilë, panë shumë të tjerë të mbledhur atje, duke përfshirë njerëz nga komunat e Skënderajt, Klinës, dhe Gllogocit. Më 28 mars, në mbrëmje arriti një kolonë me gra nga Izbica. Fazliu takoi disa gratë të cilat treguan se në Izbicë ishte bërë “masakër.” Ajo gjithashtu dëgjoi se kolona e grave ishte granatuar dhe ishte ndarë në dy pjesë, njëra prej të cilave kishte ardhur në Tushilë, dhe se si rezultat ishin vrarë një grua dhe dy fëmijë.

Sipas Fazliut, më 29 mars 1999, rreth orës 08:00, “forcat serbe” erdhën në Tushilë. Ata iu afruan fshatit nga drejtimi i qyteteve të Klinës dhe Skënderajt dhe hapën zjarr drejt njerëzve në fshat. Fazliu pa shumë njerëz të lënduar dhe njërin të përgjakur. Në orën 10:00, kolona “u lejua” të largohej në drejtim të qytetit të Klinës.

Duke udhëtuar në drejtim të Klinës, Fazliu pa kufomat e gruas dhe dy fëmijëve për të cilët kishte dëgjuar më herët. Kur kolona kaloi pranë Turiçecit, ajo dhe femrat e tjera të familjes vendosën të ktheheshin në shtëpi. Atyre iu desh të rrinin në garazh sepse shtëpia ishte djegur. Qëndruan në fshat rreth dy ditë pa ushqime.

Më 1 prill 1999, në Turiçec erdhi “policia” me makina civile. Sapo panë që ishte policia, Fazliu dhe fshatarët e tjerë të mbetur ikën në drejtim të pyllit dhe ndaj tyre u hap zjarr. Më vonë ajo dëgjoi se atë ditë ishin vrarë tre burra dhe i pa kufomat e tyre kur u kthye në fshat më vonë. Hadije Fazliu pas shumë përpjekjesh, së bashku me qindra gra të tjera mbërriti në Shqipëri.

Torturë dhe vrasje të burrave shqiptarë

Burrat qe kapnin rrugës, i çuan në një xhami, ku dhe i dhunuan. Serbët gdhendën kryqin me thikë në ballin e një burri. Keqtrajtimi vazhdoi për një orë në oborrin e xhamisë. Të 176 burrat e kapur i urdhëruan të dilnin nga xhamia dhe i rrahën. Një paraushtarak kërkonte një luftëtar të UÇK-së me emrin Mirsad. Pasi i këqyri të gjithë burrat, u bind se Salihu ishte Mirsadi dhe tre ushtarë filluan ta rrihnin derisa humbi ndjenjat. E tërhoqën zvarrë deri te një çezmë dhe i hodhën ujë. Në fund ushtarët u kthyen te rreshti i burrave dhe morën shtatë burra të tjerë, të cilët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.

Në xhami erdhën tre “kamionë ushtarakë” të vegjël. Burrat u detyruan të hipnin në ta. Kamionët ndaluan te “një vend i quajtur Shavarinë” afër Çikatovës së Vjetër. Kamioni i parë u zbraz dhe 27-30 vetë u rreshtuan në tri rreshta afër një grope me fytyrë nga ushtarët. Në secilën anë dhe përpara çdo grupi ishte nga një grup prej 4-5 ushtarësh me armë automatike. Personi përgjegjës i urdhëroi të hapnin zjarr. Ata shtinë dhe Salihu pa njerëzit duke rënë në gropë. Pas kësaj bisede dy kamionët e tjerë të mbushur me njerëz vazhduan në drejtim të Gllogocit. Kur arritën në Gllogoc, burrat nga kamioni i parë u urdhëruan të shkonin në sallën e kinemasë, kurse ata të kamionit të dytë përfshirë Salihun, u lanë në duart e policisë në oborrin e stacionit të policisë matanë rrugës.

Salihu dhe të tjerët që ishin me të u rrahën deri në mbrëmje, kur i dërguan në ndërtesën e kinemasë. Të nesërmen, në kinema erdhi një “paraushtarak” 50 vjeç dhe kishte një shishe me raki në njërën dorë dhe pushkë automatike në dorën tjetër. Ai kërkoi të merrte një burrë që “i përkiste” atij. Ai iu drejtua Rrahman Topillës dhe e vrau me katër të shtëna. Pas vrasjes, polici tha se kështu do t’i vrisnin të gjithë.

Salihu dhe burrat e tjerë qëndruan atje edhe gjashtë ditë të tjera dhe u rrahën çdo ditë. Nuk u dhanë as ushqim. Në ditën e shtatë, tre “kamionë ushtarakë” i morën burrat në godinën e kinemasë. Kamioni i Salihut ndaloi në Vukofc, ku burrat u mbajtën deri në tërheqjen e forcave serbe, pas 37- 40 ditësh. Ata i detyruan të punonin për forcat rezerviste të UJ-së. Ata i vendosën në një shtëpi gjysmë të djegur dhe u dhanë ushqim dhe cigare. I trajtuan përgjithësisht mirë nga rezervistët e Ditën e tërheqjes nga Kosova, të gjithë ata u çuan në një shkollë në Krajkovë dhe prej atje shkuan në këmbë në Baks.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat