Ku janë fshehur ekzekutorët e SHIK-ut / Kur do të zbulohen 30 viktimat e tyre!?

Aktuale

Ku janë fshehur ekzekutorët e SHIK-ut / Kur do të zbulohen 30 viktimat e tyre!?

Nga: Idriz Morina Më: 20 shkurt 2022 Në ora: 10:32
Foto ilustruese, Kadri Veseli ish kreu i SHIK-ut

Enigma e kërkimit të vrasësve të specializuar në Francë vazhdon. Njësoj vazhdon edhe dilema se ku shkuan gjithë ato para, që besohej se SHIK-u brenda një viti i qarkullonte në Kosovë, rreth 200 milionë dollarë.

Bëhet fjalë për një ekip prej rreth 30 vetash të dërguar në Francë për trajnim, të cilët ishin veshur me rroba të maskuara, që të mos dalloheshin në stërvitjet me ushtarë francez. Ata qenë dërguar në Francë për trajnim në përdorim të specializuar të armvëe, që mendohej edhe si përgatitje për mbrojtje të afërt.

“Por, sipas hetuesve, disa nga rekrutët e SHIK-ut të trajnuar në Francë, më vonë u bën anëtar të skuadrës së atentatorëve (vrasësve”, shkruante The Guardian në nëntor të vitit 2014.

Dilemat dhe informacionet e publikuara nga Tha Guardian dhe nga pak media e gazetarë të guximshëm, në Kosovë, ende nuk kanë marrë epilog.

Thuajse asnjë ekzekutor, veç pak rasteve që kanë përfunduar në burg dhe ndonjë i ekzekutuar, nuk ka pasur proces të rëndësishëm ndaj vrasësve, aq më pak që të sqarohet veprimtaria e atyre që u trajnuan në Francë dhe u bën vrasës me pagesë në Kosovë.

Ankthi i vrasjeve

Kosova nuk ka kaluar rastësisht nëpër ankthin e vrasjeve politike. Tmerret ishin të mëdha, dhe përzgjidheshin figura të tilla, vrasja e të cilave do të sillte pashmangshëm tronditje.
E tillë ishte vrasja e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës Ahmet Krasniqit, në shtatorin e vitit 1998, ndërkohë që më parë kishin tentuar ta vrisnin Enver Malokun, por atentati i parë ju kishte dështuar.

Fill pas këtij sulmi, një skuadër vrasje ishte dërguar ta eliminonte në Prishtinë, në banesën e tij mbi “Kurriz” Sabri Hamitin, njërin prej bashkëpunëtorëve dhe miqve më të ngushtë të presidentit Rugova.

Fatmirësisht u shpëton tre plumbave, por edhe arrin ta identifikojë një detajë në dukje të vrasësit. Pas skuadrës qëndronte e majta, vrasësi mbante ‘leninkën’.
Goditja fatale do të vinte për ministrin Krasniqi, i cili u qëllua teksa po kthehej nga një takim i rëndësishëm me epror ushtarak, përfshirë Agim Ramadanin dhe Sali Çekajn, të cilëve u ishte zotuar se brenda pak ditësh do të hynte në Kosovë për luftë, edhe vetë ai personalisht, premtim që e kishte dhënë vetëm pak ditë më parë edhe gjatë inspektimit të trupave të UÇK-së nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, se do të hynte në Kosovë me njësitin “Skenderbeg”.

Pikë referente për ta vendosur njësitin dhe vetë Shtabin, e kishte menduar krahinën e Rugovës.
Vrasjet vazhduan, djathtas dhe jo rrallë edhe majtas, siç ishin vrasjet, e Behadin Hallaçit, Shalës, Ilir Konushecit dhe të disa të tjerëve.


Pak ditë pas vrasjes së ministrit Krasniqi, ishte rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar një tjetër bashkëpunëtor i tij, i cili kishte një mbështetje të veçantë fondesh nga mërgimtarët e Istogut, eprori Sadri Ramçaj.

A do të zbulohet grupi nismëtar i vrasësve?

Vrasjet si duket do të shpeshtoheshin pas aftësimit të një grupi, që mendohej fillimisht të përdorej për luftë.

Por, arritja e kulmit të vrasjeve me gjasë do të ndodhte me specializimin e 20 vetave në Francë për përdorim armësh.
Disa nga anëtarët e këtij grupi më pas do të bëheshin anëtar të skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, të cilët besohet se janë përgjegjës për të paktën 30 vrasje.
Më shumë se shtatë vjet më parë gazeta e njohur britanike The Guardian ka shkruar për lidhjet e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) me shërbimin inteligjent francez DGSE.
Sipas hetimit të bërë nga kjo prestigjioze britanike, këto lidhje implikuese të SHIK-ut me shërbime perëndimore të inteligjencës, janë kthyer në pengesë, ‘që EULEX-i t’i niste hetimet ndaj politikanëve më të mëdhenj të Kosovës’.
Pra, jo vetëm që dyshohet nëse SHIK-u ka kryer vrasje të shumta, por besohet se në këto vrasje janë të përfshirë figura të mëdha politike.
Ndërkohë, që këto zbulime ishin bërë të ditura, ish kreu i SHIK-ut Kadri Veseli do të bëhej kryetar i Kuvendit të Republikës.
Madje sipas “The Guardian”-it këto lidhje kanë penguar përpjekjet e tyre që ta frenojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 2008.
“The Guardian” përmes një burimi brenda EULEX-i e kishte konfirmuar fillimin e hetimeve ndaj Azem Sylës, të cilat morën një lloj epilogu vetëm pas dia viteve, kur në pranverën e vitit 2016 u arrestua Azem Syla, për krim të organizuar.

Trajnimi dhe lidhjet e SHIK-ut me DGSE-në franceze

Ky medium i fuqishëm britanik, në pranverën e vitit 1999, sipas hetuesve që i kanë përcjellur aktivitetet e SHIK-ut, një grup prej 20 rekrutëve të SHIK-ut ishin bartur me një anije nga porti i Durrësit dhe ishin transferuar në një anije luftarake franceze.

“Ata kishin qenë të veshur në fanella të kaltra të errëta në mënyrë që të përziheshin me ushtarët francezë. Me të shkuar në Francë, ata kanë kryer trajnime për armë speciale si pjesë e asaj që mendohej të ishte një kurs për mbrojtje të afërt. Por sipas hetuesve, disa prej rekrutëve të trajnuar nga Franca më vonë janë bërë pjesëtarë të grupit të vrasësve”, shkruante The Guardian.
“Këta vrasës nuk janë të rëndësishëm, por janë të lidhur me njerëz ‘të mbrojtur’”, i kishte deklaruar një hetues “The Guardian”-it.
Por, çështjet që nuk kanë marrë zgjidhje është se ku ndodhen këta 20 ekzekutor, sa prej tyre janë gjallë, sa të burgosur, dhe sa enden lirshëm dhe në shërbim të kujt janë? Pse nuk u shërbeu hetimeve as publikimi i këtyre të dhënave nga “The Guardian”? Pse janë kaq të fuqishëm dhe kaq të paprekshëm?! A ka nevojë shteti për vrasës të tillë, e aq më tepër për mbrojtjen e tyre!?
Dhe mbi të gjitha ka mbetur pas dilema se kush janë 30 viktimat e tyre?!

Lidhjet e SHIK-ut me Francën u forcuan, kur trupat franceze e morën nën kontroll veriun e Kosovës, në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të bombarimeve të NATO-s, përkatësisht vendosjes së KFOR-it.

Në një mënyrë ky medium britanik e fajësonte Francën për mos veprim të EULEX-it, veçanërisht në kohën kur në krye të atij misioni ishte Xavier Bout de Marnhac, ish shef i DGSE-së franceze.

Sipas informacioneve të cituara nga ky medium anglez, SHIK-u fitonte rreth 200 milionë dollarë në vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat