Dëshmia në Speciale/ Ibrahim Kelmendi zbulon detajin shokues për Xhavit Halitin: Ja kur u themelua UÇK

Aktuale

Dëshmia në Speciale/ Ibrahim Kelmendi zbulon detajin shokues për Xhavit Halitin: Ja kur u themelua UÇK

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 18:15
Xhavit Haliti

Në vazhdim po paraqes në versionin telegrafik historinë e UÇK-së, me shpresë se do t’i bind hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët, që të mos bëjnë formulime duke u bazuar në informata e dëshmi propagandiste dhe dezinformuese. Nga kjo paraqitje do rezulton se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi deri në vitin 1998 nuk ishin anëtarë as në Shtabin Qëndror (17.11.1994 – 27.01.1997), as në Shtabin e Përgjithshëm (formuar gjatë muajve maj-qershor të vitit 1998, por data e formimit vazhdon me qenë diskutabile). Bile nuk ishin as pjesëtarë të UÇK-së. Lah Brahimaj nuk duhet të ketë qenë anëtar në Shtabin Qëndror, edhe pse ka bashkëvepruar me Rexhep Selimin. “Koordinator” i Shtabit Qëndror ishte Nait Hasani (I burgosur më 27 janar 1997 dhe i dënuar Gjykatës serbe në Prishtinë më 20 vjet burg (Aktgjykim, nr. prot. 68/97, i datës 12 dhjetor 1997).

Anëtar i Shtabit Qendror ishte edhe Xheladin Gashi, ndoshta edhe Bislim Zogaj (i burgosur me 31 janar 1997, i dënuar në “grup” me Nait Hasanin.) UÇK-ja, e mitizuar sidomos nga 28 Nëntori 1997, për shkak të spektaklit në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë të Skenderajit, është fomuar me vendim të Mbledhjes së Katërt të përgjithshme (M4P), të mbajtur më 26 dhe 27 korrik 1993, në Prishtinë (në shtëpinë e prindërve të Fatmir Brajshorit).

Mbledhja është mbajtur në klandestinitet të thellë. Megjithatë, pas dy ditëve, shërbimi serb, RDB, i ka burgosur shumë pjesëmarrës të kësaj mbledhjeje. Sigurisht, ata dikush duhet t’i ketë spiunuar. Ato burgosje kanë pamundësuar të nis menjëherë realizimi i vendimit për formimin e krahut të armatosur çlirimtar, të cilin Lëvizja e vlerësoi si domosdoshmëri jetike, sepse “krahu pacifist” (LDK dhe partitë tjera “legale”) tashmë po vegjetonte si kënetë kundërmuese, me bretkoca që zhurmonin vetëm aq sa i toleronte regjimi pushtues, nacionalistfashistoid i presidentit serb Sllobodan Millosheviq.

Në dhjetor 1993 arratisen nga Kosova në Shqipëri edhe Hashim Thaçi dhe Fatmir Brajshori. Më 4 dhjetor 1993, bazuar në obligimet statutare, Këshilli i Përgjithshëm (KP) i Lëvizjes në emigracion, vendos jetësimin e vendimit të M4P. Me atë rast, KP ka themeluar Sektorin e rëndësisë së vëçantë (SRV). Kështu e kemi quajtur ekipin që do të angazhohej për ta ndihmuar Lëvizjen në Kosovë - që ta realizonte formimin e krahut të armatosur çlirimtar të saj (të cilin po e quaj ushtri për hir të komunikimit më praktik, edhe pse ende nuk ishte ushtri). Sektorin e kemi quajtur SRV për arsye konspirative. E kemi autorizuar Kryesinë t’I caktojë tre veta në SRV. Njëkohësisht kemi formuar edhe Fondin VTH, për grumbullimin e mjeteve financiare për ushtrinë në formim.

Si fillim, jemi përcaktuar që secili anëtar i Lëvizjes t’i jepë nga 1000 DM në vit, përveç 50 DM të anëtarësisë mujore. Në fundjavën pasuese, më 11.12.1993, Kryesia i ka caktuar Ali Ahmetin, Xhavit Halitin dhe Azem Sylën në SRV. Fatkeqësisht, qysh në fillim të angazhimit të SRV është përvijuar angazhimi komplotis kundër ngritjes dhe konsolidimit të krahut të armatosur çlirimtar. Azem Syla dhe Xhavit Halit, që deri atëherë nuk ishin fare kompatibël e nuk kishin shoqëri mes tyre, u bënë aleatë.

Azemi ka rekrutuar në Kosovë Rexhep Selimin, Xheladin Gashin dhe Sokol Bashotën. Xhavit Haliti ka rekrutuar Nait Hasanin. Ali Ahmeti, ndërkaq, i anashkaluar nga Xhaviti dhe Azemi, ka vazhduar të përkujdesej për grupet guerile të Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, AdrianKrasniqi, dhe të tjera grupe më të vogla, të cilat ishi formuar para M4P dhe tani po prisnin të përfshiheshin në ushtrinë në formim.

Më 17 nëntor 1994 Kryesia e Lëvizjes përcaktohet për emrin Ushtra Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Në të njëjten mbldhje, Kryesia përcaktohet për “Shtab qëndror”, pa i ditur emrat, por duke u bazuar në mirëbesim ndaj SRV (kryesisht të Xhavit Halitit dhe Azem Sylës). Gjithashtu, Kryesia në të njëjten mbledhje vendosi të publikonte komunikata për akcionet që kryente UÇK-ja në formim, në Kosovë, duke filluar nga komunikata me numrin 11, për të lënë të nënkuptohej se aksionet e deriatëhershme guerile ishin publikuar në 10 komunikatat pararendëse, të cilat, në fakt, nuk ishin publikuar.

Pra, meqë UÇK-ja nuk i kishte ende kapacitetet në Kosovë për t’I publikuar vet komunikatat, Kryesia e Lëvizjes (në emigracion) u përcaktua t’i shkruante e t’i publikonte, “në emër” të SHQ të UÇK-së. Komunikatat në vazhdim, deri ajo me numër 49, i ka shkruar e publikuar Kryesia (sepse SRV i kishte tre veta qe nuk dinin të formulonin komunikata). Pastaj, nga komunikata nr. 50 e tutje, janë formuluar nga NPK-ja (Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi) dhe argatët e tyre.

Nga investigimet që i kam bërë gjatë viteve të pasluftës, më rezulton se SHQ (Shtabi Qendror), deri më 27 janar 1997, kur ishte burgosur Nait Hasani, përbehej vetëm nga Nait Hasani, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi dhe Sokol Bashota. Spekulohet se edhe Bislim Zogaj, i burgosur më 31 janar 1997, ishte anëtar. Ndërsa, komandantë të asaj katërsheje janë vetëquajtur Xhavit Halit dhe Azem Syla.

Ai SHQ mund të ketë pas, gjithsej, 5-6 ushtarë, meqë pjesëtarët e grupeve guerile, për arsyet që nuk kam mund t’i identifikoj, nuk kanë pranuar të subordinohen në komandimin e atij SHQ. Besoj, pengesa kryesore duhet të ketë qenë Xhavit Haliti, meqë për të, qysh moti, kishim dyshuar se ishte marionetë e shërbimeve jugosllave. Pra, ai SHQ, gjegjësisht “komandantët” e tij, Azem Syla e Xhavit Haliti, nuk i quante pjesëtarë të “UÇK” se tyre Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Adrian Krasniqin, me grupet e tyre, as edhe grupet e tjera guerile. Që do të thotë, ata ishin UÇK-ja, kurse SHQ i Xhavit Halitit dhe Azem Sylës ishin simulimi “UÇK” për ta përdor kundër UÇK-së.

As sipas aktgjykimit të Nait Hasanit dhe 17 të tjerëve, nuk rezulton se ai SHQ dhe ushtarët e tij kanë bërë ndonjë sulm gueril gjatë katër viteve (Kishin planfikuar, por kishin dështuar në finalizim të tyre...).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat