Përfundon numërimi i votave të diasporës, ja kush po prin në Prishtinë/ Kjo komunë ishte befasia e radhës

Aktuale

Përfundon numërimi i votave të diasporës, ja kush po prin në Prishtinë/ Kjo komunë ishte befasia e radhës

Më: 24 tetor 2021 Në ora: 11:39
Foto ilustrim

(E plotësuar 21:37) -  Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës në adresë të KQZ-së gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor, për Zgjedhjet Lokale 2021. Në disa komuna gara ka përfunduar në raundin e parë dhe qytetarët nuk do të kenë nevojë t’u drejtohen përsëri kutive të votimit. Megjithatë, në shumicën prej komunave të mëdha, përfshirë edhe kryeqytetin, pritet një garë e fortë mes kandidatëve.

Për komunën e Prishtinës, mërgimtarët votuan më shumë kandidatin e VV-së, Arben Vitia, por jo mjaftueshëm që ky të sigurojë një fitore pa balotazh.

Vitia mori 231 vota, ndërkohë kandidati i LDK-së, Përparim Rama ka marrë 52. Rama dhe Vitia do të garojnë në balotazh pasi asnjëri nuk ka arritur të marrë mbi 50% të votave në total në raundin e parë.

Në komunën e Prizrenit, mërgimtarët kanë votuar më shumë kandidatin e VV-së, Mytaher Haskuka, i ndjekur ngushtë nga kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj.

Haskuka ka marrë 202 vota, ndërsa Totaj ka marrë 171 vota.

Në Gjilan, Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni ka arritur të marrë më së shumti vota nga diaspora për të udhëhequr me këtë komunë, gjithsej 199. Pas tij, më së shumti vota ka siguruar kandidati për kryetar nga radhët e LDK’së, Lutfi Haziri. Haziri ka arritur të marrë 99 vota.

Në komunën e Gjakovës, Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare, Mimoza Kusari-Lila ka marrë më së shumti vota nga diaspora, gjithsej 289. Pas saj, më së shumti vota ka marrë kandidati për kryetar nga ana e AAK’së, Ardian Gjini, gjithsej 178 vota.

Në komunën e Podujevës, Kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka arritur të sigurojë më së shumti vota nga diaspora për të udhëhequr me këtë komunë. Ai ka marrë 161 vota. Pas tij, Ekrem Hyseni nga radhët e LDK’së ka marrë 25 vota, ndërsa Besnik Tahiri i AAK’së, 8 vota.

Në komunën e Rahovecit gjërat ishin pak më ndryshe, këtu mërgata votoi për një kandidat që nuk është nga VV-ja. Kandidati nga radhët e AAK’së, Smajl Latifi ka arritur të marrë 91 vota nga diaspora. Pas tij, më së shumti ka marrë kandidati i LVV’së, Visar Korenica, gjithsej 76 vota.

Në Kamenicë ishte garë e ngushtë mes dy kandidatëve. Nga 265 vota të diasporës, Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar shumicën prej tyre apo 168 duke lënë prapa Qëndron Kastratin e PSD-së i cili mori 63.

Në Komunën e Junikut, 446 vota të diasporës mori Ruzhi Shehu i LDK-së. Ndërkohë, Agron Kuçi i AAK-së mori 330 vota nga diaspora.

E në Han të Elezit situata është ende e paqartë, aty PAZP ka vendosur të ketë rivotim, ndërkohë PDK ka dërguar ankesë në Supreme dhe ende pritet një vendim përfundimtar. Ashtu sikur në votimin primar, edhe në atë të mërgatës, fitues doli kandidati i PDK-së Mehmet Ballazhi. nga 74 vota të diasporës PDK-ja mori 53 prej tyre, ndërsa Rufki Suma mori 16 vota.

Në komunën e Dragashit, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, ka marrë 359 vota. Ndërkohë, kundërshtari i tij në balotazh, Shaban Shabani, ka marrë 77 vota. Adnan Redzeplar i partisë Vakat ka marrë 157 vota.

Në komunën e Drenasit, Ramiz Lladrovci i PDK-së ka marrë 36 vota, 39 i ka marrë kandidati i VV-së, Fejzi Kiqina. Driton Ajazi i inicitavës DD ka marrë vetëm 4 vota por përsëri do të marrë pjesë në balotazh, ndërkohë Xhavit Drenori ka marrë 21 vota.

Në Malishevë, kandidati i VV-së, Alban Krasniqi ka marrë 183 vota, ndërsa Isni Kilaj i PDK-së ka marrë 121 vota. Ekrem Kastrati i Nismës ka 57 vota, e Bajrush Hoti ka marrë 53 vota. PDK dhe Nisma do të garojnë në balotazh për këtë komunë.

Në Viti, kandidati i PDK-së, Bekim Azizi, ka marrë besim nga mërgimtarët me 289 vota, por të pamjaftueshme për të kaluar në balotazh ku do të garojnë kandidati i VV-së, Arsim Ademi dhe Sokol Haliti i LDK-së. Haliti mori 122 vota nga mërgata, ndërsa Ademi mori 116.

Në komunën e Istogut, kandidati i LDK—së, Ilir Ferati fitoi bindshëm më së shumti vota nga mërgata. ai mori 231 vota, kundrejt 83 të Agron Avdiajt të VV-së dhe 70 të Bekë Berishës nga AAK. AAK dhe LDK shkojnë në balotazh nga kjo komunë.

Në Shtime, Qemajl Aliu nga Vv mori më shumë vota nga mërgata me 66, ndërkohë Naim Ismajli i PDK-së mori 4 e Bedri Zeqiri i LDK mori 5. VV dhe PDK do të shkojnë në balotazh.

Në Vushtrri,  Arsim Rexhepi – kandidat i VV-së ka marrë më së shumti vota me postë në atë komunë. Ai ka marrë 37 vota, katër më shumë se Xhafer Tahiri i LDK-së. Ndërsa Ferit Idrizin e PDK-së e kanë votuar vetëm 10 mërgimtarë. LDK dhe PDK do të garojnë në balotazh.

Në komunën e Klinës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thelluar edhe më shumë diferencën mes vendit të parë dhe të dytë me votat e diasporës. Nga 235 vota të diasporës në Klinë, 140 prej tyre i ka marrë Zenun Elezaj i AAK-së ndërsa Lulzim Dargidella i VV-së mori 36 vota, Besim Hoti i LDK-së 35 ndërsa Esat Raci i PDK-së 24. Në Klinë do të ketë balotazh mes Zenun Elezaj të AAK-së dhe Esat Racit të PDK-së.

Në Obiliq, VV do të garojë në balotazh me Xhafer Gashin. Kandidati i VV-së, Halil Thaci, mori 22 vota nga mërgata ndërkohë Gashi ka marrë 8 vota.

Në Kaçanik, Jeton Raka i VV-së ka marrë 56 vota, ndërsa Shkëlqim Jakupi i LDK-së ka marrë 17 dhe Besim Ilazi i PDK-së ka marrë 10. PDK e VV do të garojnë në balotazh.

E në Fushë Kosovë, Vetëvendosje në Fushë Kosovë mori 49 vota nga 75 sa u dërguan me postë. Enver Bajqinca i VV-së dhe Burim Berisha i LDK-së, do të shkojnë në balotazh.

Rezultatet e plota të votimit nga Diaspora i gjeni në linkun më poshtë.

KËTU

***

Arben Vitia merr mbi 72% të votave të diasporës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë numëruar votat që kanë ardhur nga jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në garën për Prishtinën Arben Vitia prin edhe për nga numri i votave të fituara nga diaspora.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, Vitia ka marrë 231 vota nga mërgata apo 72.64%.

I dyti renditet Përparim Rama i LDK-së me 52 vota (16%). Uran Ismaili ka marrë 23 vota apo 7%.

Daut Haradinaj i AAK-së ka marrë 9 vota nga diaspora, derisa Gëzim Mehmeti i AKR-së 3 vota.

Nesër pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

***

Votat e Diasporës/ Prin dukshëm Bulliqi në Podujevë

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka marrë 85 përqind të votave me postë.

Nga 194 vota me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 161 prej tyre, duke lënë prapa Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mori 25 vota me postë, kurse AAK mori tetë.

Momentalisht, duke numëruar edhe votat me postë, garës së balotazhit tashmë i prinë Lëvizja Vetëvendosje me vetëm 23 vota përpara Lidhjes Demokratike të Kosovës.

***

Diaspora e Lipjanit i jep më shumë vota LDK-së sesa VV-së

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti e ka fituar pa balotazh edhe një mandat në krye të kësaj komune.

Përveç që ka marrë mbi 50% të votave të rregullta, për Ahmetin kanë shkuar edhe shumica e votave të diasporës në këtë komunë. Ai ka marrë 95 vota, 26 më shumë sesa kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Kësisoj, Rrustemi edhe për nga votat e diasporës radhitet pas Ahmetit, duke marrë 69 prej tyre.

Hyzer Rizani nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka marrë 7 vota nga diaspora.

Nga rezultatet e përditësuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga votat e rregullta në Lipjan, Ahmeti ka marrë 56,45% të tyre, krahas 22,96% sa i ka marrë Rrustemi i LVV-së.

I trati radhitet Hyzer Rizani i PDK-së me 19,24%.

***

Votat e diasporës për Gjilanin, Alban Hyseni i LVV-së shton epërsinë 

Nga numërimi i votave të rregullta në Komunën  e Gjilanit, Alban Hyseni i LVV-së kishte një epërsi prej 261 votave ndaj Lutfi Hazirit të LDK-së, që  u rendit i dyti në garën.

Por me përfundimin e numërimit të votave të ardhura nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezultati thellohet në favor të kandidatit të LVV-së.

Në bazë të rezultateve të siguruara, rezultati i diasporës është për 100 vota në favor të Alban Hysenit të LVV-së në raport me Lutfi Hazirin e LDK-së.

Alban Hyseni (LVV) – 199 vota

Lutfi Haziri (LDK) – 99 vota

Leonora Morina-Bunjaku (PDK) – 20 vota

Lulzim Bexheti – 4 vota

Gani Neziri – 1 votë

Nazim Gagica – 1 votë.

Më këtë rezultat diferenca e dy kandidatëve që do të garojnë në raundin e dytë është 361 vota.

Kujtojmë, votat e diasporës nuk e ndryshojnë shumë rezultatin në Gjilan dhe kjo komunë shkon ën balotazh.

Gjatë ditës pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Votat me postë në Dragash, kaq morën kandidatët për kryetar

Sot në QNR ka nisur numërimi i votave të ardhura me postë.

Sipas rezultateve, Bexhet Xheladini nga LDK ka marrë 359 vota.

Adnan Redzeplar nga Vakat ka siguruar 157 vota, Shaban Shabani nga PDK 77 vota kurse Kaltrina Salihu nga VV 76 vota.

***

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave të parapara për kandidatët për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës.

Nga mbi 9 mijë e 610 vota të aprovuara nga fletëvotimet e ardhura me postë, 80 prej tyre ishin për komunën e Fushë-Kosovës.

Dhe, nga këto 80 vota më së shumti ka marrë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca, (49). Pas tij vjen Burim Berisha i LDK-së me 13, Rrahim Tërnava i PDK-së me 11 dhe Hasan Ismajli i AAK-së vetëm 2 vota.

Ndërsa, sipas rezultateve të KQZ-së për votat e rregullta Burim Berisha nuk ka arritur për 14 vota të fitojë zgjedhjet.

Burim Berisha në zgjedhjet e 17 tetorit ka fituar 7,842 vota (apo 49.96 për qind), Enver Bajçinca 3,997 vota (apo 25,33 për qind), Rrahim Tërnava 3,514 vota (apo 22.39 për qind) dhe Hasan Ismalji 365 (apo 2,33 për qind).

Ndërsa, sipas KQZ-së do të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor 2021.

Sipas Valmir Elezit nga KQZ-së, gjatë kësaj periudhe ky institucion ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime dhe pas vlerësimit brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime.

“Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga perosna të njëjtë (168)", tha Elezi.

I pyetur se kur KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, Elezi ka lënë të kuptohet se kjo do të bëhet brenda dy-tre ditësh.

Sipas tij, KQZ do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave pasi të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, që sipas planifikimit tonë do të numërohen të hënën, si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme. Në vitin 2017, KQZ-së i janë dashur 9 ditë për të shpallur rezultateve përfundimtare të raundit të parë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për t’i certifikuar ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat