Në interes të studentëve konkurrenca mes universiteteve publike dhe atyre private

Aktuale

Në interes të studentëve konkurrenca mes universiteteve publike dhe atyre private

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 23:29
Foto ilustrim

Për shkak të numrit të vogël të pranimeve në Universitetin e Prishtinës, Megita Arifi është shtyrë të orientohet për studime në një universitet privat.

Përkundër dëshirës së madhe të saj për t’u regjistruar në një universitet publik, ajo u shpreh e zhgënjyer pasi që nuk u pranua.

Ajo shprehu shqetësimet e saj që nuk u pranua në Universitetin e Prishtinës.

“Interesimi për studime në Universitete Publike po është i madh, por numri i vogël i tyre po pranohen. Ky po është shkaku kryesor që ne pastaj po vendosim të drejtohemi kah ndonjë universitet privat. Unë nuk pata mundësi që të pranohem, por duke mos dashur ta humbas një vit, vendosa të regjistrohem në kolegjin privat AAB”, tha Arifi, tash studente e re në një kolegj privat.

Si shkak tjetër që të rinjtë po mësyjnë institucionet private të arsimit, sipas saj, po janë dhe mundësitë më të mira që kolegjet private po afrojnë në krahasim më ato publike.

“E vërtetë që Universitetet Publike po janë me kosto më të ulët të shpenzimeve, por që kushtet po janë më të mira në Universitetet Private”, shtoi Arifi.

Sipas njohësit të fushës së arsimit në Kosovë Rinor Qehaja, arsyet e uljes së interesimit të studentëve duhet të analizohen me saktësi.

Procesi i përzgjedhjes së studentëve, siç thotë ai, ka qenë një dështim.

“Duhet të analizohen me saktësi arsyet e uljes së interesimit të studenteve për shkollimin universitare në universitete publike – dështimi në rekrutim të studentëve paraqet përgjegjësi për menaxhmentin e universiteteve publike”, tha Qehaja.

Arsyet e rënies së interesimit për universitete publike, sipas tij, janë të ndryshme, ai i ceku vetëm disa.

Si njëra nga arsyet që rezulton në uljen e numrit të studentëve, sipas Qehasë, është gjendja demografike.

Po ashtu edhe si shkak tjetër, sipas tij, është edhe ulja e trendit të studimeve nga studentët e diplomuar në shkolla profesionale, e deri tek vetëdijesimi i studentëve për studime më cilësore me kushte më të favorshme.

“Vetëdijesimit më të rritur të studenteve për studime më cilësore me kushte më të favorshme të studimit duke orientuar një numër më të madh tek privatet qysh në afatin e parë”, tha Qehaja.

Ai beson shumë se konkurrenca mes universiteteve publike dhe atyre private e rritë cilësinë e studimeve, gjë që është në interesin e studentëve.

“Besoj shumë që një konkurrencë e mirë mes publikut dhe privatit do të rriste cilësinë e studimeve në interes të studentëve, kjo, është duke marr kuptim nga viti në vit – studentët janë më të vetëdijshëm për ofertën e institucioneve të arsimit të lartë, dhe përzgjedhja e tyre ka për bazë këtë ofertë”, shtoi Qehaja.

Sipas tij institucionet publike e kanë komoditetin e financimit më të mirë dhe të mos e marrin si të mirëqenë pasi që vetëm atëherë do të kenë performim më të mirë.

“Institucionet publike të arsimit të lartë kanë komoditetin e financimit publik mirëpo gjykojmë që kjo duhet të jetë subjekt i performances së tyre, përfshirë numrin e studentëve të rekrutuar. Pra, universitetet publike të mos e marrin të mirëqenë financimin e tyre – kjo, vlerësojmë do të nxiste universitet për performim dhe llogaridhënie”, tha Qehaja.

Ndërsa sipas Universitetit të Prishtinës interesimi i studentëve të rijnë është në krahasim me vitet e tjera.

“Ju njoftojmë që interesimi i të rinjve për t’u bërë pjesë e Universitetit të Prishtinës është i krahasueshëm me vitet paraprake. Në disa programe studimore është shënuar ngritje e interesimit, e në disa të tjera interesimi i të rinjve ka shënuar rënie”, kanë thënë nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Gazeta ka kërkuar edhe nga Ministria e Arsimit përgjigje në lidhje me këtë çështje, por kjo ministri nuk ka treguar gatishmëri për të dhënë kurrfarë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat