Shpopullim dhe dekulturim / Projekti serb i realizuar nga shqiptarët!

Aktuale

Shpopullim dhe dekulturim / Projekti serb i realizuar nga shqiptarët!

Nga: Idriz Morina Më: 18 janar 2022 Në ora: 20:29
Shqiptarët e dëbuar nga Serbia, me dhunë, masakra, gjenocid, mezi prisnin të ktheheshin në Kosovë!

Në disa raste kam shkruar, se në gjithë të menduarit politik në Kosovë nën ‘regjimin e të menduarit hashimian’, mediat dhe politika në masë të madhe e kishin infektuar të menduarit shqiptarë dhe racional, duke provuar të prodhojnë mendësi të njerëzve pa atdhe.

Pra, nevojat imediate të një klase politike për të mbajtur pushtetin, kanë krijuar trendët më negative të dekulturimit dhe në emër të liberalizmit kanë gjetur mjetin ta shkulin shqiptarin nga tradita e tij.

Në mënyrën më të pakuptueshme sot shoqëria shqiptare në Kosovë zbaton projektin kryesor serb, depopullimin e Kosovës, në të cilën shqiptarët mbijetuan në të kaluarën dhe ia dolën të krijojnë shtetin vetëm në saje të demografisë së jashtëzakonshme që kishin.

Dështimi i represivitetit serb përballë demografisë

Nuk i mjaftonin Serbisë, as aparati represiv, krimet masive, dëbimet masive, dhuna sistematike, varfërimi, marrja e pronave, dhe zhveshja e shqiptarit nga të gjitha të drejtat njerëzore e qytetare, për gati gjysmëshekulli në Kosovë, nëse i akumulojmë periudhat intensive të krimeve nga viti 1912 e deri tek lufta dhe okupimi paraprak i Kosovës me abrogimin e Autonomisë së vitit 1974!

Edhe gjatë atij okupimi kishte nisur shërbimi sekret serb inkurajimin me fushata të fshehta, nxitjen e ikjes së të rinjve jashtë vendit.

Numri i atyre që ikën në dhjetë vjet okupim, nga marsi i 1989, është i jashtëzakonshëm. Mbase e kalon numrin prej 400 mijë vetave, pasi për herë të parë të mërguarit, masivisht i morën familjet, gratë dhe fëmijët në shtetet ku jetonin, ndërsa deri atëherë, kryesisht jetonin vetëm, dhe familjen e mbanin këtu.

Brezi i gjyshit

Ishte brezi i gjyshit, që sakrifikohej për familjen, djem e vajza, nipër dhe mbesa për ta krijuar një perspektivë të re në atdhe. Ende ishte e fuqishme deviza, “Atdheu mbi të gjitha”!

Zaten, imponimi i mënyrës së re të menduarit çoi, edhe në mungesën e dashurisë së atdheut, që e kombinuar me humbjen e shpresës, moto e jetës së të rinjve, është, thënë më së buti largimi, por në të vërtetë është braktisje.

Dhe jo vetëm braktisje e atdheut. Kjo pandjeshmëri emocionale për tokën dhe vendin, ka krijuar dekulturimin masiv, të mungesës së dashurisë për familjen, dhe më tej akoma, hezitimin e të rinjve për të krijuar familje.

Me një fjalë, një i ri sot, nuk ngjet fare me brezin e gjyshit, më saktë nipi nuk e njeh më gjyshin e tij!

Kjo për të është dhimbja më e vogël, thënë në kuptimin metonimik. Nëse për gjyshin ‘atdheu’ ishte mbi të gjitha, sot për nipin, “Atdheu është pas të gjithave”!

Pra, orientimi psikosocial për një mendësi të këtillë, është përmbushje e plotë e programeve standarde të Serbisë. Devizën kryesore që pushteti sllav në ish-Jugosllavi gjatë mbretërisë SKS dhe më pas në sistemin komunist, ua transmetonte shqiptarëve, ishte “kofsha turk elhamdulilah” apo “mos më daltë shpirti pa shku në Turqi” etj. etj., të cilat i transmetonte kryesisht nëpërmjet hoxhallarëve të besueshëm, që i paguante.

Këto idioma ndihmuan regjimet e Beogradit, që të arrijnë një dëbim masiv të shqiptarëve, të shoqëruar me aparatin represiv. Nga gjithë territoret shqiptare mund të jenë dëbuar mbi 700 mijë shqiptarë, që marrë numrat në njësi të kohës, rezulton, se së paku 1/3 e popullsisë shqiptare u “internua” në Turqi! Vetëm pas Luftës së Parë Botërore.

Ndërsa, së paku rreth 100 mijë të tjerë shqiptarë janë vrarë që atëherë.

Sipas të dhënave demografike të studiuesve Kosova kishte në vitin 1988 deri në 46 mijë lindje, kur nuk besohej të ketë pasur as 1.8 milionë banorë.

Pas më shumë se një dekade, pas luftës, Kosova llogaritej të kishte rreth dy milionë banorë, sipas të dhënave të asaj kohe nga UNMIK-u.

Por, pas më shumë se 20 vitesh, në fund të vitit 2020, dhe 32 vite nga viti 1998, Kosova ka të njëjtin numër të banorëve thuaja, 1,798,188 veta.

Dhe nga ky numër nuk është e sigurt se të gjithë janë rezident.

Pas disa viteve me shpopullim apo stagnim, në vitin 2020 pat shtim të popullsie për shkak të masave të izolimit në të gjithë botën, ku mundësia e ikjes nga Kosova ishte zero.

Pra, për 20 vjet liri, Kosova ka njohur depopullim kryesisht. Kjo pasi bazuar në shtimin e popullsisë që pas luftës ishte më i lartë se viteve të fundit, Kosova do të duhej të kishte së paku, 2.5 milionë banorë, pa llogaritur shtimin progresiv që mund të çonte edhe në një shtim prej rreth 200 mijë banorësh të tjerë.

Bilanci statistikor

Madje numri aktual, prej 1.8 milionë banorë, nuk është bazuar vetëm në shtimin e popullsisë së vitit 2000, por edhe bazuar në numrin e azilantëve të huaj, që ka pranuar Kosova, sidomos dekadën e fundit.

Si shembull të depopullimit, mjafton të kujtojmë vitin 2019, kur bilanci emigrim-migrim, sipas Entit të Statistikave të Kosovës në vitin 2019 ishte minus 28.845 banorë, ndërsa numri total i banorëve vlerësohej të ishte 1,782,115 veta.

Sipas Entit Statistikor, i cili mbështetej në të dhënat e disa instituteve statistikore dhe të dhënat nga databaza e Eurostatit numri i imigrantëve në Kosovë, gjatë vitit 2020 ishte gjithsej 11,543 banorë. Në këtë numër Enti ka përfshirë të kthyerit / riatdhesuarit, numrin e azilkërkuesve në Kosovës që kanë fituar të drejtën e nënshtetësisë, si dhe te gjithë ata persona që kanë leje qëndrimet më shumë se një (1) vit qëndrimi në Kosovë.

Vetëm në vitin 2014/2015 besohet se Kosovën e braktisën më shumë se 120 mijë veta, ndërsa shumë prej tyre i kthyen, për shkak se nuk gjetën strehim apo për shkak se nuk gjetën mundësi ekzistence dhe një pjesë, pasi u bindën se në Kosovë mund të jetonin mbase më mirë se jashtë.

Nuk iknin vetëm ata me gjendje të rëndë ekonomike, por edhe ata me gjendje të konsoliduar, për shkak të humbjes së shpresës në Kosovë!

Projeksioni

Sipas një projeksioni që e kanë shfaqur qarqe të lidhura me PDK-në dhe SHIK-un, Kosova nuk duhet të ketë më shumë se 1.2 milion banorë! Ishte koha kur ende PDK-ja drejtohej nga Kadri Veseli, ish kreu i SHIK-ut, që tani ndodhet në Hagë.

Sipas këtyre vlerësimeve që tangentojnë edhe me projeksione të huaja, të shoqërive sekrete dhe të pikëpamjeve antishqiptare, Kosova nuk ka nevojë të ketë më shumë banorë, ndërsa nuk thonë p.sh. nëse edhe Serbia nuk duhet të ketë banorë më shumë se aq, apo proporcionalisht me numrin që iu lejuaka Kosovës!

Nëse numri i banorëve në Kosovë do të zbriste në 1.2 milionë banorë, bazuar edhe në numrin në rritje të azilkërkuesve, sipas kësaj teorie i bie, që në Kosovë do të ketë rreth 10 % serb, më shumë se 10% pakica të tjera apo edhe më shumë deri në uljen e numrit të banorëve, dhe mbase së paku 10 % -20 popullsi e përzier nga azilkërkuesit. Shqiptarët atëherë nuk do të ishin as 70%, e mbase rreth 50% nga mbi 90% sa jemi aktualisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat