Vota e Arifit, krejt çka ndodhi që nga votimi i Qeverisë Hoti deri në dërgimin e lëndës në Kushtetuese

Aktuale

Vota e Arifit, krejt çka ndodhi që nga votimi i Qeverisë Hoti deri në dërgimin e lëndës në Kushtetuese

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 01:11
Deputeti Etem Arifi

Deputeti Etem Arifi në vitin 2018 ishte i dënuar për veprën penale mashtrim. Më 4 gusht të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar fletarrest për Arifin për ta vuajtur dënimin me një vit e tre muaj.

Deputeti duhej të burgosej në mars të këtij viti, por atij iu shty dy herë vuajtja e dënimit nga Gjykata e Apelit për shkak të kërkesave të tij që kishte drejtuar tek ky institucion.

Ndërsa në herën e tretë atij iu refuzua kjo kërkesë. Pas udhërarrestit, Arifi kishte dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese ankesë por edhe ajo iu ishte refuzuar.

Më 29 shtator, deputeti ishte dorëzuar tek organet e drejtësisë.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje e cila në qershor të këtij viti kishte dërguar në Kushtetuese rastin e deputetit të dënuar Etem Arifi, i cili kishte votuar pro formimit të Qeverisë Hoti.

Kjo parti kishtë thënë se vota e tij si përcaktuese e bënte edhe më të paligjshme Qeverinë.

“Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhej në njoftimin e VV-së.

Tek më 2 dhjetor nga ora 10:00 Kushtetuesja ishte mbledhur për ta vlerësuar ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, lidhur me zgjedhjen e Qeverisë, kjo pasë dërgimit të këtij rasti nga LVV-ja.

Për shkak të rrethanave të krijuara si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, seanca dëgjimore publike ishte mbajtur nëpërmjet video-konferencës (online), përmes platformës Zoom.

Pas gjitha këtyre zhvillimeve, Gjykata Kushtetuese sonte doli me vendim sipas të cilit që vota e deputetit Etem Arifi nuk është e ligjshme, prandaj ka konstatuar se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i datës 3 qershor 2020, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gjithashtu, Kushtetuesja ka konstatuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes nga ana e presidentes në detyrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat