Veteranët e epokës së Millosheviçit e krijuan “Botën serbe” dhe “Open Ballkanin” /Destabilitet për rajonin

Aktuale

Veteranët e epokës së Millosheviçit e krijuan “Botën serbe” dhe “Open Ballkanin” /Destabilitet për rajonin

Nga: Idriz Morina Më: 6 janar 2022 Në ora: 14:59
Veteranët e epokës së Millosheviçit, Vuçiqi dhe Daçiqi

Projekti madhor i Serbisë, ‘Bota serbe’ është amza e të gjitha nismave politike të Beogradit. Për atë projekt ndërlidhen të gjitha politikat tjera të saj, të brendshme dhe në rajon. ‘Bota serbe’, në këtë kontekst mund të shtjellohet si pararendësja e projektit më të debatueshëm tek shqiptarët, ‘Ballkanit të hapur’.

Për të gjithë ata opinionistë, politikanë që po mundohen ta shesin si përkrahje të SHBA-së nismën e Serbisë, “Ballkani i hapur”, ua kujtojmë këtu disa argumente kundërshtuese, nëpërmjet diskutimit dhe vlerësimeve informuese edhe të Edward Joseph-it, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

Ai e thotë qartësisht se qëndrimet e Serbisë, kursi i saj në Ballkan është në kundërshtim me “vlerat demokratike të administratës së Bidenit”.

Partner me Rusinë e me Kinën dhe me shqiptarët a është e mundur?

“...qasja e Aleksandar Vuçiqit, pavarësisht rrëfimit për “Ballkanin e hapur” dhe mbështetjes së SHBA-së për normalizimin ekonomik në rajon, që ishte iniciativë e ish-presidentit, Donald Trump – është në kundërshtim me angazhimin e administratës së Bidenit. Regjimi i Vuçiqit ishte shumë i pajtueshëm me politikën e Trumpit, por në thelb nuk është me vlerat demokratike të administratës së Bidenit”, ka deklaruar ligjëruesi amerikan Joseph.

Ai shkon më tej, dhe e vlerëson pushtetin në Serbi si një “regjim hibrid, joliberal, anti-demokratik”. Pra, imazhi dhe mesazhet që jep Qeveria e Serbisë, janë në kundërshtim me demokracinë, dhe është një shtet hibrid, pra ku demokracia është thuajse e përmbytur.

Relacionet e saj me diktatorët më të mëdhenj të shekullit 21, Putinin e Rusisë, dhe Xi Jinpengun e Kinës, janë një tjetër imazh negativ për Vuçiqin dhe qeverinë e Serbisë, të cilat e bëjnë faktor kërcënues të paqes në rajon, dhe jo vetëm të demokracisë së brendshme.

Papajtueshmëria

“Në fakt është një faktor destabilizues. Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh ‘Botën serbe’, sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin, duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë”, thekson Joseph.

Ky elaborim i bërë nga Joseph, duhet shtrirë më tej nga qarqet politike shqiptare, por edhe nga mediat dhe nga hulumtuesit.

Në një mënyrë këtë asimetri të politikave të Serbisë e kemi trajtuar, por duke e ndjekur më saktësisht këtë linjë interpretimi dhe meqë lexuesit i pëlqen apo e preferon referencën e jashtme, sidomos atë perëndimore, po e parashtrojmë edhe në këtë dritë.

Si mund të jetë Serbia partnere me Rusinë dhe me projektin e ri ‘bota serbe’, partnere e Shqipërisë dhe e shqiptarëve?!

Derisa ‘bota serbe’ është projekt i Serbisë, i mbështetur fuqishëm nga Presidenca dhe qeveria e Serbisë, atëherë si mund të jetë ‘Ballkani i hapur’ në kundërshtim me projektin kyç të saj, ‘Botën serbe’?

Derisa ‘Bota serbe’ është projekti strumbullar, i politikës dhe diplomacisë serbe, dhe përderisa “Ballkani i hapur” është nismë serbe, nuk ka se si të mos jetë derivat apo së paku në përputhshmëri me ‘Botën serbe’.

Derisa ‘Bota serbe’ është në kundërshtim me interesat dhe projektet e perëndimit, atëherë, si qenka derivati i saj, ‘Ballkani i hapur’, në përputhshmëri me objektivat e perëndimit?!

Nëse ‘Bota serbe’ para së gjithash atakon interesat e shqiptarëve në Ballkan, atëherë si mund të pranojnë shqiptarët nën projekte që minojnë pikërisht interesat e tyre!?

Teza tjetër që e shtron Joseph është se qasja e Serbisë, ‘Bota serbe’ që është zëvendësim i Serbisë së madhe, si projekt i veteranëve të epokës së Milosheviçit, është faktor destabilizues në Ballkan.

“Gjithashtu edhe Milosheviqi e paraqiste veten si partner të Perëndimit. Por, ndryshimi qëndron në atë që Perëndimi asokohe i kishte vendosur sanksione Serbisë, ndërkaq që sot nuk ka sanksione. Vuçiqi e shfrytëzon këtë duke e paraqitur Serbinë si partneren kyçe perëndimore në rajon edhe pse nuk është e tillë. Në fakt, është një faktor destabilizues”, thotë Joseph.

‘Bota serbe’

Nëse projekti amëz “Bota serbe” dhe vetë Serbia, identifikohet si ‘faktor’ destabilizues në Ballkan, atëherë si është e mundur që “Ballkani i hapur” si derivat i ‘Botës serbe’ dhe produkt i veteranëve të Millosheviçit, të jetë në pajtim me interesat e shqiptarëve.

Edhe nëse motivet e “Ballkanit të hapur” nuk lidhen drejtpërdrejt me ‘botën serbe’, atëherë cili është qëllimi më i butë apo më pozitiv i tij?

Në rastin më të mirë, ky nën projekt i ‘Botës serbe’ është projektuar për të fshehur imazhin që tashmë Serbia e ka qartësisht në perëndim, që Joseph e quan në denotimin e plotë të çështjes, “faktor destabilizues” në Ballkan.

Është më se e qartë se Serbia dhe nën projekti i saj, “Ballkani i hapur”, janë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, qoftë edhe nëse ai po përdoret nga Serbia, për të krijuar një mirazh të ri për vetveten, pra që ta thyejë imazhin e vendit ‘destabilizues’!

Edward konsideron se “Ballkani i hapur”, sikurse edhe disa mundësi tjera, që po i jepen Serbisë, ia përforcojnë asaj, ‘levën për Kosovën’. “Nismat si “Ballkani i Hapur”, normalizimi ekonomik, ftesa e Vuçiqit në Samitin për Demokracinë, apo vendimi i BE-së për të dhënë dritën jeshile për hapjen e kapitullit të sundimit të ligjit në negociatat me Serbinë – nuk janë një mënyrë për të hequr levën që Beogradi ka në raport me Kosovën”, thotë Joseph.

Pra, të gjitha ofertat serbe deri më tani, janë në kundërshtim me funksionimin e demokracisë, i cili është njëri nga qëllime e administratës së Bidenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat