Tri kërcënimet dhe plani i kidnapimit të Tahir Zemajt/ Kërcënuesit Azem Syla, Sali Veseli, komandant “Qorri”...

Aktuale

Tri kërcënimet dhe plani i kidnapimit të Tahir Zemajt/ Kërcënuesit Azem Syla, Sali Veseli, komandant “Qorri”...

Nga: Idriz Morina Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 19:23
Kolonel Tahir Zemaj, gjatë dhënies së instruksioneve ushtarëve të brigadës "Mërgimi" për gjuajte me armë antitankë.

Një nga figurat më të njohura të luftës në Kosovë, ishte koloneli Tahir Zemaj, por kundërshtarët politik të Rugovës atëherë, e edhe tani vazhdojnë të jenë kritik dhe të thurin akuza ndaj kolonelit.

Njëri nga ata që mundohet ta godasë reputacionin e Tahir Zemajt, edhe sa vite pas vrasjes së kolonelit, është gjenerali nga Shqipëria Kudusi Lame, i cili sigurisht se ka një pjesë të meritave për të ndihmuar luftën, si bashkëpunimin apo kontaktin me forcat e NATO-s.

Ndërsa, koloneli dje e kishte ditëlindjen, dhe u përkujtua vetëm nga pak veta, kryesisht nga familjarë.

“Sot në ditëlindjen e komandantit”, e ka titulluar postimin e tij Astrit Zemaj, djali i vëllait të kolonelit Tahir Zemaj. Ai me pietet ka shkruar për xhaxhain e tij, duke e lidhur çdo mundësi ndjesie për atdheun e lirinë me thirrjet e kolonelit. “Sa herë të bie këmbana për me u ringritë, me u forcu e me e ndje shqiptarinë në zemër, me e rikujtu jehonën e lirisë, me i ndëgju valët e madhështisë së flamurit, me e ndëgju zërin e tribunit në shpirt, kushtrimin e besës së dhënë, mençurinë për me ecë drejt, traditën e kullës e pushkën e atdheut, me i qëndrue besnik vendit e kuvendit, mos me u lëkund kurrë as n'dekë as n'gëzim, atëherë e di se kam nevojë për me e ndëgju zërin tënd! Urime ditëlindjen e 70-të axha Tahir!”, ka shkruar Astrit Zemaj, nipi i kolonelit.

Komandant Suprem, Ibrahim Rugova

Po, ndërsa të tjerët janë të gatshëm ta akuzojnë vetëm pse thjesht nuk iu bind të majtës, e cila kishte dështuar të krijonte një strukturë të organizuar mirëfilli ushtarake, ai kishte zgjedhur si shumica e eprorëve ushtarakë, ta bënin luftën nën kupolën e institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe duke njohur obligimet kushtetuese dhe përcaktimet kombëtare prej saj.

Kjo përpjekje nuk ndodhi befas, organizimet apo përpjekjet e ushtarakëve kishin nisur që në vitin e largët 1993, për të marrë formë dhe përmbajtje me krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe brigadave ushtarake, në krye me kolonel Ahmet Krasniqin.

Si shumë të tjerë, ai për shkak të vendosmërisë dhe ndikimit ushtarak që kishte, do të bëhej njëri nga figurat më të atakuara nga kundërshtarët politik të Rugovës.

Por, edhe shumica e disa prej eprorëve të tjerë, që kishin pranuar t’i nënshtroheshin një grupimi të majtë që kishte krijuar një Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, ose ishin ndarë të pakënaqur ose ndiheshin të fyer e të poshtëruar, dhe madje ndonjë prej tyre kishte përfunduar edhe duke pësuar dhunë. Një prej tyre ishte edhe heroi “komandant” Bekim Berisha - Abeja, që e kishte shmangur konfliktin në Drenicë, vetëm të mos shkaktonte vëllavrasje. Ai u vra në luftë me forcat serbe, në Junik me 10 gusht në vitin 1998.

Nëpër sfida të tilla kërcënimi kishte kaluar edhe Tahir Zemaj, pavarësisht që ky tashmë ishte komandant i Brigadës 134 dhe Zonës Operative të Dukagjinit, por ishte pengesë sepse ai deklaronte: “Presidentin e Republikës e kam konsideruar si Komandant Suprem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaronte gjithmonë Zemaj.

Menjëherë pas marrjes së detyrës së tij, me 21 qershor 1998 dhanë betimin brigadat 131, 133 dhe 134, tri të parat që vepronin nën kupolën e Shtabit Suprem të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Kërcënimi i parë

Menjëherë këtu fillojnë problemet, kërcënimet dhe rreziqet për të dhe udhëheqësit e kësaj strukture.

“Pas dhënies së betimit, menjëherë jam informuar nga organi për zbulim dhe kundërzbulim, të cilin e drejtonte Ismet Ibishi, se kishte disa elementë të dyshimtë që silleshin rreth kazermës sonë dhe që do të mund të na krijonin probleme gjatë hyrjes sonë në Kosovë. Para disa ditëve në Viçidol kisha biseduar me Azem Sylën, Adem Grabovcin, Jashar Salihun dhe me një me pseudonimin «Qorri» (ky duhet të ishte Xhabir Zharku, sipas disa rrëfimeve të tjera, shënim i redaksisë). Aty ka qenë prezent edhe Rrustem Berisha dhe nga fundi ka ardhur edhe Sali Çeku”, dëshmonte koloneli në librin e tij pas luftës, “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Anëtarët e Shtabit të UÇK-së, e kishin paralajmëruar se nëse këta nuk i bashkoheshin atyre, do të kishin pasoja.

“Ata kërkonin që ne «t’u bashkëngjiteshim» dhe na lanë të kuptonim se në të kundërt, nuk do të ishim të mirëpritur! Në fakt as nuk e dija se kush ishin dhe as nuk e kisha shumë të qartë se kë përfaqësonin. Sali Çeku më ka sqaruar më vonë se kush qenë ata në të vërtetë. Megjithatë vendosa të bëja një modifikim në planin e hyrjes në Kosovë. Kam marrë vendim për të bërë marshimin deri në Prapaqan, ku është formuar edhe komanda e zonës së tretë. Të mërkurën, më 24 qershor 1998 në orën 02 të natës, kam urdhëruar që brigadat tona ta fillojnë marshutën, të cilën e kisha konceptuar në tri faza”, rrëfente Zemaj.

Kërcënimi i dytë

Ai paralajmërim ishte vetëm fillimi. Kërcënimi i radhës do t’i bëhej nga njerëzit e grupit të Sylës, nga brenda Kosovës. Kërcënimi i butë nuk kishte bërë punë. Pasi e kishin kuptuar se vendosmëria ishte e lartë, tashmë kërcënimi i dytë do të ishte radikal.

“Kur panë që ne qemë shumë të vendosur e kompakt, dhe që nuk kishim ndërmend të shpërndaheshim si zogjtë e korbit nëpër Kosovë, se ne nuk lëshonim pe në pikën tonë kryesore, siç qe ajo e hyrjes dhe e veprimit tonë luftarak në të mirë të Kosovës, ashtu siç ishim, atëherë ata na kërcënuan se “ju nuk do të guxoni dhe s’keni për të pasur shans ta kaloni fshatin Junik”. Sali Veseli na dërgoi një letër, në të cilën thuheshin fjalët e mësipërme, duke na paralajmëruar që të mos e nisnim marshimin për në fshatin Junik pasi “do të priteshim me dhunë””, dëshmonte Zemaj.

Këta njerëz nuk ishin as amatorë, si Sali Veseli, por një ushtarak karriere, dhe që po i bashkohej korit të njerëzve, që ishin të gatshëm për vëllavrasje, pavarësisht se ishin të rrethuar nga forcat serbe, dhe se Kosova gjendej në okupim të egër nga regjimi i Millosheviçit.

Zemaj do të konsultohej me eprorët e tij në Shtabin Suprem, dhe me vetë ministrin Krasniqi, se çfarë të bënin në rast të situatës që kërkon ballafaqim.

Urdhëri ishte i prerë, forcat ushtarake duhej të marshonin drejt pikave strategjike.

“Pasi e informova dhe u konsultova me Shtabin Suprem dhe me Zotni Krasniqin për këto fërkime, kam kërkuar mendimin e tij. Iniciatorë kryesorë të këtij incidenti kanë qenë Sali Veseli dhe Naim Maloku. Ramush Haradinaj qe më i pavendosur, nuk ka ngulur shumë këmbë, të paktën në ato dy takime. Ai dukej se punonte me kokën e dikujt tjetër dhe ndoshta ka qenë edhe i manipuluar. Nga Shtabi më porositën të mos humbja kohë, ta kryeja fazën e tretë të marshimit. Më sugjeruan të lija në fshatin Jasiq dy oficerë për të kontaktuar me dërgesat e armatimeve që prisnim. Kam vendosur të lë aty Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin”, rrëfente Zemaj.

Kërcënimi i tretë: Rreziku për ta rrëmbyer

Një ditë, ndërsa brigadat ishin duke qëndruar ende në fshatin Jasiq, që të tre të përmendurit, Veseli, Maloku dhe Haradinaj, ia dërguan një grup ushtarësh në krye me njeriun e famshëm për veprime të dhunshme, “Togerin”, që të shkonte në fshatin Junik. Duket se nga më e keqja e kishte shpëtuar ushtaraku, heroi i mëvonshëm i Koshares, Agim Ramadani.

“Shpejt, gjatë kohës që kemi qenë në Jasiq, njerëzit që përmenda më sipër, pra Veseli, Maloku dhe Haradinaj dërguan një “Toger” me pesë ushtarë dhe më ftuan të shkoja në Junik. Kur po bëhesha gati, Agim Ramadani ka ndërhyrë dhe më ka thënë “jo komandant, ju nuk do të shkoni, do të shkoj unë bashkë me dy oficerë të tjerë që mund t’i caktoni ju. Kam përshtypjen dhe një parandjenjë të keqe që ata duan t’ju marrin peng !”. Më vonë i kam dhënë të drejtë, pasi kam marrë vesh që një plan i tillë kishte ekzistuar. Agim Ramadani shkoi në takim bashkë me Fadil Hadërgjonajn dhe Nazif Ramabajën. Ata kanë paraqitur planin tim operativo-ushtarak për fazën e tretë të marshimit tonë. Agimi nuk solli gjë të re nga bisedimet. Më tha se ata akoma pretendonin se nuk do të na lejonin të marshonim”, pra edhe një takim ishte mbyllur me kërcënim të sërishëm, ndalimin e marshimit.

Rrugëtimi vazhdoi.

"Aty kemi marrë vendimin për të marshuar, dhe nëse do të na hapnin luftë, do të luftonim. Por, duke i njohur karakteret e tyre, llafazërinë e Veselit dhe dobësitë e Naimit, kisha njëfarë sigurie se ata nuk do të bënin gafa të tilla. Megjithatë urdhër ka qenë që, nëse na godisnin, do të luftonim. Me 30 qershor në orën 22 kam urdhëruar fillimin e fazës së tretë së marshutës. Nga Jasiqi në Junik kemi marshuar në këmbë duke respektuar të gjitha masat e sigurisë dhe të luftimit, ndërsa nga Juniku, ku “do të na bëhej rezistenca”, na kanë pritur makinat e Jasiqasve që na dërguan deri në fshatin Pacaj”, dëshmi që të trondisin edhe sot kur i lexon.

Ndërsa, pak ditë më pas do të ndodhte njëra nga betejat e lavdishme dhe historike, ‘Beteja e Loxhës’, ku shqiptarët me forca të organizuara, në krye me nënkolonelin Tahir Zemaj dhe majorin Nazif Ramabaja, i mundën dhe ia futën tmerrin ushtrisë serbe.

Kërcënimet të tjera do të vazhdonin, dhe madje me propagandë edhe më të fuqishme pas tërheqjes së trupave ushtarake në Shqipëri, me urdhër të Qeverisë, për shkak se rrezikohej të ndodhte një nga katastrofat më të mëdha humanitare, dhe me masakra të papara, pasi regjimi i Milloehviçit kishte ndërmarrë fushatë dhe kundërpërgjigje agresive pas humbjes në Logjë!

Kërcënimet e këtyre grupeve dhe të tjerëve më në fund do të jetësoheshin, në vitin 2003, me 4 janar, vetëm një javë pasi i kishte mbushur 52 vjet. Tahir Zemaj do të shuhej së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin në një atentat terrorist, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Pejës.

Por, ende askush nuk është arrestuar për këtë krim makabër. Asnjë hetim serioz, që nga atentatit ndaj dy hetuesve të rastit Sebehate Tolajt dhe Isuf Haklajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat