Kurti përplaset me opozitën për masat e reja anti-COVID, përmendet edhe presidentja Osmani

Aktuale

Kurti përplaset me opozitën për masat e reja anti-COVID, përmendet edhe presidentja Osmani

Më: 27 janar 2022 Në ora: 07:47
Kuvendi i Kosovës.

(E plotësuar 18:43) - ​Kryeministri Kurti në Kuvendin e Kosovës: Mos e nënvlerësoni Omicronin

Në debatin parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në vend, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës foli për situatën aktuale epidemiologjike pas shfaqjes së variantit Omicron të virusit dhe për veprimet institucionale me qëllim menaxhimin e saj.

Përballë këtij varianti jashtëzakonisht ngjitës, kryeministri tha se Kosova ka pasur një avantazh të dukshëm në krahasim me disa vende tjera për shkak të përgatitjeve dhe reagimit me kohë nga ana e institucioneve dhe bashkëpunimit me qytetarët.

Ndryshe nga vende tjera në Evropë dhe rajon, vala e këtij varianti në Kosovë filloi në një kohë kur ishin më pak se 10 raste të reja në ditë dhe më pak se 5 pacientë të spitalizuar me COVID-19.

Megjithatë, në dyjavëshin e fundit, rastet e reja ditore janë rritur për më shumë se 10-fish dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme e numrit të spitalizimeve, tha kryeministri Kurti.

Sado që numri i spitalizimeve në këtë fazë mund të duket relativisht i ulët dhe përkundër numrit të madh të të vaksinuarve me dy doza, që tashmë ka arritur numrin prej 800 mijë qytetarë, duhet theksuar që kjo nuk na ofron aspak siguri për ditët dhe javët në vijim,  tërhoqi vëmendjen kryeministri Kurti.

Ai tha se qëllimi kryesor i masave aktuale është, që të ngadalësohet aq sa është e mundur rritja e rasteve të reja, sepse ato nuk ndalen dot. Masat synojnë, që në njërën e anë të sigurojnë, që sistemi shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar dhe në anën tjetër nëpërmjet ngadalësimit të shpërndarjes, t’u japin kohë qytetarëve, që të vaksinohet sa më masivisht.

Sa i përket vendimmarrjes për masat e miratuara, kryeministri Kurti tha se kanë qenë rezultat i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional dhe reflektojnë një balancim në mes të vlerave dhe parimeve të ndryshme. Ato nuk janë ekstreme, por janë thelbësisht të moderuara. Duke i referuar studiuesve nga Universiteti i Oksfordit, kryeministri tha se ashpërsia e masave në shumë shtete të Evropës është më e lartë se në Kosovë. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore janë duke monitoruar në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend e më gjerë, në mënyrë që këtë balancë ta ruajmë gjatë ditëve dhe javëve në vijim, me përditësim të masave sipas nevojës. Pra, vendimet tona politike e qeveritare gjithmonë do ta kenë substancën e do të paraprihen nga vlerësimet shkencore, shtoi më tej ai.

 “Mos e nënvlerësoni Omicronin”, ishte mesazhi i kryeministrit Kurti në përfundim të fjalës së tij, meqë ky variant ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda edhe në vendet më të zhvilluar të botës.

Dështojnë të miratohen rekomandimet e opozitës për rishqyrtim të masave kufizuese

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rekomandimet e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID-19. Kundër këtyre rekomandimeve u shprehën 41 deputetë, ndërsa pro vetëm 22.

Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.

Zemaj: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese

“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19. Qeveria në konsultim me ekspertët shëndetësor të miratojë strategjinë për COVID-19 dhe rritjeve të kapaciteteve, pa i bllokuar shërbimet tjera shëndetësore që vlejnë edhe për institucionet shëndetësore. Keqpërdorimet financiare në emër të pandemisë, blerjet e barnave dhe pajisjeve mjekësore me çmime abuzive të adresohen në organe e hetuesisë. Me urgjencë të sillet ligji për pagat në Kuvend miratim dhe e fundit masat për kufizim të lëvizjes së lirë të koordinohen me shtetet e rajonit, sidomos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Të njëjtat i quajti të papranueshme, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila: Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbën çdo gjë

“Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbënë çdo gjë. Në rezolutën e propozuar kërkohet që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një seancë të Kuvendit... GP i LVV një rezolutë që përbënë tema që nuk lidhen për çka është thirrur seanca nuk mund t’i mbështesë dhe do të votojmë kundër saj”, tha ajo.

Me përfundimin e debatit për pandeminë, Kuvendi mbylli punimet për seancën e sotme. Ndërsa seanca tjetër e paraparë për sot pritet të mbahet javën e ardhshme

***

 Deputetet e Listës Guxo: Falë angazhimit të presidentes Osmani, kemi siguruar rreth 700.000 vaksina

Deputetet e Listës Guxo i kanë reaguar deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra lidhur me kritikën për heshtjen e presidentes Vjosa Osmani ndaj gjendjes së rëndë me COVID-19 në Kosovë.

Deputetja Jeta Statovci tha se falë angazhimit të presidentes Osmani, vendi ka përfituar rreth 700 mijë vaksina donacion

***

Statovci: Falë angazhimit të Osmanit kemi siguruar rreth 700 mijë vaksina

“Donacioni nga SHBA-ja në vlerë 500 mijë vaksina të dhëna ndaj Kosovës dhe gjithashtu edhe në dhjetor me rreth 117.000 vaksina nga Franca dhuruar Kosovës. Gjithë kjo kontribut i angazhimit të vazhdueshëm nga presidentja Osmani”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja tjetër Doarsa Kica-Xheleli tha se ka qenë pikërisht PDK-ja që nuk i ka votuar vendimet që prekin direkt qytetarët në kohën e pandemisë.

Kica-Xhelili: Kur qenkan statuset më të rëndësishme se votimet

“Statuset për një herë qenkan më të rëndësishme me votimet që kanë të bëjnë për rimëkëmbje ekonomike dhe votimi i ligjit që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

​Deputetja e PDK-së: Qytetarët në gjendje të rëndë, presidentja Osmani po hesht

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani se po heshtë, derisa qytetarët po ballafaqohen me kriza të shumëfishta.

Ajo i bëri thirrje të parës së shtetit që të deklarohet lidhur me situatën e rëndë me pandeminë COVDI-19, çmimet e larta të produkteve dhe paralajmërimet për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Dua të flas për heshtjen e presidentes së vendit. Heshtjen e të parës së shtetit, e cila ka një kohë të gjatë që zonja Osmani nuk është deklaruar lidhur me gjendjen me të cilën janë qytetarët e Kosovës, dëmtimin e shëndetit publik, masat e rënda me çmimet që janë të larta dhe po shtrenjtohen çdo ditë, me paralajmërimet e rënda dhe enorme të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Zonja Osmani ka qenë bartëse e listës që ka fituar zgjedhjet, natyrisht edhe për shkak të pozitës së saj kushtetuese dhe ajo që është një nënë dhe një grua, sot dua të bëjë thirrje që ajo të deklarohet për zhvillimet e fundit. Pasi ka folur me të drejtë edhe për zhvillimet në Ukrainë dhe Rusi, qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dëgjojnë edhe zërin e të parës së shtetit”, tha ajo.

​Murati: Buxheti për shëndetësi është më i madh se vitet paraprake

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, deklaroi sot se buxheti për shëndetësinë për 2022 është më i lartë se vitet paraprake.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë në Kuvend, Murati tha se për këtë vit janë të parapara rreth 192 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-së.

“Për vitin 2022 buxheti për këto organizata buxhetore MSH dhe dhe SHSKUK është 186 milionë euro. Që në muajin e parë aprovuam shtesë prej 5.6 milionë euro. Pra aktualisht buxheti për këto dy institucione është 192 milionë euro dhe do të rritet për aq sa ka nevojë. Jam më se i sigurt që do të shkojë mbi 200 milionë. Megjithatë, ka kontigjenca këtu, ajo i bie se qeveria i ndanë disa mjete veçmas në mënyrë që t’i shpenzojë sipas nevojës. Nëse ka nevojë për vaksina më tepër i alokojmë për vaksina. Nëse ka nevojë për barna esenciale i orientojmë për ato. Kjo është çështje që mbahet kontigjenca. Si shpenzim, si qeveri mund të krahasoni me secilin buxhet paraprak, qoftë pandemik ose jo dhe mund të shihni se ka rritje të vazhdueshme të buxhetit për shëndetësi dhe do të ketë edhe viteve në vijim”, tha ai.

Deputetja e Vetëvendosjes kundërshton njërën nga masat anti-Covid

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi – Murtezi e ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për masat e reja anti-Covid.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Demi – Murtezi kujtoi se veçantia e kërkesës së dy dozave të vaksinës dhe një test PCR çdo 48 orë për të hyrë në Kosovë, ka shkaktuar shumë reagime dhe një protestë.

“Është e veçantë kërkesa e dy dozave të vaksinës dhe testi PCR për qytetarët tjerë që janë jashtë Kosovës brenda 48 orëshit të fundit. Kjo masë ka prekur në masë të madhe qytetarët që jetojnë sidomos në zonat afër kufirit me Kosovën, me ç’rast patëm protestë në Kukës, kërkesë nga ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Dr. Bekim Sali, për rishikim të masave nga Qeveria e Kosovës, si dhe po ashtu kërkesën e kryetares së Komunës së Preshevës, zonjën Ardita Sinani, gjithashtu për rishikim të masave”, tha ajo.

Deputetja thotë se qytetarët që e frekuentojnë Kosovën çdo ditë, nuk po reagojnë pa arsye.

“Sot kur po diskutojmë për gjendjen në Kosovë dhe vendet përreth, ndalemi dhe mendojmë; a janë këto personalitete dhe këta qytetarë për neglizhim të situatës duke kërkuar rishikim të masave? Jo. Pse po reagojnë ata dhe pse po shqetësohemi ne? Sepse qytetarët e këtyre vendeve e frekuentojnë Kosovën në baza ditore dhe testimi i tyre për të ardhur për nevojat dhe punët e tyre në Kosovë çdo ditë brenda javës, i obligon ata minimum për tri herë testim brenda javës”, tha ajo.

Demi – Murtezi përmendi rastin e një doktori që nga Lugina e Preshevës vjen në Gjilan për punë, duke theksuar se mundësia është që virusin ta transmetojnë edhe kolegët e tij nga Kosova, të cilët nuk janë të detyruar as të vaksinohen e as të testohen.

Ajo i kërkoi ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi që t’i rishikojë këto masa.

“I nderuar ministër, një deklarim që ka pasur para dy ditësh në faqen e saj zyrtare Ministria e Shëndetësisë se do t’i rishikojë masat, shpresoj shumë që t’i ketë parasysh edhe këto ndërhyrje për lehtësim të qarkullimit të qytetarëve që nuk janë të Kosovës me dokumentacion, por janë çdo ditë mes nesh, ngase punëtorët shëndetësorë që vijnë sidomos nga Lugina e Preshevës, nga Kosova Lindore, janë me neve për ta luftuar bashkë me ne pandeminë”, tha Demi – Murtezi.

Hoti kritikon qeverinë lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria ka reaguar me vonesë lidhur me menaxhimin e pandemisë dhe sipas tij, masat e ndërmarra nuk janë të duhura.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për situatën me pandeminë, Hoti ka kritikuar qeverinë edhe për mënyrën e vaksinimit dhe, siç ka thënë ai, mungesën e koordinimit me komuna.

Hoti: Reagimi i qeverisë lidhur me pandeminë është i vonuar

“Reagimi edhe vitin e kaluar në pandemi edhe tash duket ka qenë i vonuar, bile vitin e kaluar situata ishte shumë më e rëndë për shkak se shumë më tepër raste bëheshin për spital. Në dhjetor të vitit të kaluar, kanë qenë vlerësimet e OBSh-së dhe disa ekspertëve të fushës që janari, fundi i janarit, shkurti, do të jenë të rëndë edhe për Kosovën edhe për plot vende të tjera për shkak të variantit të ri të COVID-it, nuk u ndërmorën masa tek tash para një jave që u ndërmorën disa të cilat në bazë të vlerësimit të efektit që kanë dhënë po duket që nuk janë plotësisht adekuate”, ka thënë Hoti

Berisha – Kurtit: Trego patriotizmin në paqe, pasi në luftë është dashur të vije në Koshare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti të tregoj patriotizëm në paqe, pasi në luftë, sipas tij është dashur të shkoi tek ai në Koshare.

Ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për pandeminë COVID 19, tha se ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi duhet të operojë me duar të lira nga ekzekutivi.

Berisha: Kurti të tregoj patriotizmin në paqe, pasi në luftë është dashur të vij tek unë në Koshare

“Kryeministri bënë mirë t’ia lejë duart e lira ministrit që të operojë në profesionalizimin e tij. Ta tregojë patriotizmin profesional tani në paqe, pasi në luftë është dashur të vije atje tek unë në Koshare. Mos ta sjellin para aktit të kryer siç kanë bërë me rastin e vendosjes së masave me të cilat u befasua edhe vet ministri”, tha ai.

Deputeti opozitar kritikoi kryeministrin edhe për ashpërsimin e masave anti-COVID. Sipas tij, Qeveria Kurti mund të bëhet qeveria e parë që rrëzohet për shkak të revoltës qytetare.

Berisha: Qeveria Kurti mund të bëhet qeveria e parë që rrëzohet për shkak të revoltave qytetare

“Ajo çfarë mund të ndodh kryeministër është se mund të jetë qeveria e parë që rrezohet për shkak të revoltave qytetare”, tha ai.

Krahas këtyre, deputeti Berisha tha se zhvillimi i demokracisë nuk është meritë e qeverisë Kurti, por e gjithë qytetarëve dhe tranzicionit të pushtetit

***

Rikthehen deputet nga pauza, fillon seanca.

Kurti: Rritja e rasteve është e pashmangshme, qëllimi i masave është ngadalësimi i rritjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arsyetuar vendimin lidhur me masat anti-covid për çka ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai nuk merr vendime ‘shkel e shko” për përfitime politike por sipas tij është qeveri që merr vendime të duhura në kohën e duhur.

Kurti ka thënë se masat e fundit të marra nga qeveria nuk janë ekstreme.

Kurti: Masat anti-covid që i kemi marrë nuk kanë rënë nga qielli

“Të nderuar deputetë masat anticovid që kemi marrë në Kosovë më 21 janar 2022 nuk kanë rënë nga qielli përkundrazi ato kanë qenë rezultati i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional duke filluar me rekomandimet e profesionistëve shëndetësor në komisionin këshillëdhënës për masat anticovid duke u pasur nga shqyrtimi i këtyre masave, nga përfaqësues të institucioneve kyçe për menaxhimin e pandemisë në komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me Covid-19. Ne jemi një qeveri që nuk merr vendime ad-hoc ‘shkel e shko’ apo për përfitime politike, jemi një qeveri e cila është e gatshme për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur edhe vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë rritja e rasteve është e pashmangshme pavarësisht masave por qëllimi është të arrihet ngadalësimi i rasteve të reja.

Kurti: Rritjen e rasteve nuk e ndalim dot

“Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron rritja eksponenciale e rasteve të paktën për një kohë do të jetë e pashmangshme çfarëdo kufizime që të vendosen. Si qëllim kryesor i masave të miratuara që së paku ta ngadalësojmë me aq sa kemi mundësi rritjen enorme të rasteve të reja, sepse nuk e ndalim dot, por ajo çka mund të bëjmë është ta ngadalësojmë”, ka thënë kryeministri.

Në seancën ku po diskutohet për situatën me pandeminë, kryeministri ka thënë se kufizimet janë vendosur vetëm në sektorët me rrezik të shtuar.

Kurti: Masat e fundit të qeverisë janë të përkohshme

“Kemi zgjedhur një rrugë më të balancuar duke vendosur kufizime vetëm në ata sektorë që janë me rrezik të shtuar. Le të mos harrojmë që masat e marra edhe pse mund të shkaktojnë vështirësi në jetën e përditshme janë megjithatë të përkohshme, për fat të mirë përvoja e vendeve të tjera tregon se vala e variantit Omikron kalon relativisht shpejtë në krahasim me valët e mëhershëm të covid-19. Unë ju garantoj juve dhe gjithë qytetarëve që porsa të bëhet e qartë se masat e vendosura nuk janë më të nevojshme për të parandaluar mbi ngarkesën e sistemit shëndetësor ne do të fillojmë menjëherë që t’i lehtësojmë ato”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se doza përforcuese e vaksinës është e vetmja mënyrë efikase për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron.

Kurti: Me dozën përforcuese vala e Omicron përfundon më shpejtë dhe kufizimet largohen sa më parë

“Megjithatë kohëzgjatja e këtyre masave nuk varet vetëm nga qeveria, kohëzgjatja e masave varet nga gjithë qytetarët e Republikës, edhe pse dy dozat të vaksinës vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të fortë kundër formave të rënda të sëmundjes, e vetmja mënyrë efikase për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron është marrja sa me gjerë të dozave përforcuese mes popullatës sonë. Duke e marrë këtë dozë sa më masivisht qytetarët mund të sigurojnë që kjo valë të përfundojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe po ashtu që kufizimet të largohen sa më parë”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vala e Omicron i ka gjeturi institucionet shëndetësore në Kosovë në gjendje gatishmërie.

Kurti ka thënë se në Kosovë një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar më dy doza ndërsa po vazhdon mirë vaksinimi me dozën përforcuese duke theksuar që sot shënohen 800 mijë qytetarë të vaksinuar me dy doza.

​Kurti përplaset me opozitën për masat e reja antiCOVID

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë për shkak të vendosjes së masave të reja kundërCOVID.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për gjendjen e pandemisë, tri partitë opozitare kritikuan shefin e ekzekutivit për neglizhencë ndaj variantit omicron dhe mbyllje të kufijve me Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit. Por, kreu qeveritar tha se masat i kanë ndërmarrë me kohë dhe se rekomandimi i OBSH-së që të mos kërkohet certifikata e vaksinimit në kufij është bërë për shkaqe diskriminimi jo epidemiologjike.

Duke i replikuar fjalimit të parë të kryeministrit, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se ekzekutivi nuk i ka marrë masat me kohë për të parandaluar përhapjen e variantit omicron.

Haxhiu thotë që masat antiCOVID e marra nga Qeveria janë jologjike, kërkon rishikim të tyre

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë që masat antiCOVID e marra nga Qeveria janë jologjike, ndërssa ka kërkuar rishikim të tyre.

Gjatë seancës së sotme, Haxhiu tha që kishte përpjekje për paraqitur shifra të rrejshme me COVID.

“Brenda gjashtë muajve qeveria e përsërit gabimin e njëjtë në keqmenaxhim të situatës me COVID-19. Ashtu si gjatë verës kur ishin buzë katastrofës shëndetësore dhe tani këto ditë dimri po shohim paaftësinë e njëjtë të qeverisë në menaxhim të pandemisë. As pas dy vjetësh të pandemisë, Qeveria e Kosovës nuk arrin të dallojë varietetet e COVID-19, sillet me neglizhencë dhe papërgjegjësi pavarësisht situatës pandemike. Gjatë muajit dhjetor e në fillim të janarit, kishte përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID, duke i zvogëluar ato, duke i kamufluar me grip sezonal, për faktin se simptomatologjia e omicron dhe gripit sezonal ishte e njëjtë. Testimi sot i deputetëve në Kuvend dëshmon rëndësinë e testimit me kohë dhe kjo praktikë është dashur të bëhet në shkolla dhe institucionet tjera të testohen fëmijët, dhe arsimtaret dhe qytetarët përpara se këtë privilegj ta kishte pushteti për vete”, tha ai.

“Masat që ka marrë qeveria janë të pa konsultuara me ekspertët e pavarur shëndetësor dhe akterë tjerë që preken nga pandemia dhe ata që janë zbatues të ligjit dhe pushtetit lokal. Do të duhej të kishte një bashkërendim të të gjithëve në këtë betejë dhe jo vendimet të merren nga një komitet politik i emëruar nga qeveria në vitin e kaluar, i cili bashkë me qeverinë janë përgjegjës për katastrofën shëndetësore që shkaktuan gjatë verës ku për 3 muaj humbën jetën afër një mijë qytetarë… Sot në betejë me pandeminë kemi masa alogjike nga qeveria. Vendimi që në pikat kufitare të kërkohen tri doza të vaksinës është alogjik, kur në Kosovë dhe vendet fqinje janë vaksinuar vetëm 0.5 deri 1 % të qytetarëve. Me këtë vendim ka izolim dhe bllokadë të 99% të qytetarëve…Në këtë situatë kur vdekshmëria nga omicron është 25-30 herë më e ulët sesa e gripit sezonal, atëherë cila është arsyeja e masave alogjike të qeverisë, andaj po kërkojmë nga ju që me urgjencë t’i rishikoni këto masa”, tha ai.

Haxhiu: Qeveria e ka neglizhuar variantin Omicron

“Qeveria e ka neglizhuar omicronin. Nuk ka marrë me kohë masat e duhura dhe në veçanti pikat hyrëse dhe nuk ka bërë veprimet e duhura për gjurmim përmes testimit. Prandaj kemi rritje të pozitivitetit, nga 1 për qind në 26 për qind. Kjo është si pasojë e asaj se dikush brenda sistemit shëndetësor është përpjekur rrejshëm ta paraqes situatën”, tha ai.

Në linjë të njëjtë të kritikës u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Zemaj: Qeveria injoroi situatën me omicron

“Ky është injorim i asaj situate dhe për këtë arsye kemi ardhur në këtë situatë alarmante. Ju mund të vendosin sido që ta quani. Kjo është koha e vonuar dhe tashmë pasojat janë evidente, në statistika në numra dhe mbi të gjitha edhe në shëndetin publik”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se masat e fundit të Qeverisë kanë anomali me njëra-tjetrën.

Tahiri: Pse e keni mbyll kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore

“Pse e keni mbyll kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kur do ta hapni ? Nëse Organizata Botërore të Shëndetësisë ka një qëndrim të tillë, pse Kosova ka një qëndrim tjetër? E dyta, a mund ta shpjegoni se si është e mundshme që ora policore ta ndalë variantin omicron dhe jo shërbimi shëndetësor? Si është e mundshme të mbyllen palestrat sportive dhe në qendrat tregtare të shkojnë nga tre-katër mijë veta dhe mos të ketë inspektim dhe të thuhet se po e ndalim?”, tha ai.

Në kundërpërgjigjen e tij ndaj deputetëve, kryeministri Kurti tha Kosova nuk guxon t’i lirojë masat pa e kaluar pikun e rasteve. Ai shpjegoi edhe pse njëra ndër masat është kërkesa për tri vaksinat ose testin, pavarësisht se OBSH-ja ka rekomanduar që kjo masë të largohet.

Kurti: OBSH s’ka rekomanduar kërkesën për certifikatë në kufij për shkaqe diskriminimi

“OBSH-ja nuk e ka rekomanduar kërkesën për certifikatën e vaksinimit në kufij, jo për shkak se nuk është masë efikase në aspektin epidemiologjik, por për shkak të një arsye të vetme. Për shkak se ka vende të botës, kryesisht në Azi dhe Afrikë që ende nuk kanë mjaft vaksina në dispozicion, andaj kërkimi i certifikatave në kufij konsiderohet diskriminues. Mirëpo kjo logjikë nuk vlen për neve, pasi gati të gjitha udhëtarët që vijnë në Kosovë janë nga Evropa ose SHBA. Atje siç e dina nuk ka mungesë të vaksinave edhe te ne nuk ka mungesë të vaksinave. Në stoqet tona janë gjysmë milion vaksina, pra nuk po diskriminohet askush me këtë në vendin tonë”, theksoi ai.

Pas këtij debati, deputetët e Kuvendit kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:00. 

Tahiri – Qeverisë: Kur do ta hapni kufirin?

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka pyetur kryeministrin Akbin Kurti se kur do ta hapin kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Gjatë fjalës së tij në seancën ku po debatohet për gjendjen me pandeminë, Tahiri përmendin qëndrimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilit tha se, ndalimet e udhëtimit nuk e parandalojnë dhe përhapin variantin Omicron.

 

“Qëndrimi i OBSH-së është se ndalimet e udhëtimit nuk e parandalojnë dhe nuk e përhapin variantin Omicron, pse e keni mshel kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe kur do ta hapni. Në qoftë se OBSH ka një qëndrim të tillë pse Kosova ka një qëndrim tjetër?”.

“A mundesh me na shpjegu kryeministër, si është e mundur që ora policore të ndalë Omicronin e jo Shërbimi Shëndetësor, kushtet, inspektimi, ato e ndalin, jo ora policore se po shihet që as qarkullimi nga jashtë e as ai nga brenda nuk e ndal. Si të mbyllen fitneset dhe pastaj në qendra tregtare të shkojë 3-4 mijë vetë dhe të mos ketë inspektim. Unë mendoj se Qeveria nuk po merr vendime të vështira, por vendime të lehta, shumë të lehta. Ato të cilat e ndalin jetën dhe ia bëjnë qytetarit jetën më të vështirë”.

Kurti: Me masat synojmë ta ngadalësojmë rritjen enorme të virusit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që ne masat e reja që janë ndërmarrë synojnë që së paku të ngadalësohet rritja e virusit, pasi nuk e ndalin dot.

Kurti këtë e tha gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet sot në Kuvend, me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në vend, të thirrur nga opozita.

“Ju garantoj se posa të bëhet e qartë që masat nuk janë më të nevojshme, ne menjëherë do t’i lehtësojmë ato”, tha Kurti.

Ai gjithashtu bëri thirrje që të mos nënvlerësohet Omicroni, pasi “po shkakton pasoja edhe në venet më të mëdha të botës dhe numri i të vdekurve po shtohet nga dita në ditë".

Latifi: Masat antiCOVID vendosen konform situatës me pandeminë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ë Kosovës lidhur me situatën me pandeminë tha se të gjitha vendimet për masat vijnë pas diskutimeve me ekspertë shëndetësorë.

Latifi theksoi se kanë vendosur kufizime në sektorë të caktuar që janë me rrezik të lartë dhe po presin të shohin si zhvillohet situata në spitale.

“Natyrisht se çdo ditë e vlerësojmë këtë dhe do t’i marrim masat konform këtyre zhvillimeve. COVID-i është gjithë andej”, tha ministri.

Ajo që e dallon Kosovën nga vendet tjera është numri i madh i testeve, vendi i dytë në rajon pas Sllovenisë.

Ministri i Shëndetësisë po ashtu tha se sipas trendit aktual shihet se Kosova ka shumë më pak raste të vdekjes se vendet tjera.

“Mesatarja javore deri më tash 0.5 raste në 1 milion banorë me vdekje”, tha ai.

Latifi po ashtu theksoi se sipas të dhënave të djeshme janë 130 mjekë dhe 160 infermierë të infektuar me coronavirus.

Infektologu kërkon nga qeveria që vaksinimi antiCOVID të bëhet obligativ

Infektologu dhe deputeti nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për gjendjen me pandeminë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë obligativ vaksinimin kundër COVID-19.

Ai ka thënë se vaksinimi masiv ndihmon që të dalim nga situata e pandemisë, andaj sipas tij, vaksinimi duhet të bëhet obligativ sidomos për institucionet publike.

“Vaksinimi masiv është dalja nga situata. Numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve vetëm prej disa mijëra dozave është vërtetë brengosëse kur e dimë që kapacitetet i kemi mbi 20 mijë doza vaksinë për 24 orë. Ju rekomandojë që vaksimin ta bëni obligativ, në veçanti për institucionet publike, gjë që e kanë bërë shumë vende të Bashkësisë Evropiane dhe shumë vende të rajonit tonë, nga sot edhe Shqipëria”, ka deklaruar ai.

Dreshaj ka thënë se ditëve të fundit një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën Infektive janë infektuar me virus.

Andaj ai ka thënë se në kohën kur më së shumti do të kemi nevojë për stafin mjekësor, do të jemi në mungesë të tij.

Tutje, Dreshaj ka paralajmëruar edhe rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar në ditët e ardhshme.

“Dihet sëmundja ndërlikohet rrallë para ditës së pestë, zakonisht nga dita e shtatë deri ditën e dhjetë, prandaj numri i rasteve të hospitalizuara pritet të rritet në katër pesë ditët e ardhshme e me to fatkeqësishtë edhe rastet që do të kenë ecuri të pafavorshme. Po thuhet që shumica e rasteve janë nën moshën 19-vjeccare, është e pritshme.Kjo grupmoshë është grupmosha më aktive që ka vendi dhe njëkohësisht nuk ka një shkallë të lartë të vaksinimit. E njëjta vlenë edhe për grupmoshën deri në 12-vjecc, këta as që i kemi pasur në program për t’i vaksinuar.”, ka deklaruar ai.

Dreshaj ka thënë se sëmundja parandalohet me respektimin e distansës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve, e jo me orë policore e shkurtimin e orarit të pandemisë.

“Sëmundja parandalohet me respektimin e masave standarte parandalues, me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve. Nëse këto nuk respektohen nga popullata, atëherë të kota janë masat shtrënguese kufizuese si ora policore dhe shkurtimi i orarit të gastronomisë”, ka shtuar ai.

Memli Krasniqi kritikon Qeverinë për menaxhimin e pandemisë Covid-19

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Krasniqi shprehu shqetësimin se si brenda një muaji, rastet me Covid-19 u rritën për 36.000%. 

Sipas tij, vetëm dje u shënua shifër që më parë rezultonte nga grumbullimi i shifrave për disa muaj.

“Vetëm dje patëm 4.397 raste të reja pozitive me virusin Covid-19. Një numër ky që për v etëm një ditë të vetme dje rezulton me më shumë të infektuar në total sesa numri total sesa numri it ë infektuarve marrë së bashku për disa muaj me radhë gjatë dy viteve të kaluara. Më 26 dhjetor kishim vetëm 12 raste pozitive. Për një muaj patën një rritje enorme në një shkallë prej 36.000%. Pikërisht para një muaji, më 26 dhjetor janë konfirmuar 6 rastet e para të variantit Omicron që tash padyshim edhe në Kosovë po del dominues”, ka thënë ai. 

Deputeti i PDK-së deklaroi se varianti Omicron e ka gjetur në befasi Qeverinë. 

“Edhe ky variant Qeverinë tonë e gjeti në befasi përkundër që krejt bota përgatitej për t’u ballafaquar me të duke parë që ishte një variant shumë më agresiv sesa variantet e kaluara. Vendi jonë është përfshirë në një valë të re të ë Covid-19. Kjo është mjaft shqetësuese. Por më së pari është shqetësim për faktin se nuk po duket shqetësim për Qeverinë”, ka thënë ai. 

Ai ka folur edhe për vendimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës për të menaxhuar situatën epidemiologjike. 

“Kjo Qeveri i ka bërë dy lloj gabimesh themelore në menaxhimin e pandemisë po t’i përgjithësojmë ato. Ose ka hezituar për ta lexuar situatën duke e injoruar atë ose e ka lexuar situatën gabimisht. Kur hezitojnë që ta lexojnë ata nuk veprojnë në  kohë, e kur e lexojnë gabimisht ata veprojnë në mënyrë kuturu, jo me plan por me impuls”, tha ai.

Sipas Krasniqit, barazimi në mes të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve është stimulim që qytetarët të mos vaksinohen kundër Covid-19. 

“Qeveria realisht nuk ka hezituar me nxjerr masa, por interes dhe aftësi për zbatimin e masave që i ka nxjerrë vet nuk ka pasur. Ajo ka vendosur kufizime mbi qytetarët dhe u ka lënë në dorë qytetarëve me i zbatu ato masa dhe ato kufizime, e jo administratës shtetërore qe e ka obligim ligjor të bëjë një gjë të tillë. Barazimi në mes të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve është stimulim  për të mos u vaksinuar e që do të ishte dëmi më i madh”, deklaroi Krasniqi. 

Skandaloz ai e ka quajtur edhe kufizimin për hyrje në Kosovë vetëm me tri vaksina kundër Covid-19.

“Së fundmi patëm edhe një vendim skandaloz që s’kemi si ta quajmë ndryshe. Vendosja e masave për të hyrë në Kosovë vetëm me tri doza të vaksinës, në kohën kur në Kosovë vetëm rreth 4% e kanë marrë dozën e tretë e veçmas si masë ndaj bashkëkombëseve tanë të brezit kufitar me Shqipërinë, Maqedoninë, Luginën e Preshevës që deri dje kanë qarkulluar e punuar krejt normalisht duke i penalizuar ata përmban një lloj absurditeti të pakuptimtë që nuk mund të themi është i paqëllimshëm”, deklaroi ai.

​Kollçaku thotë se kundërshtimet e opozitës lidhur me menaxhimin e pandemisë janë me tendencë politike

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë se kundërshtimet e opozitës lidhur me menaxhimin e pandemisë me COVID-19 janë me tendencë politike.

Kollçaku derisa i ka reaguar deputetit të LDK-së, Armend Zemaj për fjalimin e tij, ka thënë se ata që sot po kritikojnë kur ishin në pushtet nuk ishin të interesuar për shëndetin publik por sipas saj vetëm përfitimet politike.

Kollçaku: Kundërshtimet e opozitës janë me tendencë politike

“Nëse i shtrëngon masat pse i shtrënguat, nëse i liron po ju jeni fajtor tash për numrin e rasteve, këta janë të pakënaqur dhe çfarë tregon kjo, tregon një tendencë politike, brenga e parafolësit në tërë fjalimin prej fillimit deri në fund ishte një tendencë politike, siç ishte edhe atëherë e zhvendosjes së pushtetit nga një kryeministër i cili ishte në krye të detyrës në, dihet cili ishte qëllimi zhvendosja e pushtetit dhe përfundimisht marrja e pushtetit ndodhi edhe pse këtu si epidemiologe asokohe jo vetëm që e pata vë në pikëpyetje edhe që u ftua seanca kur ishim të gjithë të rrezikuar, në të njëjtën kohë nuk i intersojke shëndeti publik por përfitimet politike dhe atë e arritën, e rrezikuan vendin duke e ndërruar pushtetin në kohën kur ish dashit gjithë spektri politik të unifikohej në luftimin e një të panjohure”, ka thënë Kollçaku.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat lidhur me situatën me Covid-19.

Image
Fatmire Kollçaku

Deputetja e VV-së i kundërpërgjigjet Zemajt: Këtë teatër e ka përgatitur që dje

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, iu kundërpërgjigj deputetit të LDK-së Armend Zemaj, duke thënë se opozita është e pakënaqur me gjithçka që bën Qeveria. Sipas saj, kjo sjellje po bëhet nga partitë opozitare për qëllime politike, jo për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Më vjen keq se gjithmonë sa herë e përgatisë një fjalim, parafolësit na ndryshojnë. Që dje në takimin e komisionit ku raportoi ministri i shëndetësisë e drejtori i SHSKUK-së, të cilët erdhën të na informojnë por deputeti parafolës duke e nënvlerësuar dy zyrtarë kur ministri me arsye detyrohet ta lëshojë takimin pas një ore takimi, ngritën të njëjtit opozitar dhe deputetin që e mori mundon me na mbledh e lëshon takimin e mbeti i painformuar për shumë çështje. Sikur të qëndronte dje, sot do ishte më i përgatitur dhe nuk do ta bënte këtë gjë pasi i thash edhe dje vazhdo për teatrin nesër që e ke përgatitur, sepse për pjesën profesionale dhe situatën epidemiologjike nuk ishte i interesuar. Është për keqardhje, se si i nënçmoj dy zyrtarë. Dy vite me herët ne ketë sallë, në kohën kur ekspertët sugjeronin masa, kujtoheshin që të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në mesin e një situate të panjohur”.

“Këta janë të pakënaqur në çdo situatë, kjo tregon një tendencë politike. Brenga e parafolësit në tërë fjalimin ishte tendencë politike”.

Kollçaku ka përmendur rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 dhe ka thënë se opozita e rrezikoi shtetin dhe shëndetin e të gjithëve për ta ndërruar pushtetin në një situatë të rëndë shëndetësore. Ndërkaq, foli edhe për shtesat e mjekëve.

“Vazhdimisht përmenden shtesat e mjekëve. Këtu ishin të ulur këta që tani janë në anën e majtë, kur votuan kundër propozimit që deri në fund të pandemisë të votohet shtesa prej së paku 50% nga paha e profesionistëve shëndetësorë”.

****

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria Kurti edhe një herë po i trajton profesionistët shëndetësorë me lëmoshë me vazhdimin e 10 përqindëshit, dhe ka shprehur mungesë konsistence në parandalimin dhe përhapjen e virusit.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet për gjendjen me pandeminë në Kosovë, Zemaj tha se kryeministri Kurti është politikan akrobat me qeveri akrobate, për të cilët thotë, se i ikin thelbit të çdo problemi që i kanoset vendit.

“Profesionistët shëndetësorë po i trajton edhe një herë me lëmoshë. Nxjerrin masa joadekuate dhe shprehin mungesë konsistence në parandalimin dhe përhapjen e virusit. Kujdes nuk ka fare në shkolla, krijon mungesa të testimit në shkolla dhe fëmijëve tanë. E ul buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë, mungesën e barnave, largon nga puna profesionistë shëndetësorë, s’ka koordinim fare me komunat e vendit e as shtetet përreth”.

“Kjo Qeveri s’ka problem t’i hedh në plegra vaksinat edhe atëherë kur na duhet më së shumti. Po kontribuon që profesionistët të ikin jashtë vendit si kurrë më parë. Kjo qeveri nuk bën përjashtim me këtë sjellje jokorrekte, i bëjmë thirrje: guxo, provo për të dëgjua, provo për të mësuar dhe për të punuar”.

Tutje, Zemaj e quajti Kurtin politikan akrobat dhe magjistar që i ka humbur rruga në oborr.

“Paralajmërimet tona prej ditësh që varianti Omicron kërcënon edhe Kosovën u injorua krejtësisht. Sot kur situata është alarmante, Qeveria ka vetëm një zgjidhje, izolimin, ndryshe kryefjala e një qeverie të paaftë. Zoti na ruajt nga paaftësia e Qeverisë. Po i bën qytetarët fajtorë që kanë besuar në mashtrimin e vet që e ka krijuar dhe plasuar, ne e kemi ditur që se magjistar s’është, por politikan akrobat me qeveri akrobate që i ikën thelbit të çdo problemi që i kanoset vendi. Magjistar politik që nuk i ka humbur shkopi magjik, por rruga në oborr”.

Mimoza Kusari-Lila konfirmon se disa deputetë janë infektuar me Covid-19 

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar sot se disa deputetë kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ajo u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të infektuarve. 

“Më lejoni që të ju urojë shërim të gjithë deputetëve që kanë rezultuar pozitiv me Covid”, tha ajo. 

Kujtojmë që dje u konfirmuar se pozitiv me Covid-19 ka rezultuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Glauk Konjufca autorizon Kujtim Shalën që ta udhëheqë seancën e Kuvendit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala do ta udhëheq sot seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka rezultuar pozitiv me virusin Covid-19. 

Në sallë nuk gjendet as nënkryetarja e parë, Saranda Bogujevci.

Shala tha se ai do ta drejtojë sot seancën me autorizim të Konjufcës. 

“I hap punimet e seancës të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas kërkesës së 41 deputetëve të Kuvendit. Ju njoftojë se sot këtë seancë unë do ta udhëheq në bazë të autorizimit të autorizimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca”, ka thënë Shala. 

Dje  është konfirmuar se Konjufca është infektuar për dytë me virusin Covid-19.

Kuvendi e nis seancën me 1 minutë heshtje për Holokaustin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur seancën e jashtëzakonshme për debatin parlamentar për gjendjen e pandemisë, me 1 minutë heshtje për viktimat e Holokaustit

***

Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme sot, debatohet për situatën epidemiologjike 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot seanc të jashtëzakonshme, ku do të debatohet rreth situatës epidemiologjike në vend për pandeminë

Pikë e vetme e rendit të ditës e kësaj seance do të jetë debati parlamentar për gjendjen me pandeminë në Kosovë.

Seanca pritet të fillojë nga ora 11:00.

Ndërkohë, po ashtu sot, duke filluar nga ora 15:00, Kuvendi do të mbajë seancë të re, ku do të diskutohen disa pika të rendit të ditës.

Kjo është agjenda për seancën e re:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit ne.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për ndihmën Juridike Falas,

Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118,

Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb,

Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”,

Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021,

Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim. ​

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat