Qytetarët kujtojnë masakrën në Reçak: Serbia nuk po e pranon realitetin

Aktuale

Qytetarët kujtojnë masakrën në Reçak: Serbia nuk po e pranon realitetin

Më: 15 janar 2022 Në ora: 13:46
Reçak

​Qytetarë të shumtë nga Kosova kanë nderuar viktimat e masakrës në Reçak, të kryer nga forcat serbe 23 vjet më parë. Ata thonë se në këtë ditë ata kujtojnë njërën nga mizoritë më të tmerrshme të kryer pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Rifat Jakupi nga Ferizaj ishte ndër qytetarët e shumtë që këtë ditë erdhi në Reçak për të nderuar viktimat shqiptare. Ai për KosovaPress tregon se sa e rëndë është kjo ngjarje për familjet, por edhe shqiptarët në përgjithësi.

Jakupi: Është shumë e rëndë sikur ditën e parë

"Kjo është shumë e rëndë sikur ditën e parë, dhimbjet janë gjithmonë të mëdha si për familjen, vendin e për krejt qytetet e Kosovës", tha ai.

Edhe Shefki Shefkiu nga Vitia thotë se është shumë i emocionuar, sidomos duke u nisur nga fakti se Serbia se edhe kaq vjet pas përfundimit të luftës nuk po e pranon masakrën e kryer nga forcat e saj në Reçak.

Shefkiu: Serbia nuk po e pranon realitetin

"Unë jam shumë i emocionuar me këtë rast edhe po e shih se shumë njerëz paska këtu, i falënderoj shumë dhe familjeve u shpreh ngushëllime. Dhe më shumë që më emocionon është që Serbia nuk po e pranon realitetin, nuk e di a kanë zemër ai popull, shumë keq ndihem në këtë rast", tha ai.

Ndërsa Muhadin Halili tregon për ditën e 15 janarit ku janë masakruar shumë gra, pleq dhe fëmijë.

Halili: Masakra në Reçak, pikë kthese në historinë e Kosovës

"15 janar i vitit 1999, siç e di krejt bota, në Reçak ka ndodhur kjo masakër makabre ku keni parë të masakruar pleq, gra dhe fëmijë, një masakër e tmerrshme ku ka qenë edhe pikënisja dhe ajo kthesa historike për Kosovën që edhe komuniteti evropian, botërore siç u pa edhe intervenimi i NATO-s, ka pasur masakra edhe më të mëdha, ka pasur masakra të cilat kanë ndodhur në tërë territorin e Republikës së Kosovës, mirëpo kjo ka qenë ajo pikë kthesa që edhe komuniteti evropian e ka parë dhe ka intervenuar, falë ambasadorit William Walker, i cili nuk hezitoi dhe e quajti krim kundër njerëzimit", tha ai.

Më 15 janar 1999 banorët e Reçakut të Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve, të cilat ishin bërë të zakonshme në atë periudhë. Atë ditë forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, kjo e cila ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Serbia vazhdimisht po e mohon masakrën e kryer nga forcat e saj në Reçak. SHBA dhe BE kanë dënuar deklaratat e zyrtarëve serbë për mohimin e masakrës në Reçak, në të cilën u vranë civilë shqiptarë të Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit vitin e kaluar pati deklaruar se mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

Ndërkaq, BE pati deklaruar se modifikimi i ngjarjeve që ndodhën në Reçak është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, masakra në Reçak ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars 1999.

Ish-diplomati amerikan, William Walker, pati deklaruar se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën në Reçak si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat. Asokohe, ai ishte shef i misionit vëzhgues të OSBE-së. Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte një krim i rëndë kundër njerëzimit.

Masakra në Reçak ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë. Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat