Dënohet sulmi ndaj gazetarëve nga Prindon Sadriu

Aktuale

Dënohet sulmi ndaj gazetarëve nga Prindon Sadriu

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 18:28
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, i cili është edhe rezervist i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Organizatat evropiane dhe vendore për mbrojtjen e gazetarëve kanë bërë thirrje që Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të ndalë sulmet ndaj gazetarëve.

Më 8 shkurt, Sadriu përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.

Më pas, ai këtë postim e fshiu.

Këtij reagimi të Prindon Sadriut i parapriu publikimi i lajmeve në mediat në Kosovë, ku pretendohej se presidentja Osmani kishte marrë kompensim për naftën e përdorur për udhëtime nga Mitrovica, në kohën kur ishte deputete, dhe në atë kohë mediat thanë se ajo kishte jetuar në Prishtinë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se deklaratat e tilla të Sadriut shtojnë “pasigurinë e gazetarëve në Kosovë”.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cilësoi si “të vazhdueshme” sulmet ndaj gazetarëve nga ana e Prindon Sadriut, i cili njëherësh është edhe i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në raportet e tyre vjetore, kanë thënë se gazetarët në Kosovë janë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit.

Në raportin e ri për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch, të publikuar në janar të vitit 2022, u tha se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë janë mbajtur përgjegjës.

“Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, ka thënë Human Rights Watch./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat