Harrojeni liberalizimin e vizave sivjet, eksperti i integrimeve tregon skenarin për 2022

Aktuale

Harrojeni liberalizimin e vizave sivjet, eksperti i integrimeve tregon skenarin për 2022

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 10:24
Foto ilustrim

Tash e disa vite qytetarët e Kosovës janë duke pritur liberalizimin e vizave.

Kjo gjë duket se nuk do të ndodhë as këtë vit, këtë po e thotë eksperti i integrimeve, Demush Shasha në një postim në Facebook.

Sipas ekspertit, viti 2022 do të jetë vit i liberalizimit të vizave nëse qytetarët e Kosovës do të ndjekin dy rrugët si: lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe dialogu me Serbinë.

Postimi i plotë:

Gjatë 6 muajve të fundit të Presidencës së Këshillit të BE-së, Portugalia ka bërë progres në një numër të çështjeve kyçe të BE-së, siç janë reforma e politikës kolosale bujqësore të BE-së, dakordimi për Ligjin e parë të BE-së për Ndryshimet Klimatike, dakordimi për Ligjin për Transparencë Tatimore dhe finalizmi i pasaportës COVID-19 të BE-së.

Kjo listë e sukseseve të Presidencës së Këshillit të BE-së të Portugalisë është edhe tregues i bukur për kompleksitetin e prioriteteve të BE-së dhe numrit tejet të madh të urgjencave me të cilat ballafaqohet BE-ja. Pra, me fjalë të tjera Ballkani Perëndimor është vetëm një yll i vogël në kuadër të galaksisë së prioriteteve të BE-së.

Prandaj, sa herë që Ballkanit Perëndimor i ofrohet një dritare e vogël e vëmendjes politike të BE-së, vendet e rajonit duhet të tregojnë pjekurinë dhe të shfrytëzojnë maksimalisht vëmendjen politike të BE-së për të avancuar rrugën evropiane të rajonit.

Në këtë kuptim, Presidenca e ardhshme e Sllovenisë do jetë një dritare e vogël e vëmendjes politike të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Pa nisur mirë Presidenca e Sllovenisë, Kryeministrit i Sllovenisë, Presidenti i Sllovenisë dhe Ministri i Jashtëm i Sllovenisë e kanë bërë të qartë se Ballkani do jetë prioritet i Presidencës së tyre. Në këtë kuptim, ata tani më kanë realizuar një numër të takimeve të nivelit të lartë për të krijuar mjedisin e nevojshëm politik për të mbështetur këtë synim të tyre. Po ashtu, për të mbajtur Ballkanin në agjendë ata kanë paralajmëruar mbajtjen e Samitit të Liderëve në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, sa i përket rrugës Evropiane të Kosovës çdo gjë do varet nga neve. Nëse ne përfundojmë detyrat e shtëpisë, atëherë edhe miqtë tanë do të mund të na ndihmojnë. Në këtë kuptim, sa i përket liberalizimit të vizave neve duhet të bëjmë progres në dy drejtime: lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe dialogu me Serbinë. Pa progres në këto dy drejtime nuk duhet të mbajmë shpresat për liberalizim të vizave. Në një skenar tejet optimist, ku brenda pak muajve do kemi disa raste të rëndësishme të nivelit të lartë të luftës kundër korrupsionit dhe bëjmë progres të ndjeshëm në dialog me Serbinë, atëherë mund të llogaritim në një skenar ku procedura për liberalizimin e vizave do të vazhdoj në kuadër të institucioneve të BE-së gjatë këtij viti dhe do të mundësoj udhëtimin e lirshëm të qytetarëve të Kosovës diku gjatë vitit 2022. Për të kuptuar drejt vendimmarrjen e liberalizimit të vizave brenda institucioneve të BE-së, imagjinonin sikur nesër të zgjohen nga gjumi Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron dhe pajtohen për liberalizim të vizave për Kosovën. Edhe në një skenar të tille imagjinar Kosovës do i duhej minimalisht 6 muaj që të kaloj nëpër procedura të ndryshme legjislative të BE-së për të udhëtuar lirshëm në shtetet e zonës Shengen.

Pra, me fjalë të tjera ti mbajmë shpresat e vogla dhe reale, e të kryejmë detyrat e shumta të shtëpisë. Më pak të fajësojmë për paaftësinë tonë liderët politik në Francë dhe Holandë, e më shumë të kërkojmë llogaridhënie nga liderët tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat