Ditë e shenjtëruar, 578 Vjet!

Aktuale

Ditë e shenjtëruar, 578 Vjet!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 28 nëntor 2021 Në ora: 12:48
Monument i Gjergj Kastriotit - Skenderbeu

28 Nëntori, një ditë feste aq e vjetër që pak shtete e kanë, gati 600 vjeçare, që kur Skënderbeu e rinisi ribërjen e shtetit të Arbërit (shekulli i 12-të, gati 900 vjet ma parë), me ngritjen e flamurit me shqiponjë dykrenore (e zezë), në fushë të kuqe, simbolikë e gjakut, në Krujë me 1443, 578 vjet më parë.

Një simbol ky ilir i argumentuar se ka ekzistuar të paktën, para 26 shekujve (i gjetur në mburoja ilire në Mal të Zi dhe artefakte tjera arkeologjike dhe artizanale).

Kjo festë 109 vjeçare, nuk është vetëm e shtetit zyrtar po me emrin eponim shqiptar, Shqipërisë. Është festë për flamurin simbol, që u kthye me kohë në të vetmin, pas famës së madhe të Kastriotit, ndërsa me kohë emblemat tjera të principatave shqiptare, disa nga ato të rimarra të mbretërive të lashta, u shuan.

Po me këtë simbol shqiptarët rifilluan luftërat për rizgjim nacional, për pavarësim nga perandoria osmane. Po me këtë simbol u bën luftërat e organizuara nga Lidhja e Prizrenit, fryma e së cilës ishte krijimi i një shteti shqiptar në kufijtë etnik, nga portat e Nishit e deri në Selanik, nga Tivari deri në gjirin e Artës apo të Ambrakisë. Pa dyshim që e përfshinte Sanxhakun dhe gjithë rajonin e Shkupit e deri në Strumicë.

Po në këtë frymë, por, tashmë pjesërisht me territor të tkurrur pas Kongresit të Berlinit, si për tokat e okupuara nga Serbia, Greqia, Mali i Zi e Bullgaria, Pavarësia e Shqipërisë u shpall për të gjitha trojet ekzistuese, me pak përjashtime në jug Art, Prevezë, Janinë, që lidhet me emrin e Ismail Qemalit, dhe në veri, si për Novi Pazarin e ndonjë pjesë tjetër. Nuk e kemi të plotë të botuar apo të ruajtur një dokument se për cilin territor saktësisht ishte shpallur pavarësia, meqë tashmë thuaja të gjitha trojet etnike, me 28 nëntor 1912 ishin të okupuara, dhe thuaja e ardhmja e shqiptarëve ishte në prag të zhdukjes.

Image
Harta që i atribuohet Qeverisë së Përkoshme, pa Prishtinën e me Mitrovicën brenda

Ndërsa, në Konferencë të Londrës pastaj kërkesat kishin variuar edhe më shumë duke lënë Prishtinën jashtë e Mitrovicën brenda, si dhe kërkonin Novi Pazarin, dhe Janinën e Prevezën (shiko dy hartat, angleze dhe të Baldacit, si dhe propozimin ruso-francez).

Por, pavarësisht mungesës së debatit të mirëfilltë shkencor në këtë pikë, pavarësia e Shqipërisë u shpall në gjithë territorin e Shqipërisë së sotme, të gjithë Kosovës së sotme, me Kosovë Lindore, me Shkupin dhe gjithë Maqedoninë perëndimore e më tej, me disa pjesë të Malit të Zi të sotëm.

Shqipëria mbeti kjo që është sepse aq e lejuan të kishte territor fuqitë e mëdha, të cilat edhe vet hynë në luftë, po për territore dhe pasuri, duke krijuar Luftën e Parë Botërore. Pra, nuk ishte zgjedhja jonë, që ne të mbeteshim jashtë saj apo që ashtu kishte zgjedhur Ismajl Beu me krerët e tjerë. Pra, gjendja jonë, të mbetur jashtë Shqipërisë dhe në okupim të asaj që do të bëhej Jugosllavi (e parë dhe e dytë), ishte gjendje e vendosur dhunshëm. Andaj këtë gjendje mund ta duan, ata që vazhdojnë ta duan statusin e robit, të njeriut të skllavëruar!

Po kjo pari në krye me Ismail Qemalin, zgjodhi po flamurin e lënë trashëgim nga mbretërimi i Skënderbeut.

Po kjo pari e zgjodhi 28 Nëntorin, për ta rikujtuar shpalljen e Pavarësisë nga Skënderbeu, përkatësisht të çlirimit nga perandoria osmane (Turqia).

Pra, ky flamur dhe kjo ditë është po aq edhe e jona sa e Shqipërisë, sepse si Dita dhe si Flamuri, u krijuan si simbole gjashtë shekuj më parë, në një territor, që si për të gjithë botën, lëviz andej e këndej, e që i yni ka njohur kryesisht vetëm tkurrje, përveç edhe arratisë së gjatë.

Ata që vazhdojnë ta mohojnë këtë ditë dhe këtë flamur, pra, këto simbole, janë ata që thamë se e duan statusin e robit, të njeriut të skllavëruar, e të tjetërsuar!

Kjo festë e merrë kuptimin e përbashkimit, sa herë që shtetet tona ballafaqohen me fatkeqësi, dhe shqiptarët reagojnë si një shpërthim eruptiv, për t’i dalur në ndihmë vëllezërve të tyre andej e këndej kufirit, që ende nuk po bien.

Kujtoni reagimet e fundit eruptive pas tërmetit të dy viteve më parë në Thumanë, Durrës... kujtoni reagimet pas vërshimeve të rënda viteve më parë... por, kujtojeni ndihmën dhe strehimin gjatë luftës në Kosovë.

Ky reagim i vazhdueshëm tregon imanencën e identitetit shqiptar, çudibërës, atë që shumë shqiptarë kishin nisur ta injorojnë dhe harrojnë, ndërsa bota, që i referohemi si perëndimore apo si e qytetëruar, ka mbetur e stepur, madje politika e saj ka mbetur pa mend!

Nuk kanë shpjegim, asnjë teori komunikimi, asnjë teori filozofike, asnjë metodë shkencore perëndimore, se çfarë i bën shqiptarët të reagojnë kështu, veçanërisht neve shqiptarëve të jashtë Shqipërisë londineze (1912-1925, kohë kur e mbylli apo më saktë e ndërpreu punën e papërfunduar plotësisht Komisioni për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë sipas Konferencës së Londrës).

Shqiptarë kudo jeni në këtë ditë të shenjtëruar, në këtë ditë të madhe të historisë, 28 Nëntor 1443, e 1912, Urime!

Image
Harta që referohet studiuesit Baldaçi, sipas të cilit Shqipëria u reduktua nga 92 mijë km katror në 28 mijë

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat