Samiti në Bërdo/Vuçiq: Pa marrëveshje me liderët e rajonit për kufijtë

Aktuale

Samiti në Bërdo/Vuçiq: Pa marrëveshje me liderët e rajonit për kufijtë

Më: 17 maj 2021 Në ora: 13:10
Në Bërdo të Sllovenisë mbahet samiti rajonal

(E plotësuar 15:18) - Në Bërdo të Sllovenisë, ka përfunduar samiti i shefave të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, që është në kuadër të nismës së përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë Bërdo Brion. Kjo nismë ka për qëllim të ndihmojë vendet e rajonit në procesin e integrimeve evropiane.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është larguar para përfundimit të samitit, me arsyetimin se ka takime në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai citohet t’u ketë thënë gazetarëve serbë se nuk ka pranuar që në konkluzat e takimit, të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që sipas tij, nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës.

Vuçiq ka insistuar se Kosova është “pjesë e Serbisë” dhe se “me shpalljen e pavarësisë së Kosovës po ashtu nuk është respektuar parimi i mosndryshimit të kufijve”.

Në takim morën pjesë presidentja e Kosovës, Vosa Osmani-Sadriu, krahas kolegëve nga shtetet tjera të rajonit, presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovskit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiqit të Serbisë ndërsa nga Bosnja e Hercegvoina janë ftuar të tre anëtarët e presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.

Para samitit në Bërdo, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka zhvilluar disa vizita përgatitore nëpër vendet e rajonit. Ai dje (16 maj) në Bled të Sllovenisë ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Millanoviq, bashkëkryesuesin e samitit të sotëm.

Millanoviq ka thënë se qëllimi i takimit është që t'u ndihmohet fqinjëve që “sa më shpejtë dhe sa më lehtë, nëse është e mundur, të hyjnë në Bashkimin Evropian”.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë në prag të takimit se me rëndësi të madhe është që të formohet një qëndrim i përbashkët për zgjerim më të shpejtë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi për reforma që duhet t'i kryejnë këto vende për ta arritur këtë qëllim.

“Nëse do të kemi sukses në këtë drejtim do të jetë një arritje dhe një shpërblim për kurajon e këtij procesi, pasi shumica e liderëve nga rajoni para dhjetë vjetësh nuk kishin fare raporte dhe nuk bisedonin mes vete”, ka thënë, Pahor duke paralajmëruar se do të ketë biseda të hapura në këtë samit.

Ai ka shprehur bindjen se konkluzat që do të miratohen do të jenë një hap i madh përpara në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Sipas draftit të kësaj deklarate të përbashkët, do të bëhet ftesë për një qasje të përbashkët në procesin e zgjerimit të BE-së. Po ashtu edhe për bashkëpunim më të madh mes vendeve të rajonit.

Gjatë ditës, në margjina të samitit në Bërdo, do të zhvillohen edhe një varg takimesh bileterale.

Presidentja e Kosovës, Osmani u takua me homologun e saj kroat, Zoran Millanoviq, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, veçmas në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Temat që do të diskutohen në takimin në Bërdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Bërdo-Brijoni në 10- vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE-së, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Zyrës së presidentes së Kosovës.

Presisndetja e Kosovës do të takohet me homologët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Nis takimi i Brdo-Brijunit ku po merr pjesë edhe Osmani, Vuçiq kundërshton dokumentin për kufijtë

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka thënë se takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Slloveni këtë të hënë është dëshmi për mbështetjen që i japin këto vende paqes në rajon.

“Ky takim i rëndësishëm sot i Udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit dëshmon se i japim një mbështetje më të fortë dhe më shumë solidaritet bashkëpunimit rajonal për të konsoliduar paqen dhe përshpejtuar integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, ka shkruar Meta.

Në këtë takim është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila udhëtoi sot drejt Sllovenisë.

Në kuadër të Samitit të presidentëve të rajonit Brdo-Brijun në Sloveni, konferenca për media do të mbahet në orën 14:15.

***

Ka nisur në Brdo të Sllovenisë takimi i presidentëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor dhe nikoqirëve të samitit i cili mbahet tash e dhjetë vjet dhe njihet  si  procesi Brdo-Brijuni.

Kosovën në këtë takim e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani. Temat kyçe të diskutimit janë përshpejtimi i integrimit të vendeve të perendimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian, ngritja ekonomike pas pandemisë si dhe sigurimi i vaksinave kundër koronavirusit.

Nuk dihet se nëse do të nxirret deklarata e përbashkët për shkak të refuzimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq i cili ka thënë se konkluzionet e dokumentit final kur flitet për mosndryshimin e kufijve në rajon duhet të jenë vetëm në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, pra vendimet e OKB-së.

Ndryshe, presidentja Osmani në margjina të samitit ka takuar homologun kroat, Zoran Milanoviq që është njëri nga nikoqirët.

Siç njoftohet, Milanoviq i ka thënë Osmanit se Kroacia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës  si dhe liberalizimin e vizave për në BE të shtetasve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat