Kurti: Heronjtë tanë nuk i harrojmë dot kurrë

Aktuale

Kurti: Heronjtë tanë nuk i harrojmë dot kurrë

Më: 17 janar 2021 Në ora: 14:43
Arkiv

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar heron kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu si dhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zekën, duke thënë se heronjtë nuk t’i harrojnë dot kurrë.

Kurti, heronjtë i ka kujtuar përmes shkrimtarit, Ismail Kaderesë, të cilin e quajti artist i lartë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sot është 17 janari, ditë në të cilën në vitin 1468 vdiq heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, gjatë qëndresës mbrojtëse të të cilit nisi të kristalizohet identiteti politik shqiptar. Po në këtë ditë, në vitin 1982, u vranë në Gjermani dëshmorët Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka.

Unë do t’i kujtoj ata përmes shkrimtarit tonë më të shquar, Ismail Kadaresë, i cili për strategun gjenial të përmasave botërore, Skënderbeun, shkruan te romani “Kështjella”:

“Ne e dinim se ata nuk do të dërgonin më një ekspeditë ndëshkimore si ajo që Gjergji ynë e shpartalloi në Torvioll, por mizërinë e pafundme të ushtrisë më të madhe të botës. Kështjella jonë ishte e para që do të priste dyndjen e tyre. Gjatë gjithë pranverës ne forcuam muret e saj, rindërtuam kullat e dëmtuara, shtuam rezervat e armëve dhe të ushqimeve dhe i stërvitëm ditë e natë të rinjtë për luftë. Më në fund erdhi lajmi që ata ishin nisur.
Ata lëviznin ngadalë. Në mesin e qershorit kapërcyen kufirin. Një ditë më vonë Gjergji erdhi për të inspektuar kështjellën. Sipas taktikës së tij të përhershme, ai do të mbetej për të luftuar jashtë mureve. Pasi kontrolloi çdo gjë dhe pasi dha udhëzime për gjithçka, në mbasditen e 11 qershorit ai doli nga kështjella bashkë me shoqëruesit, duke marrë me vete pleqtë, një pjesë të grave dhe fëmijët tanë, të cilët gjatë kohës së luftës do të strehohen lart në male”.

Po ashtu, me Kadarenë, po përkujtojmë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, me këtë pjesë nga tregimi i tij “Baladë për vdekjen e J. G.”:

“I kujtoheshin vetëm ca parandjenja të këqija. Por edhe për to nuk ishte e sigurt nëse i kishte dëgjuar diku apo i kishte menduar ajo vetë. Ishte thënë diçka për natën e 17 Janarit. Për 17 Janarin e vitit 1468. Madje, ishte përmendur vdekja: ah, po, një orë më parë e kishte përmendur J. Sot është dita e vdekjes së Skënderbeut. Kështu kishte thënë, duke kthyer kryet nga kalendari ku ishte një pikturë e Degas, një balerinë aq e papërshtatshme për ditën e mbarimit të kryezotit mesjetar… E megjithatë, tani i dukej se pikërisht ajo balerinë i sulej nga grumbujt e borës ndanë rrugës, drejt dritares së veshur të taksisë, si për t’i kumtuar diçka. Diçka që ngjante herë si shpresë e dhimbshme, herë si një hare misterioze.

Në orën 23.20, J. G. gjendej i shtrirë në tryezën e operacionit. Në kohën që narkozëdhënësi po i afrohej, ai bëri një shenjë me dorë, si për ta ndalur dhe për herë të tretë tha se donte të bënte një deklaratë në prani të mjekëve dhe të një përfaqësuesi të ligjit. E futën policin Peter S., pasi i veshën me shpejtësi bluzën e bardhë dhe në prani të tij e të mjekëve tha, me një zë që për herë të parë jepte shenjën e lodhjes: “Deklaroj se mua, J. G., vëllanë tim B. G. dhe shokun tonë K. Z. na Vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.”

Heronjtë tanë nuk i harrojmë dot kurrë. Por i kujtojmë më cilësisht kur kemi ndihmën e artistit të nivelit të lartë, siç padyshim është Ismail Kadare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat