Abdixhiku reformon kupolën, humbësit e mëdhenj kontrollojnë ende degët

Aktuale

Abdixhiku reformon kupolën, humbësit e mëdhenj kontrollojnë ende degët

Më: 21 mars 2021 Në ora: 16:18
Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë kësaj jave përmbylli ndryshimet përbrenda partisë. Kryetari i ri u mundua të bëjë një reformë duke emëruar disa emra të rinj, e duke larguar disa të vjetër. Ndaj këtyre ndryshimeve po reagojnë ata që mbetën jashtë. Por sërish zhvillimet në LDK po shihen me skepticizëm nga njohësit e politikës.

Dje LDK-ja mbajti mbledhjen e parë me kryesinë e re, e në të u panë edhe emrat të cilët morën besimin e Lumir Abdixhikut për të qenë në krye të këtij subjekti.

Ajo që ra në sy ishin tentativat e Abdixhikut për të lënë jashtë ‘gardën e vjetër’, siç janë: Agim Veliu, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Muharrem Svarqa, Skënder Hyseni, Naser Osmani. Jashtë mbetën edhe  Florian Dushi e sekretari Arban Abrashi.

Në vend të tyre erdhën ‘prurje të reja’, siç po cilësohën Shqipe Mjekiqi, e cila është zgjedhur nënkryetare e LDK-së e që dikur ishte krahu i djathtë i Skender Hysenit, por edhe disa ministrave të LDK-së.  Pjesë e Kryesisë së re do të jenë edhe Alban Zogaj, dikur shef i kabinetit të mistrisë së Infrastrukturës, kur e udhëhoqi Abdixhiku e që njëherit është mik i tij edhe në Riinvest. Emrat e tjetër janë  Sibel Halimi, Faton Bislimi e Muhamet Hamiti.

Më këta Lumir Abdixhiku po mundohet të sjell një ‘reformë’, por në fakt nëse bëjmë një kthim mbrapa, do të shohim që në kryesin e re është dhe Safet Kamberi, Xhafer Tahiri, Rrezarta Krasniqi, Doruntina Maloku e Besa Gaxherri, këta të fundit e përkrahën fuqishëm kandidaturën e kryetarit të sapo zgjedhur të LDK-së. Abdixhiku jashtë nuk e la as mikun e tij, Kujtim Shalën dhe kundër-kandidatin, Besian Mustafën dhe ish-kandidatin për kryeministër Avdulla Hotin. Në gjithë këta emra të rinj janë vetëm ‘prurjet’ e reja që zyrtarizuan anëtarsimin e tyre.

Ndaj këtyre emrave po reagojnë ata që deri dje ishin pjesë e kryesisë.

Driton Selmanaj që mbeti jashtë këtyre strukturave tha se sjellja e Abdixhikut për t’u takuar veçmas me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i bën dëm LDK-së.

 “Çdo përpjekje për ta nda apo diferenca Vjosën nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferua mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Ai ka thënë se LDK-ja rrëzohet edhe më shumë me këto veprime, që sipas tij ia humbin dinjitetin edhe atyre që në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan për këtë parti.

I ashpër me kryetarin e ri po është edhe Naser Rugova. Ai po thotë se ‘formulë e dështuar politike’ po riciklohet në majat e LDK-së, duke shtuar se  logjika dhe filozofia e partisë ORA dhe FER janë refuzuar nga elektorati i Kosovës.

Ai pyet se çka është ky eksperiment me LDK-në që po e bën kryetari i ri.

E këto ndryshime po i sheh me skepticizëm edhe njohësi i çështjeve politike, dr. Gurakuq Kuçi.

Ai në një prononcim thotë se reformë e vërtetë do të ishte sikur të ndodhni nga poshtë-lartë e jo siç po veprohet tani.

“Reforma e vërtetë e LDK-së do të vinte nga poshtë-lartë. Sikur Isa Mustafa të jepte dorëheqje me kohë, të krijohej një grup punues dhe të shkonte gjithë LDK-ja në zgjedhje nga nëndegë, degët e deri tek këshilli i përgjithshëm, atëherë mund të flisnim për një reformë të mirëfilltë dhe shkapje reale të partisë. Përndryshe kjo më shumë mund të konsiderohet vetëm si ndryshim i kryetarit dhe kryesisë me disa emra, ashtu siç ka pas bërë PDK-ja nga Thaçi tek Veseli dhe LVV-ja nga Ymeri tek Kurti”.

Kuçi mendon se ky proces po bëhet nën hijen e Mustafës, pasi edhe Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së nga njerëzit e njëjt.

“Pra, ky proces e vendos nën hije të Mustafës edhe kryetarin e ri të LDK-së bashkë me kryesinë e re, sepse në fund të fundit z. Abdixhiku është zgjedhur nga njerëzit e njëjtë që ishte zgjedhur edhe Mustafa. Kjo nuk d.m.th. që z. Abdixhiku mund të mos ndryshojë nga stili i Mustafës duke pasur parasysh shembullin e znj, Osmani.”

Në fund, Kuçi shton se në përgjithësi paritë në Kosovë ndryshimet në kryesi i bëjnë si një fontan dëshirash dhe në këtë rast duhet t’i japim hapësirë edhe LDK-së për të parë nëse ishte kamuflim apo ndryshim i vërtetë.

“Megjithatë, kryesitë e partive në Kosovë më shumë janë fontana dëshirash për veprime ashtu si dëshiron kryetari i partisë andaj edhe këto zgjedhje të kryesisë së re nuk është që mund të jenë indikator i madh për të treguar reformë apo mos-reformë në një parti. Por, kryesia e re tregon se duke mos pasur emra si Veliu, Rugova e Selmanaj megjithatë ka një indikator për shmangie nga e kaluara, por a është kamoflim apo i vërtetë duhet të u japim kohë vlerësimeve. Zgjedhjet lokale janë matësi i ri për të ardhmen e Abdixhikut dhe kryesisë së re. Nëse dështojnë, krahu i Lutfi Hazirit nuk do e durojë këtë” – përfundon Kuçi.

Kujtojmë se Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së, pasi mori besimin e 191 delegatëve, kundrejt dy kandidatëve të tij, Lufti Hazirit e Besian Mustafës, ku të parin e la nënkryetar e të dytin e vendosi në kryesi të partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat