Kush është fajtori për rritjen e tarifave të energjisë? Deklarohet kryesuesi i ZRrE-së

Aktuale

Kush është fajtori për rritjen e tarifave të energjisë? Deklarohet kryesuesi i ZRrE-së

Më: 25 janar 2022 Në ora: 07:38
Ymer Fejzullahu

(E plotësuar 13:30) - Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ka pranuar se katër komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e ZRrE për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Kjo me arsyetimin, siç tha ai për procesin gjyqësor që është ZRrE sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.

Po ashtu kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, theksoi se gjatë këtij viti ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm në bazë ligjore për caktimin e tarifave, për të reflektuar kostot e sistemeve.

Fejzullahu tha se në kuadër të këtij procesi ZRRE ka hapur periudhën e konsultative për tarifat e energjisë elektrike deri më 28 janar.

Për këtë, ai u shpreh se kategoria e shfrytëzimit të energjisë elektrike mbi 600 kWH do të kenë ngritje të çmimit, por sipas tij, edhe këto kategori do të përfitojnë nga subvencionimi qeveritar.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala ka pyetur kryesuesin e ZRrE se kush është autor i këtij raporti për rritjen e tarifave.

Deputeti Shala ka pyetur po ashtu se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.

“Ka ndërhyrje nga ana e Qeverisë në ZRrE, nuk ka bazë ligjore”, tha ai.

Pas kësaj, Fejzullahu tha se autor janë ZRrE dhe bordi i saj është përgjegjës për këtë raport.

Duke mohuar se ka ndërhyrje nga qeveria me subvencione në ZRRE, pasi sipas tij mbështetje ka pasur edhe nga qeveritë e kaluara.

Fejzullahu ka folur edhe për rritjen e shpenzimit të energjisë, i cili tha se gjatë dhjetorit ka pasur konsum të lartë deri në 1400 MWH.

Sipas Fejzullahut 30 për qind e konsumatorëve janë të detyruar të ngrohen me energji.

***

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës ka shkaktuar shumë reagime e debat ditëve të fundit. Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu po raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për ta arsyetuar propozimin e këtij institucioni. Ai tha se e di se çmimet e energjisë elektrike janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve.

Fejzullahu ka theksuar faktin se kriza energjetike e ka përfshirë gjithë Evropën, duke shtuar se ka qenë e domosdoshme që ZRRE-ja ta shqyrtojë në mënyrë të jashtëzakonshme ndryshimin e tarifave.

Duke përmendur çmimet e larta të importit të cilat i ka quajtur të pamundura për t’u përballuar, Fejzullahu ka thënë se situata është bërë e rëndë. Ai e ka theksuar edhe prishjen në termocentralin Kosova B në dhjetor, i cili i ka shkaktuar miliona euro shpenzime për energjinë e importuar.

Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut”, ka thënë ai. “Prandaj ZRRE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm.”

Fejzullahu tha se në Kosovë është menduar se mund të prodhojmë vetë rrymë për nevojat tona, por që kjo s’është e vërtetë viteve të fundit.

Ne gjithë mendojmë që prodhojmë energji për nevojat tona, por në realitet – edhe pse deri tani kemi qenë shumë pak të varur nga importi – që disa vite të fundit, kjo varësi nga importi është rritur”, tha ai.

Si njërën nga arsyet për varësinë nga importi i energjisë elektrike, Fejzullahu e ka përmendur ndryshimin e strukturës tarifore në vitin 2017.

Kryetari i bordit të ZRRE-së tha po ashtu se edhe çmimet aktuale të rrymës mund të jenë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve. Ai tha se ka kërkuar që të mbështeten disa kategori që nuk mund ta paguajnë rrymën.

Këto çmime, edhe këto ekzistuese për një kategori të konsumatorëve janë të papërballueshme. Ne kemi qenë të zëshëm. Kam kërkuar edhe vitet e kaluara që të mbështeten konsumatorët që janë rastet sociale. Nuk janë vetëm rastet sociale që duhet të mbështeten, por edhe konsumatorët e cenueshëm që nuk e përballojnë faturën e energjisë elektrike”, tha ai.

***

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot mban mbledhje.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e datës 18.01.2022;
3. Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.08/L-074 për turizmin;
4. Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.08/L-075 për markat tregtare;
5. Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.08/L-076 për mbrojtjen e sekreteve tregtare;
6. Raportim i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike;
7. Të ndryshme.

Vendi: N506 Koha: 11:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat