“Përfaqësimin me fusnotë e gjeti, s’është vendim i tij”/ Përkrahja për Albin Kurtin pas paraqitjes në Bruksel

Aktuale

“Përfaqësimin me fusnotë e gjeti, s’është vendim i tij”/ Përkrahja për Albin Kurtin pas paraqitjes në Bruksel

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 17:31
Albin Kurti

Gjatë takimit të djeshëm të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, kryeministri Albin Kurti e ka përfaqësuar shtetin me fusnotë.

Kjo vendosje e fusnotës ka shkaktuar reagime në vend, veprim ky që ishte kritikuar ashpër në të kaluarën nga vetë Kurti.

“Tradhti shtetërore” e kishte quajtur Kurti vite më parë vendosjen e fusnotës.

Por kryeministrit Kurti, në krah i kanë dalë bashkëpartiakët e tij.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se fusnota dhe shumë marrëveshje tjera sikurse edhe ajo për Asociacionin ishin dhe mbeten të dëmshme, por se sipas saj, koncesionet në kurriz të shtetit dhe qytetarëve që i bënë qeveritë e kaluara nuk mund të zhbëhen menjëherë.

“Këta që sot shtiren kinse janë kundrejt fusnotës, asokohe kur fusnota u instalua nuk e thanë asnjë fjalë të vetme kundër asaj marrëveshje (por as edhe të tjerave) përkundrazi iu bashkuan qeverisë së asaj kohe kinse fusnota “do të shkrihej porsi fjolla e borës”, prandaj këta askush nuk i merr seriozisht. Fusnota dhe shumë marrëveshje tjera sikurse edhe ajo për asociacionin ishin dhe mbeten të dëmshme. Koncesionet në kurriz të shtetit dhe qytetarëve që i bënë qeveritë e kaluara nuk mund të zhbëhen menjëherë. Sot, Republika e Kosovës dhe qytetarët, përfaqësohen denjësisht nga kryeministri Kurti, brenda e jashtë vendit, fatkeqësisht këtë përfaqësim nuk e kemi parë kurrë më parë por fat i mirë që tani Kosova shihet ndryshe! Kemi shumë punë për të bërë!”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Në anën tjetër, edhe ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka folur për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës në Bruksel.

Sipas saj, kryeministri Albin Kurti po e përfaqëson vendin me një standard të ri. Për fusnotën ajo thotë se këtë vendim të përfaqësimit ai e gjeti edhe pse e kishte kritikuar.

Tutje ajo ka thënë se nuk mund të mbahet përgjegjës kryeministri Kurti për një vendim të tillë, por duhet të punohet e korrigjohet sa i përket evitimit të fusnotës.

“Ajo çka aktualisht e shohim përfaqësimin ende të Kosovës me fusnotë është diçka që kryeministri Kurti e gjeti përkundrejt faktit që kishte kritikuar, por ishte miratuar fusnota që thuhej se do të largohej shumë shpejt. Tashmë ato marrëveshje në të cilat ka pasur dëme të kësaj natyre mbetet të punohet që këto të evitohen, por natyrisht që Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse. Nuk mund që tash të mbahet përgjegjës kryeministri Kurti për një vendim që ai nuk e ka marrë, por të cilin pritet ta korrigjojë dhe të punojë”, ka thënë ajo për mediat lokale.

Në lidhje me këtë çështje ja reaguar edhe sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Ai ka thënë se kjo nuk është përgjegjësi e Kurtit, por pasojë e qeverive të kaluara që e kanë lënë si barrë.

“Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! që ishte kundër kësaj marrëveshje dhe se koha e dëshmoi se ajo nuk është fluskë bore duan t’ja hedhin koston vetëm pse e kemi kundërshtuar, pra nuk e shikojnë fusnotën në raport me Republikën, por vec në raport me VV-në. Pasojat që i kanë lënë Kurtit nuk janë përgjegjësi e tij, përkundrazi qeveria aktuale po bën përpjekje për të dalë nga logjika e fusnotës. Po të ishte VV që nga ajo kohë në pushtet nuk do të kishte as fusnotë e as marrëveshje që flasin për rregullim të brendshëm. Duhet parë cka thoshte ky portal e të tjerë në protestën tonë që kishim ndaj kësaj marrëveshje”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

Delegacioni i Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i cili është takuar me shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtyre takimeve, kreu i Ekezkutivit kosovar ka përsëritur kërkesën se shtetet e Këshillit të BE-së duhet të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky është takimi i katërt që mbahet mes Kosovës dhe BE-së sa i përket progresit të MSA-së.

Përpos kryeministrit Kurti në Bruksel kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat