Dëshmia e ​Sopit: Në Zllashë nuk janë mbajtur persona të burgosur

Aktuale

Dëshmia e ​Sopit: Në Zllashë nuk janë mbajtur persona të burgosur

Më: 18 janar 2022 Në ora: 08:29
Fatmir Sopi

(E plotësuar 17:34) - Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, i cili po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka thënë se në zonën e Zllashit nuk ka pasur njerëz që janë mbajtur të burgosur.

Para Dhomave të Specializuara, Sopi ka thënë se shtëpitë të cilat janë përdorur nga UÇK-ja gjatë luftës kanë qenë për të qëndruar dhe fjetur ushtarët, përfshirë kompleksin e shtëpive në Zllashë në të cilën është thënë se ka qëndruar njësia BIA.

Në ditën e parë të dëshmisë, Fatmir Sopi ka thënë se njësia BIA ishte e vendosur në kompleksin e shtëpive të familjes Krasniqi, pronarët e së cilës nuk qëndronin aty.

Sopi: Në kompleksin në Zllashë kanë qëndruar edhe ushtarë të ZO të Karadakut 

“Ai kompleks është quajtur baza e skifterëve ose baza e gueriles BIA, mirëpo aty kanë qëndruar edhe ushtarë të Zonës operative të Karadakut një kohë, një pjesë, sa nuk e di, me sa e di unë... Ato janë përdorur që të flenë ushtarët, të qëndrojnë ushtarët, kurrfarë destinacioni tjetër unë nuk di”, ka thënë Sopi. 

Sopi ka thënë se nuk ka pasur diçka të veçantë në ato shtëpi, por kanë qenë shtëpi fshati të zakonshme dhe sipas tij, ushtarët e UÇK-së ishin vendosur aty nga fundi i vitit 1998 ose fillimi i vitit 1999.

Sopi: Gjatë luftës UÇK-së i janë dhënë shtëpitë në shfrytëzim pa asnjë rezervë 

“Në regjionin e Gollakut gjatë periudhës së luftës kanë qenë shtëpi të UÇK-së, në të gjithë shtëpitë ne kemi hasur në mirëkuptim dhe pa asnjë rezervë na janë dhënë në shfrytëzim duke filluar nga shtëpia ime, e cila ka qenë me plot anëtarë të familjes ka qenë në shërbim të UÇK-së, dhe shtëpitë tjera të cilat të gjitha kanë mund që UÇK t’i shfrytëzoj. Ne nuk kemi pasur kazerma dhe nuk kemi pasur vend për qëndrime të përhershme, por i kemi shfrytëzuar shtëpitë e fshatarëve për strehimin tonë gjatë periudhës së luftës së UÇK-së”, ka thënë ai.

Sopi ka thënë se ka qenë edhe vetë në kompleksin e Zllashit, por nuk e ka kujtuar në cilën periudhë.

Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius Von Bone e ka pyetur Sopin nëse gjatë periudhës mars-prill 1999 janë mbajtur njerëz të burgosur në Zllashë.

Sopi: Nuk ka pasur persona që janë mbajtur të burgosur në Zllash

“Jam i bindur që nuk ka pasur”, ka thënë Sopi. 

Ai është pyetur edhe nëse komanda e zonave ka dënuar personat, të cilët kanë shkelur rregullat e UÇK-së, për çka Sopi ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka pasur ndonjë rast të tillë.

Sopi: Nuk di nëse dikush është dënuar nga njësitë komanduese të UÇK-së 

“Nuk e di ndonjë rast që dikush është dënuar në atë kuptimin për sa thash më parë, nuk kam njohuri që dikush është çarmatosur apo demobilizuar nga ushtria, por ne në shtab të brigadës i kemi biseduar këto sende, sepse këto janë masat që mund të merren nëse një ushtar i UÇK-së i shkel rregullat ose disiplinën ushtarake”, ka thënë ai. 

Sopi gjithashtu ka thënë se nuk ka informacion nëse policia ushtarake e ka arrestuar apo mbajtur ndonjë person, por ka shtuar e njëjta në rast beteje ka qenë si të gjithë ushtarët e tjerë të angazhuar.

Sopi është pyetur edhe rreth Rrahman Dinit për të cilin ka thënë se një kohë ka qëndruar në shtëpinë e tij, ndërsa më vonë në atë të xhaxhait të Sopit e pastaj në spital për shkak të problemeve shëndetësore.

Gjithashtu ai është pyetur edhe për Isa Kastratin për të cilin ka thënë se ka qenë ushtar i UÇK-së dhe ka rënë dëshmor.

Dëshmia e Fatmir Sopit do të vazhdojë të dëgjohet edhe nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës. 

Sopi ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut, ndërsa sot është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. 

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator 2021, me pretendime për krime lufte. 

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

​Sopi në Hagë: Nuk kam ardhur me vullnetin tim të lirë

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Sopi i cili po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë ka thënë se nuk ndodhet atje me vullnetin e tij të lirë por është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sopi, i cili mban pozitën e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, po u përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës së Salih Mustafës, Julius Von Bone. 

Sopi në Hagë: Nuk kam ardhur me vullnetin tim të lirë 

“Nuk kam ardhur me vullnetin tim të lirë, jam ftuar nga ZPS”, i ka thënë Fatmir Sopi avokatit mbrojtës së Salih Mustafës. 

Mbrojtja e Mustafës e ka pyetur dëshmitarin rreth një interviste të cilën Sopi e kishte thënë më herët për ZPS-në ku citohet të ketë thënë nëse mund ta ushtronte të drejtën e tij të mos u përgjigjur në pyetje.

Sopi: Përgjegjësit kryesor për krimet në Kosovë nuk kanë dalë para drejtësisë

“Ajo periudhë të në ngjall ndjenja të jashtëzakonshme emocionale kur na kujtohen vuajtjet e popullit tonë ndër shekuj, kur na kujtohen vuajtjet e popullit tonë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur kemi parë masakra dhe askush nuk është marrë me, mendojmë që nuk është çuar deri në fund zbardhja e krimeve të luftës dhe përgjegjësi kryesor të cilët kanë bërë krime në Kosovë nuk kanë dalë para drejtësisë. Prandaj si gjendje emocionale dhe në shenjë revolte kam dashur që mos të u përgjigjem fare pyetjeve dhe vetëm kjo ka qenë arsyeja”, ka thënë ai. 

Sopi ka thënë se është lind dhe rritë në fshatin Zllash me përjashtim katër vjet kur ka thënë se ka qenë në burgjet e Serbisë. 

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun. 

Ai ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut ndërsa sot është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. 

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

***

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Sopi i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë ka thënë se UÇK ka luftuar për çlirimin e vendit. Ai ka rrëfyer për ofensivën e 7 dhe 18 prillit dhe ka thënë se në atë kohë në fshatrat e Gollakut ndodheshin mijëra njerëz të cilët forcat serbe i kishin shpërngulur me dhunë nga Prishtina, Podujeva e vende të tjera të Kosovës. Ngjarjet gjatë ofensivës ai i ka quajtur të tmerrshme dhe ka thënë se forcat serbe kanë djegur të gjallë fëmijë, pleq e gra të cilët ishin strehuar nëpër shtëpi.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, prokurori Cezary Mihailzcuk e ka pyetur atë për rolin të cilin e ka pasur në këto ofensiva.

Sopi: Në prill të vitit 1999 kemi pasur dy ofensiva serbe

“Në prill të vitit 1999 kemi pasur dy ofensiva serbe, njëra ka qenë më 7 prill të vitit 1999 nga drejtimi i kufirit me Serbinë në fshati ne quajtur Prapashticë, forcat serbe kanë depërtuar në drejtim të pozicioneve ku gjendej batalioni i Prapashticës i Brigadës 153 dhe në 7 prill nga mesdita ka filluar konfrontimi me forcat serbe ku kam qenë pjesë edhe vet unë dhe komandanti i Brigadës Adem Shehu. Deri më 18 prill 1999. Në ato luftime unë nga shtabi i brigadës 153 kam kërkuar që të caktohem komandant i operacioneve të luftës në Prapashticë, detyrë të cilën e kam kërkuar vullnetarisht dhe më është lejuar nga shtabi i brigadës 153”, ka thënë Sopi.

Ai ka thënë se luftimet i ka mbajtur deri më 18 prill ku sipas tij në drejtim të Brigadës 153 dhe pozicioneve të saj ka filluar një ofensivë serbe nga të gjitha drejtimet.

Sopi: Forcat serbe nuk kanë kursyer gratë dhe fëmijët, njerëzit janë djegur për së gjalli

“Në atë kohë në fshatrat e Gollakut ndodheshin me mijëra e mijëra njerëz të shpërngulur apo të zhvendosur me dhunë nga Prishtina, Podujeva dhe nga rajonet e tjera të Kosovës të cilët nga lufta ishin tërhequr dhe vendosur në Prishtinë, edhe ata persona i depërtojë në drejtim të Gollakut ushtria dhe policia serbe dhe për të cilët ne jemi kujdesur gjatë gjithë kohës. Ndërsa më 18 prill kur ka filluar ofensiva e përgjithshme prapë në ato beteja në ato luftime kemi qenë aktiv pothuajse të gjithë ushtarët e brigadës 153. Kjo ofensivë ka zgjatur katër ditë ku në mesin e ushtarëve tonë dhe në mesin e civilëve ka pasur shumë humbje, forcat serbe kanë garantuar me mjetet dhe teknologjinë që kanë poseduar nga të gjitha drejtimet, duke mos kursyer as civilët dhe as fëmijët, gratë dhe pleqtë, gjatë kësaj ofensive kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme ku familje të tëra apo njerëz që kanë qenë në shtëpitë e tyre janë garantuar dhe janë djegur për së gjalli”, ka thënë ai.

Sopi ka thënë se forcat serbe kanë sulmuar civilët shqiptar, në mesin e tyre, fëmijë e pleq që ishin të strehuar në rajonin e Gollakut.

Sopi: UÇK ka luftuar për çlirimin e vendit

“Nëse një ushtar serb ka pasur një arsye që të vdes në Kosovë, ne ushtarët e UÇK-së i kemi pasur 100 arsye sepse ata kanë udhëhequr një luftë për të mbajtur Kosovën në pushtim ndërsa forcat tona kanë punuar dhe kanë luftëtar për çlirimin e vendit”, ka thënë ai.

Prokurori e ka pyetur Sopin edhe për Nazif Metollin dhe pseudonimin “Tabuti” për çka dëshmitari ka thënë se e ka dëgjuar emrin e tij por që i njëjti sipas tij nuk ka qenë pjesë e Brigadës 153.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun.

Ai ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut ndërsa sot është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

LIVE: Dëshmitari Fatmir Sopi flet për Brigadën 153 dhe emërimet e komandantëve që u bënë në kuadër të saj

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, po dëshmon ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi i cili është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë. Ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezary Mihailzcuk, rreth njësisë BIA, për çka ka thënë se kjo njësi i është përgjigjur Zonës Operative të Llapit. Sopi ka thënë se komandanti i njësisë BIA ka qenë Salih Mustafa i njohur me nofkën Cali dhe sipas tij roli i kësaj njësie ishte sikur i gjithë njësive të tjera të UÇK-së, çlirimi i vendit nga pushtuesi serb.

Fatmir Sopi ka thënë se kjo njësi e ka marrë emrin në nderim të heronjve Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani dhe se e njëjta është njohur si “Skifterët”.

Ai ka thënë se BIA e ka pasur një vend qëndrimi në fshatin Zllash në një shtëpi pronarët e së cilës nuk banonin më aty.

Sopi ka thënë që komandant i njësisë BIA ka qenë Salih Mustafa derisa ka folur për rolin që sipas tij e kishte kjo njësi.

Sopi: BIA ka qenë pjesë e UÇK-së sikur të gjitha njësitë e tjera

“Unë nuk kam qenë përgjegjës kush kujt i raporton mirëpo në bazë të organogramit të Zonës Operative të Llapit e kam vërejt se njësitë BIA ju kanë përgjigjur Zonës Operative të Llapit, komandës së Zonës Operative të Llapit...Rolin më specifik të njësitit BIA më së miri e shpjegon vet përfaqësuesi i njësitit BIA, ndërsa unë sa kam mujt me kuptu ka qenë pjesë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur të gjitha njësitet e tjera në Zonën Operative të Llapit. Rolin e çdo ushtari dhe çdo njësie unë nuk mund ta di por e di se kanë punuar në bazë të urdhrave dhe në bazë të rrethanave të kohës që të japin kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e vendit”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari ka thënë se nuk ka informata se ku saktësisht e ka ushtruar aktivitetin njësia BIA.

Sopi: Pjesë e detyrës së secilit ushtar të UÇK-së ka qenë që të vëzhgojnë lëvizje të armikut

“Pjesë e detyrës së secilit ushtar të UÇK-së ka qenë që të vëzhgojnë lëvizje të armikut, lëvizje të ndryshëm të armikut që kanë mundur të rrezikojnë popullatën e shumtë që ndodhej në atë kohë në Gollak dhe kështu kemi vjelë informata të vlefshme për lëvizjet eventuale të armikut në drejtim të pozicioneve të UÇK-së dhe të popullatës civile e cila në atë kohë në Gollak ishte në një numër shumë të madh, mijëra e mijëra vet të cilët serbët i kishin përzënë prej shtëpive të tyre në Prishtinë dhe të cilët i kishin përzënë në drejtim të fshatrave të Gollakut po ashtu një pjesë të fshatrave dhe të qytetit të Podujevës, kështu që ne kemi qenë të interesuar që t’i dimë lëvizjet eventuale të ushtrisë dhe policisë serbe që të mos kemi humbje të mëdha në radhët e popullatës civile. Çdo informatë e vlefshme që do të na vinte për lëvizjet eventuale të armikut do të ishte e mirëseardhur për përgatitjen tonë për mbrojtje”, ka thënë Sopi.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sopi ka thënë se ka qenë i përfshirë në formimin e Brigadës 153 e cila siç ka thënë ai është themeluar në shkurt të vitit 1999.

Sopi: Themelimi i brigadës 153 është bërë shkurt 1999

“Brigada, thirrjet organizative të saj i ka nga njësitet tona që i kemi formuar pothuajse nëpër të gjitha fshatrat e Gollakut, dhe me plotësimin e kushteve, me plotësimin e radhëve me ushtarë të nevojshëm dhe kur Zona Operative e Llapit e ka parë të arsyeshme se janë plotësuar kushtet për zyrtarizimin e kësaj brigade dhe themelimi ne saj është caktuar data nuk më kujtohet në shkurt të vitit 1999”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se zyrtarizmi i kësaj brigade është bërë në shtëpinë e tij.

Sopi: Zyrtarizmi i Brigadës 153 është bërë në shtëpinë time

“Kjo ngjarje(zyrtarizmi i Brigadës 153) ka ndodhur në shtëpinë time e cila shërbente aso kohe si shtab i UÇK-së i Brigadës 153. Shtëpia ime ndodhej në Zllash, një lagje e fshatit Mramor...Në shkurt të vitit 1999 në shtëpinë time pikërisht në vendin ku shërbente si shtab i UÇK-së për Brigadën 153 erdhi, që prisnim themelimin e saj, erdhi përfaqësuesi i Zonës Operative të Llapit, zëvendës komandanti i zonës, Kadri Kastrati, i cili bëri inaugurimin solem të Brigadës 153”, ka thënë Sopi.

Dëshmitari tutje ka thënë se Kadri Kastrati ka qenë përfaqësues i zonës ndërsa është urdhëruar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa.

Ai ka thënë se të pranishëm në zyrtarizmin e brigadës kanë qenë edhe Rrahman Dini e Sejdi Veseli.

Sopi ka thënë se atë ditë nuk është emëruar komandanti i brigadës por vetëm zëvendëskomandanti që sipas tij ishte Sejdi Veseli.

Sopi: Jam marrë me organizimin e UÇK-së në teren

“Unë, meqë merresha me organizimin e UÇK në terren, dhe isha vazhdimisht në teren nëpër fshtra të ndryshëm të gollakut, u caktova të jem përgjegjës komandat i mbrojtjes civile”, ka thënë Sopi.

Pas ofensivës së 18 prillit të vitit 1999, Sopi ka thënë se nga Rrustem Mustafa është emëruar zëvendëskomandant i brigadës.

Tutje, prokurori e ka pyetur atë rreth Rrahman Dinit për të cilin Sopi, në një deklaratë të mëparshme për ZPS-në, kishte thënë se ishte anëtar i komandës së brigadës.

Gjatë dëshmisë së tij nën Hagë, Sopi ka thënë se Rrahman Dini ishte anëtar i shtabit por nuk kishte ndonjë detyrë konkrete meqë kishte probleme shëndetësore.

Sopi: Me rrahman Dinin kemi punuar në organizimin e radhëve të UÇK-së

“Rrahman Dini në fillim ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore kur kemi punuar bashkë në organizimin e radhëve të UÇK-së në pothuajse shumicën e fshatrave të Gollakut mirëpo ndërkohë gjendja shëndetësore e tij u keqësua dhe nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore nga mesi dhe përfundimi i luftës”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se shtabi i brigadës kishte lëvizur pastaj nga shtëpia e tij në atë të xhaxhit dhe më pas në një shtëpi të fqinjëve.

Ndërsa është pyetur për shkollën e Zllashit, Sopi ka thënë se ajo ndërtesë ka shërbyer si qendër stërvitore por që aty nuk ka qenë i vendosur shtabi.

Sopi: Shkolla në Zllash ka shërbyer si qendër stërvitore

“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore mirëpo shtabi i brigadës e ka pasur aty komandantin e qendrës stërvitore e shumë kush e ka identifikuar se ajo ka shërbyer si shtab, por ka qenë një zyre e komandantit të stërvitjeve, e përgjegjësve që kanë qenë për stërvitje të cilët kanë pasur zyre dhe ka qenë kuzhina për ushtarët të cilët kanë qenë në stërvitje ndërsa në atë kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij, Sopi ka thënë se nuk kishte ndonjë njësi të veçantë të policisë ushtarake por sipas tij në secilin batalion kanë ekzistuar nga tre apo katër ushtarë të cilët e kanë kryer detyrën e policit ushtarak.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun.

Ai ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut.

Ndërsa dhjetë dëshmitarë të ZPS-së janë dëgjuar deri tani në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës, të gjithë të mbrojtur.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

***

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Në këtë seancë është duke dëshmuar Fatmir Sopi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Prishtinë.

Ai ka treguar për emërimet që janë bërë në kuadër të Brigadës 153. Sopi ka treguar se në atë kohë zëvendëskomandant ishte emëruar Sejdi Veseli, në një takim që ishte mbajtur në shkurt të 1999 ku prezent ishte edhe Kadri Kastrati.

Sopi tha se ai në këtë takim ai është emëruar komandant i mbrojtjes civile pasi që ishte vazhdimisht në teren.

Prokurori: A ishte një pozitë brenda komandës së Brigadës? A e mbajtët këtë pozitë deri në fund të luftës?

Sopi: Jo pozitat tona kanë ndryshuar, dhe pas luftës kom pas pozitën e komandantit të Brigadës.

Prokurori: Kur u bëtë zëvendëskomandant i Brigadës?

Sopi: Pas ofensivës së 18 prillit 1999

Prokurori: Kush ju emëroi në këtë pozitë?

Sopi: Më emëroi komandanti i Zonës Operative të Llapit, komandat Rrustem Mustafa.

Prokurori: A mund të na thoni se kur u emëruat komandat brigade?

Sopi: Këtë pozitë e kam mbajtur pasi që përfundoi lufta.

Prokurori: Kur u emëruat ju si zëvendëskomandant i Brigadës, çfarë u bë me Sejdi Veselin pasi që thatë se ai ishte fillimisht zëvendëskomandant?

Sopi: U emërua shef i shtabit të brigadës.

Prokurori: E mori dikush pozitën e komandantit të Brigadës gjatë luftës?

Sopi: Po ishte Adem Shehu, ai vinte nga Tirana kishte eksperiencë ushtarake në ushtrinë e Shqipërisë dhe si i tillë u emërua nga komanda e Zonës Operative të Llapit, komandant në brigadën tonë.

Prokurori: Kur e mori pozitën e komandantit të Brigadës 153?

Sopi: Datën e saktë nuk e di, ka ndodhur në fund të marsit të vitit 1999.

Prokurori: A ishte Rrahman Dini në atë takim me Kadri Kastratin në shkurt të vitit 1999 apo më vonë?

Sopi: Unë mendoj se disa nga emërimet kanë ndodhur atë ditë, por mund të ketë ndodhur që disa prej emërimeve të jenë ndodhur më vonë, nuk e mbaj mend

Prokurori: Çfarë gjendje fizike ishte Rrhman Dini në atë kohë?

Sopi: Në fillim ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore kur kemi punuar bashkë në organizmin e radhëve të UCK në fshatrat e Gollakut, por më vonë gjendja e tij shëndetësore është keqësuar

Prokurori: Rrahman Dini a ju ka thënë se cila ishte natyra e problemeve shëndetësore që ka pas?

Sopi: Nuk e ka dit as ai as unë, por e di që ka pas probleme me mushkëri, frymëmarrje dhe zemër

Prokurori: A dini se a është arrestuar Rrahman Dini nga autoritet serbe?

Sopi: Po por kjo ka ndodhur para lufte

Prokurori: A e dini kur ka ndodhur?

Sopi: Në vitin 1984.

Prokurori: Sa kohë ka kaluar në burg Rrahman Dini?

Sopi: Katër ose pesë vite, aq sa kam qëndruar unë, ne kemi qenë bashkë në burg.

Prokurori: A janë keqtrajtuar ata që kanë qenë në burg?

Sopi: Janë keqtrajtuar në mënyrën më çnjerëzore, nuk e di si ti përshkruaj

Seanca gjyqësore është duke vazhduar ende me pyetjet e tjera nga ana e Prokurorit të Dhomave të Specializuara.

Gjykimi ndaj Mustafës ka nisur më 15 shtator 2021, derisa në seancën e parë ishte deklaruar i pafajshëm. Mustafës i ishte konfirmuar aktakuzë më 12 qershor 2020.

***

Ka filluar seanca gjyqësore ndaj ish-komandat Calit, Salih Mustafa.

Kjo seancë është e para për vitin 2022 në rastin Mustafa, ku do të bëhet dëgjimi i dëshmitarit të shtatë i cili quhet Fatmir Sopi.

Mustafa nuk është fizikisht në sallë, por po merr pjesë përmes video-lidhjes.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, thuhet se ai  akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Edhe sot vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës

Edhe sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali.

Sot do ta vazhdojë dëshminë, dëshmitarja e shtatë në rastin e Mustafës.

Në gjykimin ndaj komandant “Calit” deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të cilët të gjithë kanë qenë të mbrojtur.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 Qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 Shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat