FSK nis misionin e parë paqeruajtës në botë, krerët institucionalë e cilësojnë ditë historike

Aktuale

FSK nis misionin e parë paqeruajtës në botë, krerët institucionalë e cilësojnë ditë historike

Më: 9 mars 2021 Në ora: 11:38
Rrahman Rama

(E plotësuar 13:48) - Me ceremoni shtetërore është bërë zbarkimi i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të marrë pjesë në misionin e parë paqeruajtës në botë. Krah ushtrisë amerikane, pjesëtarë të Forcës do të shërbejnë së paku gjashtë muaj në shtetin e Kuvajtit. Në ceremoni, ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani tha se ushtarët e Kosovës do të jenë gjithmonë aty ku rrezikohen interesat e shtetit dhe të aleatëve. Osmani tha se kërcënimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënkupton kërcënim edhe për Republikën e Kosovës.

“O Zot, dhuroju dinjitet, kurajo dhe guxim në mënyrë që të jetojnë ndershëm në shërbim të vendit”, është kjo një pjesë e lutjes që i përcjellë ushtarët e Kosovës drejt një misioni paqeruajtës në botë.

Me këtë edhe nisi ceremonia sot në kazermën “Adem Jashari” lexuar nga Kapedani i Forcës së Sigurisë së Kosovës, rreshter major Agim Gashi.

Gashi: Lutemi për ushtarët që do të shërbejnë jashtë vendit

“O Zot, ndihmona të bëjmë Ushtrinë e Kosovës të ditur e të guximshme, mundësona që aty ku shkel këmba e ushtarit tonë të jetë vend i sigurt dhe i qetë. Të lutem o i madhi Zot, forcona vullnetin tonë, harmoninë fetare dhe kombëtare. O Zot, madhëro paqe për ne, për familjet tona, dhe paqe për gjithë botën e mbarë”.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani që është edhe komandant suprem i Forcës, tha se ky mision nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e ushtrisë amerikane.

Osmani: Kushdo që kërcënon SHBA, kërcënon Republikën e Kosovës

“Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi, ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tona e vlerat të cilat besojmë por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë të tjerë. Pra, që të jemi të qartë, kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovë, Amerika e aleatët e tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më besnik. Të dashur ushtarakë, ju po niseni drejt një sakrifice të re e cila nuk do të jetë vetëm e juaja por edhe familjeve tuaja dhe e gjithë shtetit”, tha Osmani.

Ushtarëve të FSK-së, Osmani u shprehu gatishmërinë për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale duke premtuar edhe pajisje moderne.

Ajo tha se misioni paqeruajtës në Kuvajt është edhe testim i kapaciteteve të ushtarëve për të shkurtuar afatin kohor të transformimit të FSK-së me kapacitete të plota operacionale.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se ushtarët po zbarkojnë në një mision fisnik dhe po e jetësojnë një qëllim për të cilin shumë gjenerata u sakrifikuan.

Rama: Shërbimi ndaj atdheut kërkon sakrificë të madhe

“Detyra jonë, shërbimi ndaj vendit, kërkon një sakrificë të madhe, unë e di që është shumë e vështirë të jeni larg familjeve tuaja për një kohë të gjatë, por liria nuk është falas, ajo paguhet me sakrificën e ushtarëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të shërbimit tuaj dhe ushtarëve të tjerë ne jetojmë në një botë më të mirë dhe më të sigurt”, tha Rama.

Ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ish-komandant i UÇK-së, pati një porosi për ushtarakët.

Quni: Ushtarët do të kthehen me histori suksesi

“Siç e kemi traditën tonë të kultivuar ndër shekuj, respektoni dhe vlerësoni që të gjithë, ata janë krenarë me identitetin e tyre ashtu siç jemi edhe ne me identitetin tonë, sepse kjo është madhështia e paqes universale dhe respektit të ndërsjellë. Të dashur ushtarë, ju presim të ktheheni me një histori suksesi duke rritur rolin e Kosovës si një partner të besueshëm dhe faktor stabiliteti për paqen dhe sigurinë rajonale dhe botërore”, tha Quni.

Ushtarëve u është drejtuar përmes një video incizimi edhe gjenerali i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Benjamin Corell i cili tha se ShBA-të dhe Kosova synojnë arritjen e paqes dhe stabilitetit në botë.

Në ceremoni, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama vendosi shiritin për dislokim, e çdo gjë përfundoi me lutjen e lexuar nga Kapedani i Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Në fillim të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin që mundëson pjesëmarrjen e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e parë paqeruajtës në botë. Ata do të jenë krah ushtrisë amerikane në shtetin e Kuvajtit për së paku gjashtë muaj shërbim.

Hoti: I privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie, kontingjenti FSK zbarkoi në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti thotë se ndihet i privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) zbarkoi në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt.

Hoti pas ceremonisë së zbarkimit të kontingjentit të FSK në misionin paqeruajtës, shkruan se pjesëmarrja në këtë mision bashkë me ShBA-të është ndër hapat më të rëndësishëm historik.

“Ndjehem vërtetë i privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie, kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zbarkoi në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt, bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës. Pjesëmarrja në misione paqeruajtëse, bashkë me aleatin tonë kryesor strategjik SHBA-të, është ndër hapat më të rëndësishëm historikisht, që ka bërë Kosova si shtet dhe si Forcë e Sigurisë, drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike. Gjithmonë krenar me djemtë dhe vajzat e FSK-së”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

***

Në Forcën e Sigurisë së Kosovës po mbahet ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së për në misionin e parë paqeruajtës në botë, ku do jenë krah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se kjo është ditë historike.

“Kam ardhur t’ju them Zoti ju ruajt dhe faleminderit”, tha Osmani para ushtarëve të Forcës.

“Misioni gjashtë mujor po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ushtrinë amerikane, paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik”, tha tutje ajo.

Osmani deklaroi se Kosova e bëri lirinë dhe ndërtoi paqen bashkë me miqtë ndërkombëtarë.

“Ky kontingjent është i vogël në numër por i madh në përmbajtje dhe mesazh. Këta djem po shkruajnë historinë e re të Kosovës”, shtoi ajo.

“Si politikanë ndonjëherë mund edhe të mos pajtohemi e të debatojmë ashpër, Kjo është pjesë e demokracisë sonë, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, për ushtrinë tonë, si politikanë dhe qytetarë ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Ne te gjithë jemi krenar me ju”, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat